E ftuar në "5 pyetjet nga Babaramo", Kryemadhi tha se Rama është kryeministri i zgjedhur nga një Parlament legjitim dhe i votëbesuar nga qytetarët në zgjedhjet e qershorit 2013.
Kryemadhi ironizon Bashën: Unë them të vijë Berisha
Kryemadhi tha me ironi se kërkesa e Bashës është njësoj sikur ajo të kërkojë largimin e kryedemokratit dhe rikthimin e Berishës në krye të PD, ose ndryshe nuk do të hyjë në zgjedhje.
"Mua më duket qesharake. Dhe unë them që Basha të ikë nga PD dhe të vijë Sali Berisha, se unë s'hyj në zgjedhje. Edi Rama dhe Ilir Meta u votuan për të qeverisur në 2013-ën deri në qershor 2017.
Basha ka pasur në tryezë shumë propozime siç janë mandatet e LSI për të qeverisur. Këto janë argumentime që prodhojnë konflikt. Rama është kryeministri i vendit dhe i dalë nga një Parlament legjitim", tha Kryemadhi.
"Kjo, opozita më e dobët - demokratët të votojnë LSI"
Numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi shpreh jo pak rezerva për punën e opozitës. Ajo e cilëson absurd qëndrimin në çadër, ndërsa thekson se Kuvendi ka pasur opozitën më të dobët në histori.
Kryemadhi fton votuesit demokratë që votojnë në 18 qershor dhe të zgjedhin LSI-në, nëse nuk duan Edi Ramën kryeministër.
"Demokratët të marrin pjesë në zgjedhje, të shkojnë të votojnë në 18 qershor. Nëse nuk duan Edi Ramën kryeministër, të vijnë dhe të votojnë LSI-në. Kjo është padyshim opozita më e dobët në 25 vjet", u shpreh Kryemadhi.
Kandidimi i Metës për President
Monika Kryemadhi ka thënë se kandidimin e Ilir Metës për President e ka mësuar ditën kur grupi parlamentar dha firmat.
"Ditën që firmosa...Mos e dini Metën kaq të sinqertë me gruan...", tha ajo.
A do të ketë zgjedhje më 18 qershor?
Në fakt 18 qershori është një datë e dekretuar nga Presidenti i Republikës por situata politike ka bërë që ne sot të jemi përballë 2 qëndrimeve. Nga një anë kemi një qëndrim ultimativ që thotë se unë nuk hyj në zgjedhje dhe në anën tjetër një qëndrim arrogant që unë nuk pranoj negociatat me ju. Në të dyja rastet kjo nuk sjell asgjë por sjell vetëm vuajtje, dëshpërim dhe varfëri. Sjell edhe një mungesë stabiliteti në vend. Shkaktarët e kësaj situate janë dy partitë e vjetra dhe unë mendoj që të gjitha palët duhet të tolerojnë pak dhe të lëshojnë nga qëndrimet e tyre, ultimative apo indiferente. Politikanët kanë për detyrë të ndërtojnë urat e bashkëpunimit dhe të vendosin një gur në themelet e demokracisë e cila është shumë e brishtë në Shqipëri. Nuk është mirë që pas 25 vitesh ne në Shqipëri diskutojmë akoma çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është shumë dëshpëruese.
Basha kërkon qeveri teknike, që Rama të lerë postin e kryeministrit, ju duket e arsyeshme?
Mua më duket edhe qesharake ndonjëherë. Dhe unë them që Basha të ikë nga PD dhe të vijë Sali Berisha, se unë s'hyj në zgjedhje. Ai mund të ketë shumë shqetësime të drejta z. Rama, partia e tij së bashku me Aleancën për Shqipërinë Evropiane, kanë fituar zgjedhjet në qershor të 2013-s dhe populli e ka mandatuar që të qeverisë deri më 18 qershor të 2017-s.
Z. Basha ka pasur në tryezë disa propozime. Një nga këto ka qenë edhe propozimi i LSI-së për mandatet qeverisëse. Ofertë që LSI e dha për të zgjidhur situatën dhe për të ofruar konsensus dhe stabilitet. Politikanët kanë përgjegjësi në këtë situatë. Kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve. Nuk jemi duke luajtur shah dhe shqiptarët janë spektatorë. Ka shqiptarë që nuk kanë ushqim, nuk kanë para për të paguar dritat.
Kjo është një papërgjegjshmëri totale e klasës politikë, së cilës ndoshta i ka ardhur koha edhe të ikë. Çdo konflikt i mbajtur hapur është një humbje shpresë për shqiptarët dhe do të jetë një kosto shumë e madhe për politikën. Ky konflikt në të cilën janë futur dy partitë e vjetra, duhet theksuar këtu që LSI ka ofruar gjithnjë dialog dhe konsensus për zgjidhjen e tij, ka sjellë një lloj dëshpërimi ndër qytetarët shqiptarë.
Rama është kryeministri i vendit dhe i dalë nga një Parlament legjitim.
Po përsa i përket mosbindjes civile apo bllokimit të qendrave të votimit dhe pastaj nuk do të kryheshin zgjedhjet?
Kush tha që nuk kryhen zgjedhjet se t'i nuk i ndalon dot njerëzit të votojnë se siç do të dalë ai që ta bllokojë që mos të më lërë mua të votoj, ashtu do luftoj edhe unë që të shkoj të votoj. Çfarë do bëj? Kush është përgjegjësi pastaj në këtë gjë? Pse e përballon Shqipëria t’i rikthehet një 97-te tjetër?
Dhe si mund të shmanget?
Kjo duhet shmangur që gjithë demokratët të cilët nuk e ndjejnë veten të përfshirë, të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e 18 qershorit. Nuk e duan Edi Ramën demokratët për kryeministër? Të votojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Qartë. Ju kuptova, por demokratët kur hynë në çadër ndoshta edhe në mënyrë iluzive, patën idenë se kishin edhe mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ishte një keqkuptim i tyre?
Unë nuk mendoj që është kjo. Sigurisht që LSI-ja ka qëndrimet e veta politike. Kodi zgjedhor të cilën e kanë nënshkruar bashkë dhe e kanë vulosur të dyja partitë e vjetra në prill të 2008-ës ka sjellë këtë rezultat që ne kemi sot dhe sjell edhe këtë lloj paqartësie politike të forcave të ashtuquajtura të mëdha politike. Ajo çka është e rëndësishme dhe që duhet të lëviz dhe të ecë më përpara është pozicionimi i të gjitha forcave politike në funksion të qytetarëve. Unë shikoj që të gjitha partitë politike, klasa politike ku përfshij edhe veten time, jemi edhe bashkëfajtorë në dështimet apo dhe në problematikat që ka krijuar klasa politike, por unë di të them këtë gjë që çadra nuk është thirrja e LSI-së. Çadra ishte për Partinë Demokratike që duhet të mbante një pozicion të saj. Sigurisht që është një nga opozitat më të dobëta që ka pasur në 20 vite të tranzicionit shqiptar. Mbaj mend statusin e Namik Dokles që shkruante se falënderonte dhe ndjente mall dhe respekt për grupin e parlamentarëve të 92-96-ës. Për hir të së vërtetës, ishte një grup i një niveli jashtëzakonisht të lartë intelektual. Tashmë politika ka kthim mbrapa dhe sigurisht kultura politike është hapa prapa në Shqipëri dhe kjo vjen për shkak ndoshta edhe të ligjit që ne kemi bërë për zgjedhjet, ndoshta kjo vjen edhe për shkak të frikës që klasa politike ka nga humbja. Do doja që liderat të mos kishin frikë nga ndryshimet. Duhet të bëhen pjesë e ndryshimit. Vetëm kështu ecën një vend përpara dhe kam përshtypjen që partia demokratike ka frikë nga ndryshimi. Një ditë do përballet me zgjedhjet qofshin këto me 18 qershor.
Ju e konsideroni të mbyllur datën e zgjedhjeve? Nuk ka më hapësirë negocimi ? Janë duke u zhvilluar tani?
Negocimet vazhdojnë deri në sekondat e fundit. Nuk e kam idenë sepse negociatat përditë janë të fshehta dhe s’kemi prodhuar diçka tamam. Gjërat janë të hapura dhe transparente. Sa herë bëhen të fshehta, futen intrigat politike, ballkanike. Gjithmonë kemi prodhuar politika shterpë që kanë prodhuar krizë, destabilitet dhe intolerancë.
Meta propozoi një qeveri besimi. Ishte e koordinuar me eurodeputetët ajo që propozoi Meta apo çfarë?
Unë di të them që Meta në propozimin e tij që pati që bëri për qeverinë e besimit ka pasur konsultimet e tij me faktorë të rëndësishëm politik, jo vetëm të SHBA-ve por edhe në Evropë që arriti të bënte një propozim të tillë. Kjo vjen edhe si rezultat i komunikimit të tij të shpeshta me ta. Por di të them që kjo ka të bëjë me qëndrimin e vetë z. Meta për stabilitetin politik. Ai në të gjithë karrierën e tij politike në thelb të politikës së vet ka pasur stabilitetin. Edhe në shkurt të vitit 2002 Meta për të krijuar një lloj stabiliteti politik dha dorëheqjen dhe iku edhe pse ishte Kryeministër i cili kishte fituar zgjedhjet dhe kishte mbi 80 mandate. Mund ta kishte çuar vendin në zgjedhje por u tërhoq për hir të këtij stabiliteti që është baza e politikës së tij. Stabiliteti e zhvillon vendin dhe e destabiliteti e kthen atë mbrapsht. Vetëm në 3 muajt e fundit janë mbyllur në Tiranë 1800 biznese. Pra destabiliteti sjell mungesë zhvillimi, dëmtim të klimës së biznesit, mungesë të investimeve dhe e gjitha kjo bie në kurriz të qytetarëve.
Do të hyni në zgjedhje si parti qeverisëse apo opozitare?
Për mua kjo nuk ka rëndësi. Partitë hyjnë në zgjedhje për një marrëveshje me qytetarët. Ne po hartojmë programin tonë elektoral i cili shumë shpejt do bëhet prezent. Është një program shumë i mirë që bazohet në shtyllat kryesore të ekonomisë, bujqësisë, arsimit dhe turizmit. Ky program do të jetë prezantimi që do të kemi me qytetarët. Le të mos harrojmë dhe një gjë tjetër, që është shumë e thjeshtë dhe shumë domethënëse marrëdhënia jonë e drejtpërdrejtë me njerëzit. Për mua, çdo komunikim virtual nuk është se të sjell diçka të re. Komunikimi virtual thjesht mbetet virtual, vetëm imazh. Por është shumë i rëndësishëm komunikimi i drejtpërdrejtë me njerëzit.
A do të keni koalicion paszgjedhor?
Le të mbarojmë procesin zgjedhor, të shikojmë se ku jemi dhe të ulemi pastaj në diskutime. Përgjegjësia jonë është kryesore për të krijuar një lloj stabiliteti, jo vetëm shpirtëror por edhe ekonomik dhe politik në vend. Nuk do doja të shihnim Shqipërinë siç pamë Maqedoninë përpara disa ditësh.
Le të bëjmë edhe një bilanc të shkurtër të këtij mandati 4-vjeçar qeverisës. Ju si e konsideroni? Cilat janë disa nga gjërat pozitive që ka bërë kjo qeveri?
Sigurisht që e shkoj pozitiv por edhe me gabimet e veta. Në fakt, ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me infrastrukturën, që sigurisht ka anën e mirë dhe anën e keqe të sajën, sepse ne kemi bërë sheshet dhe rrugët urbane nëpër qytete, por ndoshta do të ishte më mirë të kishim bërë edhe rrugët nëpër komuna dhe fshatra, të cilat të ishin në funksion dhe shërbim të fermerëve. Po ashtu edhe bujqësia, ku do të përmendja pastrimin e kanaleve kulluese, ku në Lezhë për shembull, në 20 vjet nuk ishin pastruar asnjëherë, ato u pastruan. Ndërkohë, të njëjtën gjë po shikoj edhe në Elbasan, ku konstatohet një rritje e zhvillimit dhe prodhimit të produkteve bujqësore. Këtu dua të shtoj se nevojiten më shumë grante dhe subvencione për fermerët. Mund të përmend edhe Reformën Territoriale, që është një gjë shumë e mirë, e cila nga ana tjetër i ka vendosur kryetarët e bashkive në pozicione shumë të vështira, sepse është zgjeruar jashtëzakonisht shumë territori i mirëmbajtjes së bashkive, por kapacitetet njerëzore dhe kapaciteti financiar është shumë i vogël për ta përballuar këtë situatë. Po ashtu mund të themi që lë për të dëshiruar Reforma në Arsim, Ligji për Arsimin e Lartë, që sigurisht ka një pjesë shumë të mirën të sajin. Reforma në Drejtësi po ashtu që është tejet e rëndësishme, një reformë të cilën shqiptarët mezi po e prisnin dhe shpresoj që të realizohet sa më shpejt, duke mos e përdorur atë si një sebep për t’u larguar dhe jo për t’u ulur në tryezë për ta bërë atë sa më shpejt.
Kur e morët vesh se Ilir Meta do ishte Kryetar i Shtetit?
E mora vesh ditën që firmosa. Mos e dini Ilir Metën kaq të sinqertë me gruan.
A ishit dakord?
Mendoj që Shqipëria ka nevojë për një President që të sjellë diçka ndryshe. Kam një respekt të jashtëzakonshëm për z. Bujar Nishani dhe për të gjithë presidentët e mëparshëm.
Sa e dëmton LSI-në fakti që sa fillon fushata elektorale, Ilir Meta zgjidhet President?
Aspak. LSI është një parti shumë atraktive, shumë energjike. LSI ka nevojë për t’u çliruar nga litarët e saj, sepse dashje pa dashje, Ilir Meta është një lider i fortë, i cili e ka ndërtuar LSI-në. Ka krijuar një LSI që sot është konkurrente për të qenë forcë e parë dhe mendoj që shpërthimi i LSI-së do të vijë tani që u largua Ilir Meta, pra duke qenë si një vëzhgues në pozicionin e Presidentit. Si një vëzhgues i një force politike të cilën e ka themeluar vetë, por që ka nevojë të ecë tashmë me këmbët e saj. Është e konsoliduar tashmë, ka struktura organizative të jashtëzakonshme, ka një pjekuri politike të mrekullueshme, edhe për shkak të moshës, e cila është relativisht e re.
Ka shumë elementë që e kanë lexuar zgjedhjen e Ilir Metës President heqjen e një pengese që kishte Kryeministri Rama në ushtrimin e pushtetit...
Unë do ta shikoja si një mundësi shumë të madhe që i jepet LSI-së. Vendosja e Metës si President do t’i japë strukturave të LSI-së një forcë dhe një energji shumë më të madhe. Do të jetë një forcë politike shumë agresive për të marrë votën, për t’u përballur, për të ngritur zërin e saj.
Le të flasim pak për krahun tjetër të spektrit politik. Mes Bashës dhe Berishës, me kë ndiheni ju si LSI më komod?
Nëse do të flasim si politikanë, politikisht unë ndihem mirë me Petrit Vasilin, me Klajda Gjoshën, me Floida Kërpaçin, me Kejdi Mehmetajn, me Endrit Braimllarin. Pse? Sepse është familja ime. Gjithë vitet e jetës sime unë i kam investuar në këtë grup njerëzish. Ndërkohë, përsa i përket lidhjeve miqësore dhe shoqërore, unë ndihem mirë me të gjithë.
Cila nga marrëveshjet e qeverisjes ka funksionuar më mirë nga pikëpamja kontraktuale?
Në të dyja rastet, LSI ka qenë luajale në marrëveshjet e saj. I ka qëndruar korrekte deri në fund, qoftë marrëveshjes me Partinë Demokratike, qoftë edhe asaj me Partinë Socialiste.
Ti do konkurrosh për postin e kryetarit kur të bëhet një anëtar një votë?
Pozicionimi i kryetarit është pak shumë për mua sepse secili nga ne është kryetar në vetvete dhe partia është për ta bërë Shqipërinë më të bukur.
Do ju duhet të negocioni me Edi Ramën?
Po varet kë do vendosi partia, kë do vendosi Vasili. Meta merrte Vasilin me vete por mund të vendosi të marri dhe Luan Ramën apo Klajda Gjoshën apo dikë tjetër.
Gjatë 4 viteve që lamë pas cili ka qenë momenti më i vështirë politik?
Ka sa të duash. Njerëzit na mendojnë sikur e kemi fushë me lule por ka momente sa të duash. P.sh një miku që është i sëmurë me kancer dhe i duhet pasaportë për të ikur jashtë shteti për kurim dhe duhet të hysh mik për ti bërë pasaportën. Apo të hysh në lagje të varfra nuk sigurojnë as bukën e gojës. Nganjëherë vjen momenti kur i thua vetes pse duhet ti hyja kësaj. Këto janë momente që thua pse duhet ta bëj këtë gjë.
Në 2004 u shkëputët nga PS, e mban mend rrethanat?
Unë mbaj mend arrogancën e pamatshme që kishte lideri i asaj kohe, një arrogancë që e mori në qafë PS-në në 2005.
Çfarë i sugjerove Metës?
Unë asgjë vetëm i shkova pas. Ishte dhe vendim i një grupi njerëzish që donin të ndryshonin.
Ti ke qenë pjesë e forumeve dhe tani i shikon këto forumet rinore?
Do më quhet konflikt interesi sepse LRI është shumë rinor, shumë hitech sesa FRESH i asaj kohe sepse kohët kanë qenë të ndryshme.
Ke hyrë pak para Metës në politikë?
5 minuta, si ato binjakët...
Ke qenë shumë më impulsive, duke qenë bashkëshortja e Metës e keni menduar si një këmishë force?
S'mund të them këmishë force, edhe më ka pëlqyer edhe smë ka pëlqyer. Ndoshta kam dashur të jap edhe deklarata më të forta, psh ligji arsimit të lartë dhe Ilir Metaj ka qenë personi që na ka trysnuar jo në kuptimin mbylleni gojën se ju hoqa qafe por me një kuptim të qetë. Iliri ka ndikuar si për mirë dhe për keq. P.sh në disa marrëdhënie me njerëzit dhe Meta ka thënë ta shohim dhe pastaj kur është verifikuar nga Meta ka qenë vonë dhe marrëdhëniet janë zgjidhur më herët. P.sh kur kemi denoncuar ndonjë fenomen ka dalë që kemi pasur të drejtë ne baza e partisë dhe po të kishte reflektuar më herë do zgjidhej më herët.
Parashikoni që PS-LSI të bashkohen?
Janë dy forca të ndryshme me njëra-tjetrën sepse njerëzit që janë në partitë janë të ndryshëm.
Redaksia Online
b.b-l.q/Shqiptarja.com