'Një nga problemet më të mëdha është boshatisja dhe shpopullimi i fshatrave dhe sidomos qyteteve që janë në kufi'. Kështu ka deklaruar kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e cila zhvilloi një takim me gratë në Maliq ditën e sotme.

Kryemadhi tha se të rinjtë mezi presin që të ikin, sepse nuk kanë një vend pune dhe nuk kanë një mundësi. Po ashtu Kryemadhi tha se një problem tjetër është edhe punësimi dhe krijimi i hapësirave për bujqësinë në këtë zonë është një nga problemet kryesore.

'Unë isha në Pogradec nëpër fshatra, në qytet. Ishim nëpër shtëpi dhe ajo që vëmë re është largimi. Një nga problemet më të mëdha është boshatisja dhe shpopullimi i fshatrave dhe sidomos qyteteve që janë në kufi. Përrenjasi, Pogradeci po ashtu, që të thuash është një qytet turistik, vjen në Korçë e njëjta gjë. Edhe pse shikojmë atë turizmin për momentin, një të shtunë ose të diel, por ja ku jemi sot këtu në Maliq dhe ja si thoni ju, që tërë fëmijët i keni jashtë.

Ndërkohë që pensionet e pensionistëve që janë të vetën nëpër shtëpia janë ku thërret qameti. Ndërkohë vajzat dhe djemtë e rinj mezi presin të ikin, sepse nuk kanë një vend pune, nuk kanë një mundësi. Vështirësitë ekonomike shtohen çdo ditë e më shumë. 

 Është shumë e vështirë për gratë kryefamiljare, sidomos ato që janë me fëmijë të vegjël, për t’i rritur, për t’i mbajtur, për t’i shkolluar e për t’u kujdesur. Sepse babai është një ndihmesë dhe një dorë e fortë për fëmijët që rriten. Por po të ketë një shtet të fortë e social, normalisht e bën edhe më të thjeshtë këtë situatë.

 Megjithatë unë them që nuk është ky problemi, problemi që kemi ne sot të gjithë është çështja e punësimit. Krijimi i hapësirave për bujqësinë në këtë zonë është një nga problemet kryesore”, u shpreh Kryemadhi.