Kryemadhi: Valë protestash
Edi Rama së shpejti i pandehur

Kryemadhi: Valë protestash<br />Edi Rama së shpejti i pandehur<br /><br>
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se shumë shpejt do të jetë i pandehur, teksa u ndal te Reforma në Drejtësi. Kryemadhi iu përgjigj Ramës, i cili gjatë Asamblesë së PS, ditën e shtunë, tha se LSI kishte frikë nga Reforma në Drejtësi, duke thënë se vetë kryeministri është frikacak dhe mendon që edhe të tjerët janë të tillë. 

Kryetarja e LSI i kujtoi Ramës se ajo nuk ka frikë dhe se partia që ajo drejton nuk e njeh nocionin e frikës. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, ajo paralajmëroi se shumë shpejt kreu i qeverisë mund të jetë një i pandehur i sistemit të drejtësisë.

“Rama është frikacak vetë dhe mendon se dhe tjerët janë frikacakë. LSI nuk e njeh nocionin e frikës, aq më shumë unë, dhe ai e di. Drejtësia nuk vendoset nga frika e kryeministrit. Ai mund të jetë shumë shpejt një i pandehur i sistemit të drejtësisë, për vetë mënyrën si ka jetuar e punuar”, tha Kryemadhi. 

A keni prova për ta çuar Ramën si të pandehur?
Sa të duash ka prova, kemi dhe një akt-padi që kemi dërguar në gjykatë, sa i përket zgjedhjeve të 2017, ku Rama në mënyrë flagrante i bëri thirrje policisë të përfshihet në proces. Do ta akuzojmë Ramën për shkelje të Kushtetutës dhe shpërdorim detyre, një akuzë shumë e rëndë kjo.

Jeni penduar për çizmen?
Absolutisht jo, çizmes së drogës e krimit, do t’i përgjigjem gjithmonë me çizme. Nuk pendohem dhe as nuk tërhiqem.

Kur do protestoni?
Diapazoni i protestës është shumë i madh, sepse dhe problemet janë të shumta. Do të bëjmë një organizim të protestës në mënyrë shumë dimensionale. Do të jetë një ndër protestat më të mëdha, nuk kemi vendosur akoma për datën, por që protesta do të vijojë. Do të kemi një lëvizje të mirëorganizuar, e cila do të përfundojë me realizimin e objektivit me sukses. Nuk është çështje çadre, s’ka më çadër. Çizmja është simbol, se po të duash mund ta dhunosh shumë lehtë Edi Ramën. Protestat janë legjitime dhe nuk i ndalon dot njeri. Nëse reagimi do të jetë i dhunshëm, edhe përgjigjja do të jetë e dhunshme. Edhe Jezu Krishti ndonjëherë e kapte kamxhikun në dorë.

Kryemadhi iu shmang një përgjigjeje të drejtpërdrejtë lidhur me ish-deputetin e LSI, Gledion Rehovica, i cili humbi mandatin pak ditë më pari, pasi prekej nga ligji i Dekriminalizimit. Ajo tha shkurt se nuk është prokurore dhe as gjyqtare për të dhënë mendim, duke shtuar se ai tashmë e ka humbur mandatin dhe LSI do të përfaqësohet në Kuvend nga Silva Caka.

"Nuk jam as gjykatëse dhe as prokurore. Rehovica tashmë e ka humbur mandatin dhe ne do të përfaqësohemi me Silva Caka në Parlament", tha ajo. 

Më tej, Kryemadhi bëri një bilanc të vitit që sapo lamë pas, ku tha se 2017 ishte viti i ndryshimeve të deformuara. Teksa foli për aksionin e gjerë opozitar, kryetarja e LSI parlaajmëroi se ky vit që sapo ka nisur do të jetë vit i izolimit të kryeministrit Rama.

"Viti 2017 solli ndryshime të deformuara, ishte viti i zgjedhjeve kriminale, që  kthyen Parlamentin në atë të mandateve të drogës. Ishte viti i drogës, kapjes së shtetit, që çoi në shkatërrimin e reformës në drejtësi. Në ekonominë shqiptare mungojnë në mënyrë drastike investimet e huaja.

Mijëra vende pune më pak, papunësia e rritur në shkallë galoponte. Investimet vendase janë në nivelet më të ulëta. Të ardhurat kanë pasur rënie drastike. Drejtoria e thesarit është mbyllur, duke treguar se nuk ka kryer më asnjë likuidim. Paketa fiskale e re do të sjellë pasiguri, rritje çmimesh për konsumatorët. Pra, buxhetet familjare do të hyjnë në një krizë.

Qeveria është e paaftë për të thithur investimet e huaja, për shkak të korrupsioni epidemik dhe krimit në nivele të larta. Hapja e negociatave dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë dy sfida që nuk mund të realizohen nëse nuk kemi një ekonomi të fortë. Ne do ju japim shqiptarëve shpresën, ndërsa për Ramën do të jetë vit i izolimit", deklaroi Kryemadhi.

Bashkëbisedimi me gazetarët i Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj.Monika Kryemadhi

Përshëndetje. Dua tu uroj dhe njëherë juve gazetarëve të terrenit që jeni dhe njerëzit më të përvuajtur të medias shqiptare, një vit  të mbarë për ju dhe familjet tuaja. Dhe nëpërmjet jush të gjithë shqiptarëve që na dëgjojnë sot. Të kaloni 2018 me krahë të lehta në punën që bëni sepse sipas LSI, 2018 do të jetë një vit shumë i vështirë jo vetëm për politikën shqiptare por mbi të gjitha dhe për ekonominë shqiptare, Viti 201ç që hodhëm pas krahëve ishte një vit që solli ndryshime të deformuara jo vetëm në politikën shqiptare por dhe në jetën ekonomike.

2017 ishte viti i zgjedhjeve kriminale që njollosën politikën shqiptare dhe parlamentin e saj duke e kthyer në parlamentin e mandateve të drogës. Ishte viti i kanabizimit dhe i trafikut të drogës. Ishte viti i kapjes së shtetit dhe kjo për pasojë çoi bllokimin dhe shkatërrimin e Reformës së Drejtësisë. Sjellja kriminale e kupolës se Rilindjes në 2017-ën solli një situatë ekonomike të një mase të lodhur dhe të stërmunduar deprimuese dhe dekurajuese për shqiptarët.

Ekonomia shqiptare është një ekonomi me bazë konsumi ku mungojnë në mënyrë drastike investimet e mëdha të huaja. Korporatat e huaja dhe kjo vjen dhe si rezultat i keqqeverisjes e cila ka shënuar rekorde negative kur për herë të parë përsa i përket në vitin 201ç investimet e huaja kanë qenë zero. Pra do të thotë mijëra vende pune më pak dhe thellimin e papunësisë në shkallë galopante e cila është bërë tashmë në shkaku edhe i shpërnguljes dhe I largimit të shqiptarëve nga Shqipëria. Gjithashtu investimet vendase janë në nivelet më të ulëta në këto 10 vjet ku mungojnë investime në infrastrukturë, në shërbime, pasi dhe të ardhurat tatimore dhe doganore për vitin 201ç kanë pasur një rënie drastike.

Ka një fakt që e provon këtë, është mungesa e likuiditeteve, gjë që për herë të parë në Shqipëri në gjithë këto vite tranzicioni, drejtoria e thesarit është mbyllur që në datën 15 dhjetor gjë që tregon se nuk kreu më asnjë likuidim ndaj shoqërive të cilat kishin kryer shërbime në bazë të kontratave të lidhura po me institucione të tjera. Gjithashtu paketa fiskale e re e miratuar nga mazhoranca e rilindjes  do të sjellë një pasiguri, rritje çmimesh për konsumatorët, pasi mbi ç0 mijë biznese do të hyjnë në skemën e TVSH-së gjë që e cila do të sjellë jo vetëm një rritje të çmimit  të artikujve të shportës por kryesisht do të rris dhe rritjen e shërbimeve të cilat janë biznese në nivele të mbijetesës.

Pra me pak fjalë buxheti familjar do të hyjë në një krizë varfërie kur pak më parë besoj dhe ju jeni informuar, rezultati që sapo doli dhe nga EUROSTAT e rendit Shqipërinë si vendin e fundit për konsumin dhe nivelin e të ardhurave në Europë. Pjesa dërrmuese  e bizneseve shqiptare mbi 90% e tyre kanë nga 1 deri në 4 të punësuar. Kur të cilat janë biznese që mezi sigurojnë mbijetesën e tyre ndërkohë që ekonomia mos të prodhojë më ngritjen e korporatave të mëdha-ja të cilat rrisin të ardhurat por krijon dhe vende të reja pune. Qeveria tashmë është e paaftë për të thithur investimet e huaja për shkak të politikave të saj klienteliste, pasigurisë së të bërit biznes, korrupsionit epidemik dhe nivelit të lartë të krimit dhe të trafiqeve.

Të gjitha të dhënat e publikuara në fakt nga institucionet prestigjioze e bëjnë shumë të qartë se hapja e negociatave për integrimin europian dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë të dyja këto sfida të cilat nuk mund të realizohen nëse ne nuk do të kemi  një familje shqiptare të fortë ekonomikisht. Viti politik 2018 do të jetë një vit i dimensionimit dhe i afirmimit të opozitës si një alternativë bindëse dhe që nxjerr vendin nga kriza dhe do tu japi shqiptarëve shpresën e humbur në këto vite. Ndërsa për kryeministrin e rilindjes do të jetë vit i izolimit të tij politik edhe njerëzor. Faleminderit kjo është si statement dhe unë tashmë jam e gatshme për t’ju përgjigjur të gjitha pyetjeve  tuaja dhe për ta kthyer në formën e një bashkëbisedimi.

Atëherë Znj.Kryemadhi, si e shihni vendimin e KQZ për të hequr mandatin deputetit Rehovica, ndërkohë që ky i fundit ka kërkuar apelin në Kolegj. Në këtë pikë e vini në dyshim kërkesën e prokurorisë apo vendimin në KQZ?
Unë e kam pasur shumë të qartë kam bërë dhe një bashkëbisedim të gjatë edhe me ambasadorin amerikan përsa i përket ligjit të dekriminalizimit. Është një ligj për të cilin të gjithë ne deputetët mbajmë përgjegjësi për plotësimin e formularit, për ligjin e dekriminalizimit, për vendimin në parlament. Pra gjëra të cilat vendosen mbi njëra tjetrën.

Pavarësisht nga kjo tashmë z.Rehovica ka marrë vendimin e tij i cili do ti drejtohet gjykatës, gjë që ka të bëjë me pastrimin e figurës së tij nëse është e vërtetë apo jo ajo për të cilën ai akuzohet. Akuza është pse ka gënjyer pra në formular, pse nuk ka shkruar që është ndaluar njëherë nga policia. Unë nuk dua të bëj as rolin e prokurorit, as rolin e gjykatësit. 

Ne jemi të hapur të vazhdojmë në rrugën tonë përsa i përket proceseve që kanë të bëjnë me rikthimin e Shqipërisë në normalitet dhe stabilitet. Sigurisht që në beteja të tilla do të ketë vendime nga më të ndryshmet për të cilët disa janë dakord, disa jo. Kjo është dhe demokracia, unë mendoj që është e kotë të vazhdojmë ta diskutojmë më këtë proces, ai tashmë mandatin e deputetit e ka humbur. Në parlament do të përfaqësohemi me znj. Silva Caka, e cila dhe ajo ka qenë një ish-deputete dhe jam e bindur që do të jetë po si z.Rehovica, shumë dinjitoze dhe do ta zëvendësojë të qenurin e saj deputete.

Në Asamblenë e PS, kryeministri Rama e rreshtoi LSI, në krahun e atyre që nuk e duan Reformën në Drejtësi dhe që janë të trembur prej saj. Nga se trembet LSI Për reformën në drejtësi znj. Kryemadhi? Nëse është ashtu siç thotë Rama?
Rama duke qenë se është frikacak vet, mendon se dhe të tjerët janë si ai dhe në lidhje me LSI, ai e di shumë mirë që LSI nuk e njeh nocionin e frikës, aq më shumë unë kështu që nuk ka të bëjë fare me frikën. Dua të them që drejtësia nuk vendoset  nga frika e kryeministrit por  e vendosin institucionet. Ai nuk është as prokurori dhe as gjykatësi i sistemit të drejtësisë. Ai mund të jetë shumë shpejt një I pandehur i sistemit të drejtësisë për vetë jetën, për vetë shkakun, mënyrën që ai ka jetuar dhe sesi ka punuar dhe sesi ka vepruar. Ka pafundësisht gjëra për të cilat ai ka frikë. Ndërsa në anën tjetër dua të them diçka që ka të bëjë me reformën. 

Apo me të ashtuquajturin koalicionin e famshëm, ne në fakt këto ditë, që mbas fjalës së tij në asamble kemi bërë research janë mbi 20 fjalime të z.Rama, deklarata publike, pas bashkëbisedimit ne mund tua japim të evidentuara që deri më datën 1 Qershor z.Rama i bënte thirrje për bashkëpunim dhe për koalicion LSI. Kështu që shquhet për manipulim. Shquhet edhe për mashtrim të opinionit publik. Nuk më shqetëson fare pavarësisht nga fjalimi i asamblesë së tij i  cili tregonte frikë dhe panik. Nuk mund të ndryshojë asgjë nga ajo çka shkruar për 2018 në fatin e tij politik.

Znj. Kryemadhi meqë jemi te asambleja Z. Rama bëri një deklaratë, për hapjen e negociatave në qershor ku citoi që ju jeni pengesë për çeljen e negociatave, ndërkohë ish-kryetari i LSI, tashmë President, bashkëshorti juaj  dy ditë më parë në një intervistë u shpreh që duhet një konsensus mes opozitës dhe qeverisë. A ja vlen LSI, e krijuar nga Ilir Meta, sot president të jetë një forcë politike e cila po pengon çeljen e negociatave dhe duke bërë një paralelizëm, ju ishit partia të cilët I dha reformën drejtësisë. Kështu që ja vlen LSI që të bëjë një opozitë kaq të ashpër konfiktuale ndërkohë që dhe presidenti ju ka ftuar që të uleni dhe të filloni bisedimet.

Unë mund të them diçka që z. Meta është President I Republikës së Shqipërisë, nuk është më kryetar i LSI. Që të jem e qartë por është e krijuar nga ai por dhe nga qindra mijëra burra dhe gra të tjerë, të cilët besuan në alternativën që paraqiti z. Meta. Por kjo nuk do të thotë që dhe LSI, duhet të sillet si Presidenti i Republikës, pavarësisht se ai është themeluesi i saj.

Përsa i përket çështjes së negociatave ne jemi shumë të qartë, dhe kemi qenë të kthjellët, biles ndoshta duhet të rikujtoj mediat që edhe në 2013, tre ligjet që kishin të bënin me integrimin europian të cilët i bllokoi PS prej disa vitesh, ishte LSI ajo që ndërhyri që të bëhej një seancë parlamentarë e jashtëzakonshme edhe pse ishim në fushatë zgjedhore, për të miratuar 3 ligjet e mundshme.

Po kështu ishte po prapë LSI, që miratuan me konsensus të plotë me 140 vota reformën në drejtësi. Përsa I përket negociatave. Unë jam shumë e qartë dhe dua t’ju rikujtoj, para një muaji z.Rama nga Brukseli kërcënoi hapur jo vetëm bashkimin europian por edhe SHBA kur tha: Nëse ju nuk do të doni dhe do të bëni siç duam ne kemi opsione të tjera kështu që kjo është shumë e qartë.

Ka një problem e thashë dhe më përpara. Dimensionimi i ri i opozitës me alternativë të qartë, do të nxjerri shumë gjëra të qarta për mediat por do të bëjë dhe shumë programe dhe ngjarje transparente për shqiptarët, për opinionin publik por edhe për ndërkombëtarët, të cilët prej një kohe relativisht të gjatë, kanë qenë jashtëzakonisht të manipuluar dhe të intimiduar nga struktura të qeverisë shqiptare “të ashtuquajtura”. Të cilat pak nga pak do të dalin në dritë me kalimin e kohës.

Ju si Kryetare e LSI-së,si i përgjigjeni thirrjes së Presidentit të Shqipërisë për konsensus?
Ne kemi katër muaj që I thërrasim z.Rama për  konsensus për prokurorin e përgjithshëm ta kalojmë me 84 vota sipas Kushtetutës për ta respektuar. Ai nuk duroi por e vodhi prokuroren e përgjithshme. Kujton se duke vjedhur një prokuror do të mbulojë frikën e tij. Ky është problemi d.m.th nuk është se presidenti po bën një thirrje për të cilën opozita nuk e ka shfaqur. 

Opozita ka disa muaj që i bën thirrje Rilindjes apo mazhorancës së mandatave të drogës për tu ulur dhe për të biseduar dhe për të zgjidhur jo vetëm çështjen e prokurorit të përgjithshëm por për të ngritur dhe të gjitha institucionet e tjera të cilat janë institucione që janë të domosdoshme, dhe krijojnë jo vetëm një stabilitet por mbi të gjitha fusin edhe në bazë institucionet shtetërore.

Ajo ça dua të them është që tashmë parlamenti me zgjedhjen e prokurores së përkohshme që unë do ju kërkoja ju të ma gjeni se ku është e shkruar në cilin ligj apo cilën Kushtetutë, termi Prokuror i Përkohshëm. Nuk ekziston, pra që këtu është bërë qesharake dhe kemi një parlament i cili ka dalë nga shinat e kushtetutshmërisë dhe të legjitimitetit.

Znj. Kryemadhi a keni ju prova që mund ta çojnë kryeministrin si të pandehur përsa ju thatë më parë, për ato çfarë ai mund të ketë bërë?
Sa të duash ka prova por një nga këto ne kemi një akt padi që kemi dorëzuar në prokurori, përsa i përket zgjedhjeve të 201ç, ku në mënyrë flagrante hapur publike z.Rama i bëri thirrje policisë së shtetit për të përfshirë në proces zgjedhor, në rrëmbimin e votave ndaj LSI, për PS në këmbim të vendit të punës apo të kapelës së policit dhe deri më sot nuk është bërë absolutisht asgjë me dijenitë tona, megjithatë ne do ta ridërgojmë edhe njëherë akt padinë tonë kundër kryeministrit të Rilindjes për shkelje të Kushtetutës. Dhe shkelja e Kushtetutës dhe shpërdorimi i detyrës është një nga aktet më të rënda.

Znj. Kryemadhi jemi në Janar, është muaji kur opozita ka paralajmëruar zhvillimin e protestës të radhës. Ju dje zhvilluat një takim me liderin e PD, z.Lulzim Basha dhe u përfol në media që keni bërë një plan. Mund ta dimë kur do jetë data e protestës dhe cili do jetë le të themi motivi dhe si do ndërtohet kjo protestë?
Takimi i djeshëm me z.Basha finalizoi dhe kornizoi një bashkëpunim të mëtejshëm të LSI në të ardhmen. Fronti opozitar tashmë do të marrë një dimension të ri politik, I cili do të konkretizohet me një bashkëpunim politik me marrëveshje të qarta politike me PD dhe do të ndërtojmë bashkërisht një platformë të qartë politike përsa i përket të ardhmes. 

Kjo përfshin protestat dhe të gjitha axhendën tonë politike në të ardhmen. Përsa i përket protestës jemi në diskutim dhe në ngritjen e një axhende të përbashkët sepse nuk bëhet fjalë për një protestë tashmë por për një vazhdë protestash e cila nuk ka të bëjë as me hapjen e parlamentit dhe as me mbylljen e parlamentit por ka të bëjë me problematikat të cilat përfshijnë dhe kapin shqiptarët duke filluar që nga varfëria, arsimi, shëndetësia, korrupsioni, infrastrukturat, mënyra sesi po menaxhohet një shtet i tillë sepse po çon drejt varfërisë familjen shqiptare e cila nuk prodhon gjë tjetër vetëm se varfëria dhe injoranca prodhon nënshtrim. I cili I intereson sa më shumë Edi Ramës.

Ajo çka dua të them, rritja e çmimeve është një nga problemet më të mëdha dhe sot unë kam një kupon tatimor këtu, të një litri naftë në Shqipëri kushton 1750 lekë të vjetra, pra 175 lekë, ju e dini shumë mirë dhe Shqipëria është vend I cili ka prodhim hidrokarburesh, ku ndërkohë kam marrë një kupon me çmimin e naftës në Maqedoni, i cili është një vend që ka një GPD të njëjtë me Shqipërinë.

Pra GDP e Shqipërisë është 13.8, Maqedonia e ka 12.8, ka 1 milion banorë më pak, por nafta në Maqedoni bashkë me taksën e karbonit kushton 1225 lekë të vjetra. 58 dinarë, të cilën po ta këmbesh është 1225 lekë. Pra ne, një litër naftë e shesim 525 lekë më shtrenjtë se në Maqedoni. Pra një vend shumë më i vogël, një vend me 1 milion banorë më pak se Shqipëria, një vend pa resurse turistike që ka Shqipëria dhe një vend I cili ka 800 mijë fuqi punëtore, ndërsa ne kemi 1 milion e 800 mijë fuqi punëtore.

Dhe të mendosh që ky vend më I vogël ka edhe të ardhura më të larta, borxhin e jashtëm e ka 26%, ne e kemi 71%. Pra fatkeqësia ekonomike e cila po rrëmben sot këtë vend është një fatkeqësi e cila nuk ka të bëjë më me politikën, por ka të bëjë me mbijetesën e çdo shqiptari dhe të çdo familje shqiptare. Mendoj që politika duhet të iki, dhe kjo është dhe një nga arsyet që opozita shqiptare do të ridimensionet komplet ndryshe. Do të ikim nga ambiciet tona politike, por do të dalim tashmë në ambiciet e mbijetesës së një shteti dhe të një vendi. Edi Rama nuk është më çështje politike, Edi Rama tashmë është çështje kombëtare. Për të shpëtuar të ardhmen e këtij vendi ka vetëm një rrugë, largimi i Edi Ramës.

Znj. Kryemadhi, duke vazhduar në linjën e aksionit opozitar e keni diskutuar me kryedemokratin Basha mundësinë e bojkotit të parlamentit? Së dyti, dua të ndalem te fjala e kryeministrit në Asamblenë e PS-së, i cili duke ju referuar bashkëpunimit 4 vjeçar me LSI-në, sulmoi qeverisjen e LSI dhe kryesisht në burgje. Duke ju referuar faktit që ish-drejtues të burgjeve të LSI-së janë ende nën një proces gjyqësor. A pranoni që keni qeverisur keq, të paktën te burgjet?
Nuk dua të hyj në komente, të gjithë ata drejtorë institucionesh të cilët janë në proces gjyqësor duhet të mbarojnë proceset e tyre gjyqësore. Thashë nuk jam as prokurore, as gjyqtare. Nuk bëj unë gjykimin e tyre. Gjykimin për LSI-në nëse ka qeverisur mirë apo keq e japin shqiptarët me votën e tyre. Të mos harrojmë dhe ju jeni vetë dëshmitarë të fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, se si LSI jo vetëm ishte e vetme, por edhe e sulmuar në të gjitha drejtimet. 

Ishte e vetmja parti politike e cila pati rritje elektorale të saj në rezultat. Mua si Monikë nuk më komplekson. Ne si LSI, e kam thënë dhe më përpara, nëqoftëse ne kemi përgjegjësitë tona politike, ne I marrim. Nuk kemi frikë të marrim përgjegjësitë tona. Aty ku kemi drejtuar gabim, mund të themi që kemi drejtuar gabim. Kemi pasur dhe ne problemet tona dhe nuk diskutohet, por kjo nuk mund të mbulojë dot kanabizimin e Shqipërisë.

Kjo nuk mund të mbulojë dot trafikun e drogërave të rënda në Shqipëri. Nuk mund të mbulojë dot eksportimin e terrorizmit apo të armëve që bëhen nga Shqipëria në drejtim të perëndimit. Kjo nuk mund të mbulojë dot çedimin politik dhe strategjik të Shqipërisë në politikën e jashtme, dhe kjo nuk mund të mbulojë dot dhe nuk mund të largojë vëmendjen për votimin kundra Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB. Të gjitha këto janë qëndrime të cilat z.Rama po kërkon të mbulojë nëpërmjet drejtorëve apo policëve të burgjeve.

Se mund të flasim për policët e burgjeve, të cilët ok në rregull po përballen me sistemin e drejtësisë, po këta Drejtorët e Policisë që kanabizuan Shqipërinë ku janë sot? Të flasi njëherë për ata ai, pastaj të merret me drejtorët e burgjeve, të cilët mbanin rradhën për të hyrë në punë te Nëndrejtori I tij, që ku e ka sot.  

Sa i takon bojkotit, jemi në diskutim. E rëndësishme është që ne tashmë bashkëpunimin nga një front opozitar kundër krimit dhe drogës do të kthehet në një front bashkëpunimi politik gjë që është shumë e rëndësishme dhe do të vazhdojnë etapat e tjera hap pas hapi, sepse nesër do të kemi takime të tjera e kështu me radhë. Do të lëvizim drejt një axhende, as një javore, as axhendë mujore, por do të jetë një axhendë afatgjatë me objektiv të qartë rrëzimin e Edi Ramës.

Znj.Kryemadhi në seancën e fundit plenare të 2017-ës ju patët atë reagim që patët ndaj kryeministrit Rama, duke e qëlluar me çizme. Nëse do ti riktheheshit do ta bënit sërish të njëjtin xhest apo jeni penduar?
Absolutisht jo. Unë do të them që çizmes së drogës dhe të krimit do ti përgjigjem gjithmonë me çizmen e protestës dhe shqiptarët e kanë treguar që çizmja e protestës është shumë e rrezikshme prandaj as nuk pendohem dhe as nuk tërhiqem nga ky veprim.

Znj.Kryemadhi meqënëse jemi te çizmja e protestës, ju lutem a mund të na thoni kur është data e protestës së ardhshme, cila do të jetë forma e saj, kundër kujt do protestoni, në parlament, në kryeministri? Si e keni menduar?
Diapazoni i protestës është shumë i madh, sepse edhe ju vetë po t’ju pyesësh çfarë problemesh keni nuk dini ku ta filloni. Ta fillosh te shëndetësia, ta fillosh te arsimi, ta fillosh te infrastruktura, ta fillosh te papunësia, ta fillosh te rrogat e ulëta, ta fillosh te mungesa e energjisë elektrike, te çmimet e larta, ta fillosh te mungesa e hapjes së një biznesi, ta fillosh te korrupsioni, ta fillosh te radhët e gjata dhe te shpresa për të zgjidhur një problem. Pra diapazoni i protestës është shumë I madh. Tashmë ne do të bëjmë një organizim të protestës në mënyrë shumë dimensionale. 

Nuk ka të bëjë më thjesht përsa i përket thjesht individit të një procesi apo një votimi Brenda parlamentit. Protesta ka të bëjë tashmë me mbijetesën e familjes shqiptare, familja është elementi bazë I themelit të  një shteti dhe themelit të një kombi. Nëse ne do të shkojmë drejt shkatërrimit të familjes shqiptare do të jetë e pamundur mbijetesa e kombit shqiptar. Është një komb i cili ka mbijetuar me qindra mijëra vjet. Nuk mund të vijë një piktor dhe të shkatërrojë një histori kaq të vjetër. Përsa i përket çështjes së opozitës dhe datës dhe organizimit, të jeni të bindur që do të jetë një nga protestat më të mëdha. Nuk do të jetë një protestë që do të fillojë dhe do të mbarojë. Akoma nuk e kemi vendosur për datën, sepse sot po lexoja nëpër gazeta, jo data 15 apo ndonjë datë tjetër.

Nuk kemi vendosur akoma për datën. Do të vendosim në parametra, të cilat ajo datë që do të jetë do të jetë fillimi I një lëvizje të mirëorganizuar opozitare, e cila ka një finale. Dhe ajo finale do të ketë realizimin e objektivit të saj me sukses. Nuk është çështje çadre, nuk ka më çadër. Çadra nuk mund ta na mbulojë, nuk mund të na trembi as shiu, as bora dhe as dielli. Ajo çka dua të them është se protestat janë legjitime dhe nuk i ndalon dot njeri. Nëse reagimi do të jetë i dhunshëm, sigurisht edhe përgjigja do të jetë e dhunshme. Asnjëherë nuk mund të pretendosh, e thotë edhe Jezu Krishti, të qëllojnë në një faqe kthe faqen tjetër, por jo gjithmonë, sepse edhe Jezu Krishti e kapi kamzhikun në dorë.

Znj.Kryemadhi do të jeni në parlament në 15 janar?
Për hir të së vërtetës unë jam e përjashtuar.

Po grupi parlamentar i LSI-së?
Akoma nuk e kemi marrë këtë vendim, sepse ende nuk e kemi bërë mbledhjen e grupit. Do të bëjmë shumë shpejt mbledhjen e grupit të LSI-së, në të cilën do të rakordohemi bashkarisht edhe me Partinë Demokratike. Do të kemi etapa të tjera sepse në ditët në vazhdim do të ketë aktivitete po ashtu edhe PD-ja, po ashtu ne. Do të kemi takime me aleatë, takime me qytetarë, takime me faktorë të ndryshëm politik dhe jopolitik. Tashmë me z.Basha është krijuar një shtyllë ose një skeletë e axhendës opozitare për 2018-ën, të cilën do ti qëndrojnë me përpikmëri të gjithë palët.

Znj.Kryemadhi cili do të jetë objektivi kryesor i protestës, pra kur mund të mbyllet? Nëse çadra kërkonte qeveri teknike, kjo protestë çfarë do të kërkojë?
Më shumë vende pune për shqiptarët, dhe jetë të garantuar, shëndetësi të garantuar, shkollë të garantuar, punë të garantuar dhe mbi të gjitha siguri dhe familje të qetë për shqiptarët.

Cila është marrëdhënia e LSI, raporti i LSI me ndërkombëtarët, pasi kemi parë shpesh që ka pasur pakënaqësi ose dhe deklarata?
Ne do t’ja u bëjmë shumë të qartë ndërkombëtarëve që shumë shpejt LSI, po flas për LSI-në, sepse PD do të mbajë statement-in e saj. Do tu kërkojmë hapjen e negociatave të menjëhershme për Shqipërinë me Bashkimin Europian. Politikën e brendshme le tia lejë klasës politike.

Komuniteti ndërkombëtar të mbajë fjalën. Sepse kur parlamenti shqiptar votoi me 140 vota, me konsensus të plotë Reformën në Drejtësi, iu premtua dhe ju jeni vetë dëshmitarë, po të hapim arkivat të gjithë së bashku, një nga kushtet dhe nga kërcënimet që i bëhej politikës shqiptare në atë kohë ishte se hapja e negociatave do të vinte vetëm nëse kalohej Reforma në Drejtësi.

Ne reformën e votuam, ligjet i votuam, edhe pse me gabime, edhe pse janë me probleme. Por Bashkimi Europian dhe komuniteti ndërkombëtar tashmë duhet të mbajnë fjalën, me shqiptarët, jo me klasën politike. Klasës politike, luftën politike, betejën politike, politikën shqiptare tja u lënë shqiptarëve. Të mos marrin pjesë shumë në punët e brendshme të politikës, se ne dijmë ti zgjidhim vetë, me çizme apo pa çizme.

Gjatë këtyre 25 vjetëve A keni ju ndonjë merak nga përdorimi apo keqpërdorimi i këtij pushteti personal, a do të jenë votat tuaja për zhbllokimin e SPAK-ut?
Në radhë të parë dua tju them se nuk kam asnjë merak për shpërdorimin e pushtetit tim personal. Nuk kam pasur asnjëherë në jetën time shansin apo mundësinë të firmos apo të drejtojë.

Po bashkëshorti juaj?
Edhe bashkëshorti im për hir të së vërtetës, kur ka qenë dhe kryeministër apo ministër nuk ka firma, se po të kishte firma,  mos u bëni merak, ja kishin luajtur telat. Kështu që të jeni të qetë dhe është shumë e qartë, po për këtë drejtojuni dhe pyeteni atë përsa i përket merakut të firmave të tij. Ndërsa përsa i përket çështjes së SPAK-ut dua të them se Këshilli i Lartë i Prokurorisë, se SPAK-u vjen pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë është një insititucion i cili është penguar qëllimisht nga Partia Socialiste, e cila kontrollon në mënyrë permanente shoqërinë civile. Unë e kam bërë të qartë për një televizion, po e bëj sërish të qartë. Shoqëria civile në Shqipëri, besoj ju e dini, ka një bord. 

Dhe ky bord drejtohet nga Valdete Sala, e cila menaxhon të gjithë fondin qeveritar, me miliona euro, që u shpërndahet NGO-ve apo shoqatave joqeveritare dhe jofitimprurëse, në mënyrë të tillë për të bërë aktivitete më të ndryshme, gjë të cilën ju e njihni më mirë se unë në këtë drejtim. Ky bord, dhe ne e dimë shumë mirë lidhjen e z.Rama me familjen e znj. Valdete Sala apo dhe të bashkëshortes së tij me të, kështu që për 8 muaj Këshilli i Lartë i Prokurorisë u bllokua nga shoqëria civile. Edhe pse u bllokua nga shoqëria civile, ju dje besoj e keni dëgjuar avokatin Altin Goxhaj, i cili sot besoj do të ketë bërë padi dhe në prokurori, që të 4 kandidatët të cilët janë paraqitur në KLP janë kandidatë të cilët kanë probleme në mënyrën dhe në prezantimin e formularëve të tyre.

Një person, i cili nuk kishte 5 vjet, më duket  për shkak të dy-tre muajve, nuk e di, nuk jam e qartë dhe nuk mund ta marrë përsipër këtë gjë, i cili kishte mbaruar shkollën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra ishte diplomuar atje, nuk u kalua sepse nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me tarafin apo me familjen, apo me avokatët e z.Rama. U eleminua kandidatura e tij dhe u mbajt zvarrë 8  muaj nga shoqëria civile Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Dhe vetëm në momentin që e morën vesh të gjithë shqiptarët, që KLP ishte e bllokuar nga shoqëria civile, atëherë sollën 4 elementë të tillë të cilët sollën dhe si rrjedhojë apo si pasojë në falsifikim dokumentacionesh.  Më thoni ku ka ndaluar, ose ku ka penguar LSI-ja Këshillin e Lartë të Prokurorisë apo SPAK-un kur çdo votim që është bërë, edhe pse ka qenë kundër dëshirës së LSI-së sepse ligji për prokurorin e përgjithshëm apo ligji për gjykatat apo ligji për Vettingun dhe shumë ligje të tjera kanë probleme shumë të mëdha.

Ne sot flasim, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe KLGJ-ja sot ka dy nene të shfuqizuara për shkak të afateve. Dhe sot ti që të hysh dhe të miratosh këto dy nene duhet të hysh dhe ti miratosh me 94 vota. Le ti bëjë prape EURALIUS rekomandime Ulsi Manjës dhe ti kalojë me 36 vota siç i kaloi për Prokurorin e Përgjithshëm! Dhe ne ja u kemi ofruar votat e LSI-së, edhe votat e opozitës, edhe z.Basha, edhe unë, kemi qenë të qartë dhe të hapur , hajde të ulemi, të rishikojmë aty ku është e bllokuar reforma. Sepse kështu është kur bën një reformë për ta kapur dhe nuk bën një reformë për tju shërbyer qytetarëve. Të ulemi, ta rishikojmë dhe të jemi njerëz normalë, dhe të jemi vërtet europian siç na takon për të qenë dhe të bëjmë një sistem drejtësie që tu shërbejë qytetarëve, jo tu shërbejë 2-3 vetave. Sepse ne themi Reformë në Drejtësi, por Reforma në Drejtësi vetëm te qytetari nuk do të shkojë. Kjo është një reformë në drejtësi, të cilën do ta përdorin grupe të caktuara kriminale për të ushtruar presione apo shantazhe politike në politikë dhe në biznes.

Znj.Kryemadhi i druheni një përçarje të opozitës, për shkak se një marrëveshje po themi vetëm midis Z.Basha dhe z.Rama, për shkak se z.Rama edhe në Asamblenë e Partisë Socialiste, por edhe në të gjitha thirrjet e fundit publike, gjithmonë ftesën e bën ndaj z.Basha dhe juve nuk ju përmend asnjëhërë?
Unë e njoh shumë mirë z.Rama. Mos u shqetësoni.  Është  njeriu që kur bën marrëveshje është i jashtëzakonshëm për ti bërë marrëveshjet dhe i prish pastaj të gjitha marrëveshjet. Nuk mban dot marrëveshje. Z.Rama nuk bën dot marrëveshje as me familjen e tij. Z.Rama është i gatshëm që për të qëndruar në karriken e tij të bëj çdo gjë. Unë nuk besoj te marrëveshjet që mund të bëhen për interesa personale. Unë besoj te transparenca e marrëveshjeve dhe besoj te shërbimi që ju bëhet qytetarëve përsa i përket transparencës.

Nëse z.Basha, nëse znj.Kryemadhi, nëse Z.Mediu, nëse z.Duka, z.Vasili apo z.Luan Rama etj mendojnë që një marrëveshje politike është vetëm në interes të një individi, unë po të them se nuk ka për të ekzistuar kurrë, por do të jetë vetëm një marrëveshje politike , e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve për të kthyer, e them edhe njëherë në normalitet jetën ekonomike të shqiptarëve. 

Unë jam e bindur sot, po të shikoni dhe te tregu i Lali Erit në Baldushk të gjelave të detit, po të pyesni fermerët, numri i gjelave të detit të shitur ka qenë shumë më i vogël se sa ka qenë vite më parë. Tani z. Niko Peleshi mund të ngrihet dhe të thotë se kjo vjen për shkak se ka importuar gjela deti nga jashtë, për interes të oligarkëve. Edhe kjo mund të jetë pra, do të thotë që mund të kenë ngrënë shqiptarët gjela deti, por skanë ngrënë gjela deti bio shqiptar, por mund të kenë ngrënë gjela deti firmato.

Mirë nëse nuk kemi gjë tjetër, unë ju falënderoj shumë dhe ju jam shumë mirënjohëse për transparencën dhe mundësinë që na jepni që të jemi prezent në ekranet e televizioneve tuaja, në gazetat tuaja dhe portalet tuaja dhe uroj që bashkëpunimi ynë të jetë edhe i mëtejshëm, edhe më i ngushtë, përsa i përket informimit të qytetarëve me atë çka ndodh vërtet por edhe me atë çka ne aspirojmë. Faleminderit dhe suksese.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja Giusy Ferreri mesazh për fansat para koncertit: E lumtur që kthehem në Tiranë më 29 korrik, ju pres në stadiumin 'Selman Stermasi'

Këngëtarja Giusy Ferreri mesazh për fansat para koncertit: E lumtur që kthehem në Tiranë më 29 korrik, ju pres në stadiumin 'Selman Stermasi'