/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Kandidati i "Aleancës për Shqipërinë Europiane" për Bashkinë e Lezhës,  Viktor Tushaj,  është ndalur në komunën e Balldrenit dhe në fshatin Dragushë të Zadrimës. Tushaj shoqërohej nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deputetët e qarkut si dhe deputeti Spartak Braho.
Në këtë takim, deputetja e zonës, Monika Kryemadhi, vlerësoi kandidaturën e Tushaj dhe kërkoi mbështetjen e banorëve të kësaj zone. "Zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm po behet realitet", tha ndër të tjera deputetja Kryemadhi, teksa kërkoi mbështetjen e banorëve të zones për alternativën më të mirë që do të sjellë jo vetëm zhvillimin e qytetit, por edhe të njësive administrative.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, solli një eksperiencë personale të hasur dy vite më parë në fshatin Balldren, të një djali pak më shumë se 20 vjeçar, i cili nuk kishte parë kurrë ujë në çezmat e shtëpisë së tij. "Kjo ëndërr e këtij djali dhe gjithë brezave pas tij ka nisur të realizohet tashmë, falë qeverisë shqiptare dhe këmbënguljes së Viktor Tushaj për të implementuar ato projekte të nevojave bazë", tha Kodheli.
Ndërkohë, deputeti Spartak Braho u bëri thirrje banorëve të Balldrenit që të votojnë këtë Aleancë, që sipas tij, është aleanca e zhvillimit dhe prosperitetit dhe jo e kukuvajkave.
Pas ndalesës në Balldren, kandidati i ASHE për nashkinë Lezhë,  Viktor Tushaj, është takuar edhe me banorët e fshatit Dragushë, ku është njohur nga afër me problematikat që ata kanë, duke iu bërë të ditur atyre edhe platformën elektorale për këtë zonë.