Kryeministri Edi Rama ka inspektuar shëtitoren bregdetare në Vlorë, Lungomare 4, e cila është ende një kantier ndërtimi dhe pritet të përfundojë në mes të muajit maj.
I shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini dhe Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, Rama e cilësoi si një projekt e rëndësi të veçantë për zhvillimin turistik të qytetit, duke nënvizuar se përmirësimi i infrastrukturës duhet të shoqërohet me zgjerimin e hapësirave të parkimit, për t’iu përgjigjur rritjes së numrit të turistëve.
Kjo pjesë e Lungomares është me një gjatësi prej 500 metrash dhe me një gjerësi rreth 7 metra, nga zona e portit në plazhin e vjetër, ndërsa për biçikletat është parashikuar një korsi e veçantë prej 2 metrash.
Projekti përfshin gjithashtu elementë inovativë në organizimin e hapësirës publike, si një shkallare multifunksionale që mund të përdoret si zonë plazhi. Zonës pritet ti shtohen gjithashtu edhe 250 vende parkimi. Ky projekt pritet të finalizohet më 15 maj për të qenë gati për të pritur turistët në sezonin turisik 2026.
Sakaq, në axhendën e sotme e planifikuar është dhe mbajtja e Asamblesë, në kuadër të turit të nisur nga qeveria ‘Punët për Shqipërinë’. Në fokus të këtyre takimeve në të gjithë qytetet e vendit, janë problematikat e qytetarëve ndërsa puna ka nisur dhe për zgjedhjet lokale që pritet të zhvillohen pranverën e ardhshme.
Komente











