Mark Rutte zgjidhet në krye të NATO-s, takimi i parë me Biden e aleatët në Uashington brenda pak ditësh

32 vendet anëtare të aleancës së NATO-s zgjodhën të mërkurën kryeministrin Holandez Mark Rutte në krye të organizatës më të madhe të sigurisë në botë, në një kohë kritike për sigurinë evropiane ndërsa vazhdon agresioni rus në Ukrainë. Presidenti Joe Biden dhe homologët e tij do ta mirëpresin zotin Rutte zyrtarisht si shefin e ardhshëm të NATO-s në takimin e nivelit të lartë që zhvillohet në Uashington në fillim të korrikut. Shefi i ri i NATO-s do ta marrë zyrtarisht detyrën më 1 tetor nga zoti Stoltenberg i cili e drejtoi aleancën perëndimore për më shumë se një dekadë.

Vendet aleate të NATO-s zgjodhën të mërkurën kryeministrin holandez Mark Rutte në postin e shefit të ardhshëm të aleancës perëndimore mes agresionit rus në Ukrainë dhe pasigurisë së qëndrimit të Shteteve të Bashkuara në të ardhmen ndaj aleancës transatlantike.

Kandidati tjetër për postin drejtues të aleancës, Presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar se po hiqte dorë nga gara pasi nuk kishte arritur të siguronte mbështetjen e duhur.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut tha në një deklaratë se: “Këshilli i Atlantikut të Veriut vendosi të emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke zëvendësuar zotin Jens Stoltenberg”.

“Zoti Rutte do të marrë zyrtarisht detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm nga 1 tetori 2024, kur përfundon mandati i zotit Stoltenberg, pas dhjetë vitesh në krye të aleancës”, thuhet në deklaratë.

Pasi bëri të njohur interesin e tij për postin vitin e kaluar, zoti Rutte fitoi mbështetje të hershme nga anëtarët kryesorë të aleancës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë. Zoti Rutte e ka shprehur qartë qëndrimin e tij në të kaluarën.

“Ne duhet ta ndalojmë agresionin rus, agresionin e Putinit. Së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, të bashkuar, të vendosur dhe në solidaritet. Kjo është e vetmja rrugë”, tha kryeministri holandez, Mark Rutte.

Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se e mirëpriti ngrohtësisht zgjedhjen e zotit Rutte si pasardhësin e tij.

“Mark është një mbështetës i fortë i marrëdhënieve transatlantike, një udhëheqës i fortë dhe ndërtues i konsensusit. E di që po e lë NATO-n në duar të sigurta”, tha zoti Stoltenberg.

NATO-ja i merr vendimet me konsensusin e 32 vendeve anëtare. Shefi i ri i aleancës do të përballet me sfidën e ruajtjes së mbështetjes për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus, pa përfshirë drejtpërdrejt aleancën në një luftë me Rusinë.

Zoti Rutte gjithashtu do të përballet me mundësinë e fitores së zotit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, skeptik ndaj NATO-s.

Kthimi i mundshëm i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë i ka nervozuar udhëheqësit e aleancës perëndimore, ndërsa ish presidenti ka vënë në pikëpyetje gatishmërinë amerikane për të mbështetur vendet anëtare të NATO-s në rast se ato sulmohen. VOA

Xh.K/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Zvicra meritoi të fitonte’, Donnarumma i zhgënjyer! Tifozët e Italisë refuzojnë ndjesën e tij

‘Zvicra meritoi të fitonte’, Donnarumma i zhgënjyer! Tifozët e Italisë refuzojnë ndjesën e tij