Kryeministri Hoti: Këtë javë drafti i marrëveshjes finale Kosovë –Serbi! Thaçi: Koordinim mes Uashingtonit dhe Brukselit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka dhënë detaje në lidhje me vazhdimin në Bruksel të dialogut Kosovë-Serbi

Në një konferencë për media, kryeministri Hoti ka bërë të ditur se është paraparë një takim për këtë javë në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, e ku sipas tij, do të diskutohet për draftin e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe se dialogu është vetëm politik

Në këtë takim, Kosovën do ta përfaqësojë koordinatori për dialogun, të cilin kryeministri Hoti tha se do ta emërojë shumë shpejt.

“Të enjten është një takim tjetër në Bruksel ku do të jetë prezent koordinatori shtetëror për dialog të cilin do ta emëroj së shpejti, për të biseduar dhe për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke. Ky është objektivi ynë i vetëm në këtë proces”,- deklaroi Hoti.

Përkundër faktit se edhe Bashkimi Evropian tha se do të jetë takim i nivelit teknik, Hoti përjashtoi çdo mundësi që të ketë rinisje të procesit teknik të dialogut me Serbinë.

Synim kryesor i Kosovës në këtë proces, sipas kryeministrit Hoti, është njohja reciproke.

“Dialog teknik nuk ka. Ka dialog vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, deklaroi Hoti.

Kryeministri Hoti ka njoftuar po ashtu se ka dërguar ftesa për një takim të liderëve të partive politike në Kosovë si dhe se ka dërguar shkresë në Kuvendin e Kosovës me kërkesë për t’i informuar deputetët për procesin e dialogut në Bruksel.

Në takimin që pritet të mbahet këtë javë në Bruksel, është thënë më pare se do të bisedohet për dy tema kryesore, të pagjeturit si dhe çështje të ekonomisë. Tek ekonomia, kryeministri Hoti ka thënë se përfshinë dëmet e luftës, pensionet, shkatërrimin e pronës private gjatë luftës si dhe çështje të tjera.

Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur kundër bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se bisedimet në një format të tillë janë zhvilluar për 9 vitet e kaluara.

Ai ka thënë se procesi i negociatave duhet të përmbyllet me njohje të dyanshme mes Kosovës dhe Serbisë, sa më shpejt që është e mundur, por jo në aspektin teknik.

Për këtë, ai ka kërkuar gjithashtu unitet brenda Kosovës si dhe midis Uashingtonit dhe Brukselit.

“Është me rëndësi jetike të kemi koordinim, e para mes spektrit politik të Kosovës, një konsensus sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirës në mënyrë që të jetë angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, institucioneve. Edhe faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar. Një koordinim i ngushtë mes Uashingtonit dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i sigurt, i besueshëm dhe pastaj i pranueshëm për qytetarët e Kosovës”

Pas 20 muajsh, dialogu Kosovë – Serbi ka rifilluar më 16 korrik në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Dy temat kryesore në këtë takim ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik.

Pas këtij takimi, Brukseli paralajmëroi se dialogu në nivelin teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rinisë të mërkurën, më 22 korrik.

Kjo është hera e parë që Thaçi nuk e ka udhëhequr delegacionin e Kosovës në bisedimet e nivelit të lartë me Serbinë.

Ai nuk mori ftesë për të qenë në Bruksel.

Ndaj tij është paraqitur një aktakuzë nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Gjatë javës së kaluar, Thaçi është intervistuar për katër ditë nga ana e prokurorëve në Hagë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gege Kosova: 21/07/2020 10:35

    Pa doren Amerikane,Kosova eshte e humbur.Evropen e kemi shijuar ne te kaluaren,po e shijojme edhe tash 21 vjet.Sidomos per Liberalizimin e Vizave dhe njohje. E pame,here del nje shtet e here tjeteri pengese. Poashtu edhe per njohje u sprovuam,Pese nga shtetet e BE ende nuk na njohin, edhe pse e dijne dhe jane plotesisht ne dijeni, per te drejtat tona historike,politike dhe kombetare. Sepse vet e kane lene "shtegun qel,demin hazer".

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja