Kryeministri që 'vrau' makthin e bisedimeve

Kryeministri që 'vrau' makthin e bisedimeve

Avdullah Hoti

Makthi më i madh i politikanëve të Kosovës vitin e fundit, u bënë bisedimet me Serbinë, nën mbikqyrjen amerikane. Për shkak të spekulimeve, shpeshherë të pafytyra për të dëmtuar politikisht njëri- tjetrin dhe pastaj pas revanshit populist të “Vetëvendosjes” dhe Albin Kurtit, që krijuan kultin e prerjes me thikë të kokës së Kosovës në Uashington, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, u kthyen në një “patate të nxehtë”, që askush nuk donte ta mbante në dorë.

Kur Abdullah Hoti u bë kryeministër dhe mori menjëherë ftesën në Uashington, paranojat se tani Kosova mori fund, u shtuan. Njerëz që paragjykonin kryeministrin e Kosovës si pa mandat politik, të tjerë që e vizatonin atë si të shantazhueshëm, dhe akoma më tej, kundërshtarët e tij të “Vetëvendosjes”, që e trajtonin si kolaboracionist, krijuan idenë se nëse kjo Qeveri shkon për bisedime me Serbinë, Kosova mori fund.

Sot rezulton se kryeministri më i përshtatshëm dhe më i duhuri për ta kaluar këtë makth të Kosovës, është Abdullah Hoti. Me viskozitetin e tij diplomatik, trashëguar nga kultura e LDK-së, ku asgjë nuk është shqetësuese, përveçse procesit, i pashqetësuar nga frustrimet populiste dhe paranojat aneksioniste, Abdullah Hoti i çmitizoi këto takime.

Sot dhe nesër, ai është në Uashington me një delegacion të zgjeruar politik, për të ruajtur procesin e bsisedimeve me Serbinë, nën mbikqyrjen amerikane, por për të mos bërë asnjë dëm.

Nëse sot do të kishim kryeministër Albin Kurtin, do ishim në kulmin e tensionit me SHBA, duke i kthyer bisedimet mes Kosovës e Serbisë, në betejë planetare, duke dëmtuar rëndë raportet Kosovë- SHBA dhe duke hedhur në erë Kosovën.

Nëse do kishim kryeministër Ramush Haradinajn, do kishim episodin e përsëritur të taksës 100 për qind, për t’i detyruar amerikanët që të flisnin me Hardinajn dhe jo të tjerët.

Nëse do kishim dikë nga partia e Hashim Thaçit, gjithë paranojat do drejtoheshin tek ndarja e territorit.

Sot Abdullah Hoti ka nisur bisedimet në Uashington, duke mundësuar ruajtjen e raporteve pozitive me SHBA, heqjen e ndonjë rreziku për cënim territori, dhe natyrisht, heqjen e maktheve që shkaktuan bisedimet vitin e fundit, ku të gjithë akuzonin njëri- tjetrin për tradhtar dhe sabotonin bisedimet.

Sot, ndërsa Hoti është në Uashington, nuk ka më asnjë akuzë të tillë. Gjithë kritikët e tij në Kosovë po diskutojnë menunë e  Skënder Hysenit dhe a ka marrë dikush gruan me vete.

Ata që parashikuan se kur iku “Vetëvendosja” nga Qeveria, Kosova do ndahej, tani kanë rastin të kuptojnë se nëse “Vetëvendosja” do vazhdonte qeverisjen, Kosova mund ta pësonte më keq se ndarja, se do humbiste interesin amerikan.

Nga ana tjetër, gjithë partitë e tjera, përveç “Vetëvendosjes”, mbështesin procesin e bisedimeve, që me sa duket do zgjasë pafund.

I vetmi lajm real është se kryeministri Hoti ja hoqi Kosovës makthin e bisedimeve me Serbinë. Nuk është pak po të mendosh që ka dy vjet, që gjithë politikanët në Kosovë, akuzojnë njëri- tjetrin për tradhtar, për këtë çështje. Tani maksimumi akuzojnë për shpenzime udhëtimi.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Policia e Tiranës zbardh vrasjen e Eduart Reçit, i ekzekutuar me një plumb pranë Rrugës së Elbasanit

Policia e Tiranës zbardh vrasjen e Eduart Reçit, i ekzekutuar me një plumb pranë Rrugës së Elbasanit