Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e kësaj të hënë në Prishtinë.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në rrugën “B” në Prishtinë, ku nga të shtënat u plagos një person.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti njoftoi se i plagosuri është hetues në Inspektoratin e Policisë së Kosovës (IPK).

Po ashtu mësohet se ngjarja dyshohet se nuk lidhet me detyrën e tij.

I plagosuri është dërguar për ndihmë mjekësore në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ahmeti shtoi se aktualisht policia ka nisur një hetim për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që janë në kërkim të autorit të dyshuar i cili është identifikuar.