Fjala është për firmat Sude, Global Foods, Arsed, Univers, Nahlel dhe Beno, që kanë qenë të pranishme deri në vitin 1997 në tregun informal financiar shqiptar nëpërmjet dhënies së fajdeve me interesa marramendëse. Pamundësia e tyre për të shlyer kreditorët solli krizën më të rëndë sociale në vend, që u pasua me shkatërrimin e strukturave shtetërore, hapjen e depove të armatimit, hapjen e burgjeve, rënien e qeverisë, largimin e presidentit Berisha, por edhe vdekjen e disa mijëra vetëve.
Sipas kërkesës, së parashtruar nga Malaj në Gjykatë, qeveria, të cilën ai përfaqëson, ja kalon në kompetencë pushtetit gjyqësor mbylljen e firmave të tilla, pasi dështoi përfundimisht për të zbuluar më shumë asete, që mund të shërbenin për të dëmshpërblyer qytetarët e mashtruar, që investuan kursimet e tyre në këto firma. Kjo, nëpërmjet procesit të falimentit.
PËRGJEGJËSIA
Sipas ligjit, në rast se Gjykata i shpall firmat në fjalë në proces falimenti, ajo duhet të caktojë për secilën prej tyre nga një administrator të pavarur, që duhet të kryejë likuidimin e detyrimeve përkatëse. Pra, firmat do të kenë sërish administratorë, por këtë herë nuk do të jenë të caktuar nga Ekzekutivi, por nga Gjykatat.
Në rastin më të mirë, për këto firma, administratorët e qeverisë, deri tani, kanë kthyer për kreditorët e mashtruar shuma në lekë të barabarta me 10 për qind të depozitave të tyre në këto firma. Falimenti nuk pritet t’i ndihmojë ata të marrin më tepër, duke qenë se as administratorët qeveritarë nuk arritën të zbulonin pasuri të tjera për të ndarë në favor të investitorëve.
MBIKËQYRËSIT
Në fakt, vitin e kaluar, Kuvendi ka kaluar vetëm me votat e mazhorancës një ligj, që autorizon shkrirjen e grupit të mbikëqyrjes së aseteve të firmave piramidale, por duke ja kaluar kompetencën për shitjen e atyre që zbuloheshin ende ministrisë së Financave. Faktikisht, në asnjë nga ankandet e kryera prej kësaj ministrie muajt e fundit nuk ka dalë në shitje ndonjë prej pronave të firmave piramidale.
PROCESI
Duket se ish-presidenti Berisha, tani kryeministër, kërkon të mbyllë sa më shpejt problemet, që mund t’i lindin qeverisë nga kërkesa të mundshme të shqiptarëve, të pakënaqur nga kthimi shumë i ulët i parave të humbura. Për këtë, në prag të zgjedhjeve, ai ka “larë duart” nga përgjegjësia e mëtejshme për një plagë, që ai e lejoi vetë.
(b.m/shqiptarja.com)