Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, i bëri thirrje sot liderëve politikë të fillojnë komunikimin e brendshëm ndërpartiak, në mënyrë që të gjendet zgjidhja dhe të arrihet ndonjë marrëveshje.

Në një prononcim për shtyp, pas përfundimit të punimeve të Sesionit të 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian, i cili organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Parlamenti Kulturor Evropian, Thaçi tha se "zgjidhja e ngërçit politik në Kosovë duhet të gjendet duke respektuar rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të 8 qershorit".

Sipas agjenicisë së lajmeve "Kosova Press", Thaçi u shpreh se "zgjedhjet kanë qenë të lira, demokratike dhe se kanë qenë shembull për gjithë rajonin, madje u shpreh se i fton të gjithë liderët që të gjejnë vullnet dhe të ulen për të diskutuar".

"Zgjidhja duhet të gjendet në përputhshmëri me rezultatin zgjedhor të 8 qershorit, të respektimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe sot i ftoj të gjithë liderët politike, që të gjejnë vullnetin e mirë për t'u ulur, për të diskutuar, për të komunikuar dhe duke komunikuar për të gjetur zgjidhjen që është në interes të vendit dhe në interes të qytetarëve që garanton qeveri të qëndrueshme, efikase", theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi u shpreh se partitë politke duhet të gjejnë marrëveshje, por nuk ka marrëveshje pa komunikim, sepse ndërtimi i institucioneve është përgjegjësi e gjithë spektrit politik"

ATSH