Kryeparlamentari i Kosovës Konjufca në Parlamentin Evropian: Bllokimi i vizave është i paarsyeshëm

Kryeparlamentari i Kosovës Konjufca në Parlamentin Evropian: Bllokimi i vizave është i paarsyeshëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

KOSOVË- Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca deklaroi se bllokimi i procesit të liberalizimit të vizave nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian është i paarsyeshëm dhe si të tilla zvogëlojnë frymën e vlerave evropiane në vendin tonë.

Këtë deklaratë kryeparlamentari e bëri sot në Samitin e Dytë të Parlamentit Evropian me kryetarët e Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, në të cilin u diskutua për rolin themelor të parlamenteve në procesin e zgjerimit të BE-së në epokën pas COVID-it dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar.

Konjufca tha se vonesat e BE-së për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës nuk duhet të shërbejnë si justifikim për moskryerjen e detyrave shtëpiake.

“Reformat në drejtësi, ekonomi, administratë e arsim janë të pazëvendësueshme. Forcimi i demokracisë dhe sundimi i ligjit, lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe fuqizimi i transparencës, si dhe mbrojtja e pa kompromis e të drejtave të njeriut dhe pakicave janë ‘sine qua non’ i shoqërive të lira e të hapura”, tha Konjufca.

Ndër tjera Konjufca foli për sfidat që i sollën botës virusi Covid-19 dhe dëmet që ai u shkaktoi shteteve në njerëz dhe ekonomi. Ai tha se Qeveria e Kosovës ka paraqitur një plan ambicioz të vaksinimit masiv të popullatës që do t’i përfshinte 60% të atyre që kanë nevojë për vaksinim deri në fund të këtij viti.

Ai shtoi se pavarësisht vështirësive të mëdha që i solli pandemia, kurrë nuk duhet të lihet në harresë projekti më i rëndësishëm – kompletimi i BE-së.

Konjufca tha se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të lidhura në mënyrë qenësore me qasjen e BE-së ndaj këtij rajoni të ndërlikuar e sensitiv.

“Në të njëjtën masë që për ne është domosdoshmëri bashkimi në familjen evropiane, po sipas të njëjtës nevojë BE-ja e ka të domosdoshme përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në gjirin e vet. Mësimet e duhura i kemi të gatshme në histori”, tha Konjufca.

Ai tha se në fillim të viteve ’90-të në Evropë ka pasur edhe forca politike shkurt-pamëse të cilat krizën e shpërbërjes së Jugosllavisë e shihnin si një zjarr të jashtëm ndaj të cilit kërkohej mbajtja e një distance të sigurt.

“Pse t’i djegim duart pa nevojë në një mori luftërash që nuk janë tonat – thoshte motoja e tyre. Por pikërisht kjo qasje rrezikoi që zjarri të përhapej përtej Ballkanit. Ishte pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare politiko-ushtarake në Ballkan më 1995 e 1999 ajo që i dha shans paqes dhe e stabilizoi rajonin tonë”, tha Konjufca.

Prej 12 vitesh, shtoi ai, nuk ka më luftëra, ndërsa ato pak çështje të hapura që kanë mbetur po zgjidhen me bisedime. Por, siç tha Konjufca, optimizmi dhe entuziazmi i popujve të Ballkanit Perëndimor për BE-në nuk është një adhurim i pa kondicionuar. Sipas tij, në kushtet e sotme vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ndjehen të lëna anash e të dezorientuara vetëm nëse shtetet kryesore të BE-së e aplikojnë doktrinën e cila quhet “njëherë thellim, pastaj zgjerim”.

“Nëse krijohet një konsensus evropian ndaj kësaj strategjie, dëmi që do t’i bëhet Ballkanit Perëndimor do të jetë kolosal. Shpresoj shumë që projektet të cilat po shfaqen këto dy vitet e fundit nën formën e platformave të ‘bashkëpunimit rajonal’ si puna e mini-Shengenit, nuk e kanë funksionin e biberonit që e zëvendëson integrimin e BP në BE me një moratorium deri sa BE-ja ta kryejë thellimin e vet”, theksoi kreu i legjislativit të Kosovës.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë