TIRANË- Kreu Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu lutet për shërimin e Kryepeshkopit Anastas, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Spahiu shkruan se Kryepeshkopi Anastas është një lider bashkëpunues për besimtarët ortodoksë, bashkëpunues e tolerant.

“Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, z. Anastas Janullatos, ndodhet prej disa ditësh në gjendje jo të mirë shëndetësore. Me Janullatosin kemi vite që bashkëpunojmë dhe bashkërendojmë veprimtarinë e dialogut ndërfetar në Shqipëri.

Lider i kujdesshëm për besimtarët që përfaqëson dhe bashkëpunues e tolerant me këdo. I lutemi Zotit për shërimin e tij të shpejtë e të plotë”, shkruan Spahiu.

Shëndeti i Kryepeshkopit Anastas Janullatos ka pësuar një përkeqësim të shpejtë mëngjesin e së premtes, 24 janar, pasi ka pësuar dështim të shumëfishtë të organeve.

Kryepeshkopi i Shqipërisë i është nënshtruar një trakeostomie, pas dështimit të përpjekjeve për ta nxjerrë nga intubimi. Prej 3 janarit, Kryepeshkopi Anastas është i shtruar në spitalin 'Ungjillëzimi' të Athinës, për shkak të një hemorragjie në sistemin e aparatit tretës.