Në spitalin e Traumës ka mbërritur Edison Adri, efektivi i plagosur sot nga operacioni në Lozhan të Korçës. Nga i njëjti operacion, ndërroi jetë efektivi Enea Mekolli.

“Humbëm një koleg të mrekullueshëm, një baba, një familjar të përkushtuar dhe Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj punonjësin e saj në shërbim të qytetarëve. Edhe një punonjës policie është i plagosur rëndë dhe po merr ndihmën mjekësore. Edhe personi në kërkim që ishte bërë rrethimi i tij për neutralizimin dhe kapjen e tij është plagosur dhe ndodhet në spitalin e Korçës”, tha Hita.

Hita u pyet nga gazetarët nëse ishin marrë masat e duhura operacionale duke vlerësuar rrezikshmërinë e autorit të krimit që ishte i shumëkërkuar dhe nëse po bëheshin hetime për planin operacional.

Ai u përgjigj se: Tashmë hetimet kanë filluar si nga Prokuroria e Korçës, ashtu edhe Standardet Profesionale që janë nisur drejt Korçës. Edhe unë nga këtu do nisem drejt Korçës për të ndjekur nga afër çfarë ka ndodhur dhe dinamikën e ngjarjes.

Efektivi i ‘Shqiponjave’ Edison Adri 36 vjeç ka mbërritur me helikopter në spitalin e Traumës i intubuar dhe me plagë në pjesën e qafës dhe të kokës, sqarojnë mjekët në spitalin e Traumës.

“Pacienti është pritur në Korçë është stabilizuar, është i intubuar. Do dimë t’iu themi më shumë në vijim. Është futur në sallë. Po bëhet maksimumi për të marrë rezultatin maksimal. Ka lëndime në pjesën e qafës dhe të kokës. Gjithmonë një traumë e këtyre përmasave është jetë kërcënuese. Është herët akoma për të thënë”, tha mjekja në spitalin e Traumës.

Ndërkohë autori Violand Braçellari është nisur nga spitali i Korçës drejt Traumës me ambulancë. Ai ka marrë një plumb në bark dhe 2 plumba në pjesën e dorës ndërsa mjekët thanë se është në gjendje stabël.


Lajmi kryesor:

Maliq/ Polici i ‘Shqiponjave’ vritet në krye të detyrës, plagoset kolegu! Autori i fshehur në stan, refuzoi të dorëzohej dhe hapi zjarr, i dënuar për trafik droge! Efektivët ishin pa antiplumb (EMRAT)