TIRANE- Kryeprokurori Adriatik Llalla hakmerret ndaj prokurorit Shkëlqim Hajdari, duke e transferuar nga Tirana në Shkodër. Kjo lëvizje e Llallës, vjen nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, anëtarët e të cilit i kanë propozuar Llallës që Shkëlqim Hajdari, me një karrierë prej rreth 18 vite si prokuror në Tiranë, të transferohet nga Prokuroria e Apelit të Kryeqytetit në prokurorinë e Shkodrës. Pikërisht në këtë prokurori Hajdari duket se do jetë i thjeshtë, ndërsa nuk dihet nëse ai do garojë ose jo për kryeprokuror i këtij rrethi, gjatë fazës kur të hapet konkurrimi zyrtar.

Transferimi i prokurori Hajdari vjen 1 vit pas përplasjes fizike me kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili gjatë një mbledhje në 3 tetor të 2014 goditi me grusht prokurorin Hajdari, duke i çarë buzën. Fill pas kësaj përplasje që degjeneroi dhe me ndërhyrjen e prokurorëve të tjerë që bënë ndarjen dhe qetësimin e situatës, Llalla ka vendosur të shkarkojë nga posti i kryeprokurorit të Apelit të Tiranës, z.Shkëlqim Hajdari dhe në vend të tij të vendosë Dritan Pekën.

Prokurori Hajdari u la i thjeshtë, ndërkohë ndaj punës së tij u urdhërua një kontroll. Fill pas 1 viti, Llalla sërish kthehet tek Hajdari duke vendosur ta transferojë atë nga Tirana në Shkodër, duke e ulur në një prokurori më të ulët. Tashmë pritet vetëm nëse presidenti Nishani do dekretojë ose jo këtë transferim.

Martini transferohet Shkodër
Këshilli i prokurorisë gjatë mbledhjes së djeshme ka vendosur ti propozoi kreut të akuzë dhe 6 transferime të tjera. Në prokurorinë e Shkodrës janë transferuar edhe prokurori Granit Shahu e Anton Martini. Ky i fundit prokuror prej 11 vitesh tek Krimet e Rënda dhe që njihet si prokurori që ka përfaqësuar akuzën në disa grupe kriminale dhe banda. Në institucionin e akuzës në Krujë është transferuar nga Lushnja prokurori Petrit Çano, e nga Tirana prokurori Florjan Bunjaku.

Në prokurorinë Pogradecit është transferuar Shkëlqim Kokona, që ushtronte detyrën e prokurorit të Apelit Korçë. Ndërsa me kërkesë të tij, nga prokuroria për krime të rënda është transferuar në akuzën e kryeqytetit prokurori Kudusi Shahu.

Ankesa për oficerët
Ndërkohë gjatë një mbledhje me Llallën anëtarët e Këshillit të Prokurorisë, janë ankuar tek ai se Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera nuk kallëzojnë zyrtarët e lartë për afera korruptive, çka sipas tyre, është krijuar idea se korrupsion ka vetëm në sistemin e drejtësisë. Mësohet se ata i kanë kërkuar kryeprokurorit Llalla të ngrejë këtë shqetësim në takimet me titullarët e institucioneve ekzekutive.

Më ashpër ka qenë ankesa e prokurorëve për policinë e shtetit, inspektorët e tatimeve, doganave si dhe punonjës të ndryshëm të institucioneve të tjera shtetërore, që sipas akuzës janë bërë shkak i zvarritjeve të shumë dosjeve hetimore. Ata i kanë thënë Llallës, se thuajse në çdo moment janë përpara mungesës së efiçensës së oficerëve të policisë gjyqësore e institucioneve të tjera, të cilët janë shkak për zvarritjen e hetimeve të prokurorisë.

Një shqetësim tjetër, që për prokurorët është bërë i përsëritshëm nga policia e shtetit, janë veprimet e paligjshme që kryejnë. Prokurorët, mësohet se janë sugjeruar nga kryeprokurori Llalla, që të shmangin tolerancën ndaj këtyre veprimeve jashtë-proceduriale të policisë dhe të mos tolerojnë gabime të tilla, që mund të dërgojnë edhe në dështimin e dosjeve të mëdha hetimore.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)