Ka kohë që ambasadorja e BE, Romana Vlahutin është vënë në shënjestër të kritikave nga ana e drejtuesve të Partisë Demokratike që e cilësojnë atë si një përkrahëse të kryeministrit Edi Rama. Akuzat kanë qenë të shumta si publike nga eksponentë të PD-së e deri edhe nëpërmjet shkrimeve në media të opozitës. E megjtihatë duket se këshilltarët e PD-së në Bashkinë e Vlorës nuk ndajnë të njëjtin mendim me krerët në Tiranë. Ata dje kanë votuar në mënyrë unanime një propozim për nderimin e Vlahutin nga kjo bashki.

Në Bashkinë e Vlorës një nga pikat e rendit të ditës ka qenë edhe miratimi për dhënien e titullit "Qytetar nderi i Vlores" për ambasadoren e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin. Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli ka kërkuar votimin në unanimitet për këtë vendim, lidhur me një nga figurat siç e ka cilësuar Leli, më të rëndësishme për Shqipërinë dhe Vlorën. "Kam qenë unë propozuesi i ketij vendimi,"- ka thne Leli,- "Sepse e konsideroj personalitetin më të spikatur që ka lënë gjurmë në politikën shqiptare, por mbi të gjitha që ka lënë gjurmë në ato ç’ka janë investuar në Vlorë nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, veçanërisht për ndërtimin e shëtitores ‘Lungomare’."

Këshilltarët Bashkiakë, e kanë votuar në mënyrë unanime këtë vendim, ndërsa tani pritet dhënia e titullit të akorduar. “Report Tv” ka mësuar se kanë votuar pro vendimit edhe këshilltarët e Partisë Demokratike. Ndërkohë në mbledhjen e kësaj të enjteje Këshilli Bashkiak i Vlorës ka miratuar edhe një sërë vendimesh të tjera për të cilat nuk kanë munguar edhe kontestime. Është miratuar fondit shtesë prej 3.5 milion lekë, subvencion për ekipin e futbollit "Oriku", miratimi i shtyrjes së afatit në një periudhe 2 vjeçare të administrimit të shoqërisë "Flamurtari futboll klub", miratimin për tarifimin e vizitorëve në gadishullin e Karaburunit me 200 lekë për person.