/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me qindra qytetarë, para Teatrit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë bëri homazhe dhe mori pjesë në ndezjen e qirinjve duke shprehur solidaritet me viktimat e masakrës që ndodhi dje në Paris, në sulmin terrorist ndaj gazetës satirike "Charlie hebdo".

Veseli me këtë rast theksoi se ky solidaritet nga kryeqyteti i Republikës së Kosovës i bashkëngjitet solidaritetit të shprehur në tërë botën.

"Sulmi ndaj gazetës është sulm ndaj vlerave që kultivojmë dhe synojmë ne si shoqëri dhe shtet, vlerave demokratike euro-perëndimore, andaj e gjykojmë këtë akt terrori dhe marrim pjesë në dhembjen dhe pikëllimin e familjeve të viktimave, Republikën e Francës dhe botën demokratike", theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli.