Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula priti sot në një takim trashëgimtarët e doktorit të mirënjohur italian, në Tiranën e viteve 1939-1945, Venanzio Lozzi-t, ish-kirurg i Spitalit të Përgjithshëm Civil, i dënuar nga regjimi komunist me pushkatim me akuzën “e tentativës për të nxjerrë monedha ari nga Shqipëria”.

Prof. Dr.Venanzio Lozzi, gëzonte atributet e kirurgut më të famshëm të mjekësisë shqiptare dhe një popullaritet të pazakontë, kryesisht në zonën e Tiranës. Aq i madh ishte popullariteti i “doktor Losit” sa edhe sot kujtohet nga të moshuarit e lagjeve të Tiranës.

Ai u ekzekutua në 16 gusht të vitit 1946, në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Sot vendvarrimi i trupit të tij është i panjohur.

Andrei dhe Nadia Lozzi, fëmijët e doktorit, plotësuan formularët për t’u njohur me dokumentet e dosjes personale të babait të tyre, të krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, si dhe formularin e aplikimit për të zhdukurit në komunizëm.