“Prindërit tanë u vranë pabesisht. Shumica e tyre nuk kanë varr. Masakra e Bristolit (Hotel Bristol) do të hyjë në analet e historisë. 12 të pushkatuar të cilët u gjetën mbas një muaji e gjysëm kur kufomat e tyre po prisheshin. Në bisedat që kam pasur me komunistë të vendosur thonin se ato vrasje ishin kryer nga gjermanët ose sllavët, gjë që nuk ishte e vërtetë. Komunistët asnjëherë nuk e pranuan vrasjen, asnjëherë nuk kërkuan falje.”

Kështu shprehet një prej familjarëve të 39 intelektualëve të vrarë të Tiranës në vitin 1944. Sot, 81 vjet më pas, ata përkujtohen.

Gentiana Sula, drejtuese e Autoritetit të Dosjeve, nuk e ka përjetuar atë ngjarje, por ajo sjell kujtimet e familjarëve të saj për të.

“Unë u linda dhe u rrita në shtëpinë e Ymer Derhemit, atje ku në datën 28 tetor të vitit 1944 dyert u hapën jo për miq, por për të lëshuar plumbin që vret mbas shpine. Nga ajo derë doli për herë të fundit kolonel Akil Sakiqi, një oficer i Ushtrisë Kombëtare bashkë me Nazmi Uruçin dhe Fahri  Dabullën. Nuk qe një vdekje e zakonshme, ishte prerje në besë.”

Historiani Uran Butka, drejtues i Institutit “Lumo Skëndo”,  thotë se forcat komuniste të udhëhequra nga krerët terroristë, mes të cilëve Enver Hoxha e Mehmet Shehu, kryen masakra ndaj intelektualëve, patriotë e demokratë, kundërshtarë politikë, por edhe civilëve të pafajshëm qytetarëve të Tiranës.

“Dua të shtoj diçka të re, nxjerrë nga arkivat jugesllave. Në luftën për çlirimin e Tiranës u mënjanuan ushtarakët britanikë që kishin ndihmuar në luftën antifashiste të të gjithë shqiptarëve, jo vetëm nacional shqiptare që thonë, por të të gjithë shqiptarëve. Plani dhe vendimi u realizuan me mbështetjen dhe konsulencën ushtarake jugosllave. Shoku Vojo Todoroviç kaloi gjysmën e muajit tetor në vizitimin e disa njësive ushtarake. U tregua ndihmë konkrete dhe në zbatimin e shërbimeve të reja. Mbas kthimit i pruni misionit ushtarak jugosllave dhe më vonë dhe shtabit të përgjithshëm të Shqipërisë një raport të imtë për luftën që do të bëhesh. Atëherë shtabi i përgjithshëm mori vendimin.”, tha Butka.

Këta intelektualë të vrarë për motive politike u ekzekutuan pa gjyq, e shumë prej tyre janë pa varr edhe sot.