Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi ka njoftuar se është kryer riatdhesimi i parë nga Shqipëria i një shtetasi të huaj që ishte vendosur para pak ditësh në kampin e Gjadrit. Emigranti është kthyer në vendin e tij të origjinës. 

Në një postim në "X", Piantedosi shkruan se operacionet e riatdhesimit të emigrantëve të parregullt do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim siç parashikohet nga strategjia e Qeverisë për një veprim më efektiv për të luftuar emigracionin e paligjshëm, raporton Ansa.

I riatdhesuar është një 42-vjeçar nga Bangladeshi i ardhur në Itali në vitin 2009 dhe është dëbuar për shkak të rrezikut social. Ai ka disa dënime të mëparshme, duke përfshirë një episod të rëndë të dhunës në familje.