Kryqëzimi i Prenk Jakovës nga
Dritëro Agolli e Çesk Zadeja

Kryqëzimi i Prenk Jakovës nga <br />Dritëro Agolli e Çesk Zadeja
Megjithëse u shfaq në vitin 1968, përgatitjet dhe reklamimi i premierës “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu” të kompozitorit Prenk Jakova kishin nisur që në vitin 1967. Mediat e kohës: gazeta “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë”, gazeta kulturore “Drita, revista e Ushtrisë “Ylli”, e të tjera kishin nisur reklamën se do të ngjitej në skenë kjo operë sipas porosisë së vet Enver Hoxhës “me rastin e jubileut të madh të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut”, siç shkruan edhe revista “Ylli”, nr. 12 viti 1967. Në shkrimin e kësaj reviste, me titull “Mbi operën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” shkruhet se “Ne iu drejtuam shokut Mustafa Krantja udhëheqës artistik në Teatrin e Operës, i cili thotë se “si lajtmotiv i operës mund të shërbente këtu thënia shumë e gjetur lakonike e shokut Enver se “Populli ynë e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”. Kjo revistë ka marrë në intervistë edhe Prenk Jakovën që ka thënë se “Unë jam përpjekur që muzika e kësaj opere të jetë e bazuar plotësisht në muzikën e popullit tonë dhe të tingëllojë epike, ashtu siç ka qenë epike lufta e lavdishme e popullit tonë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut”. Regjisor kryesor të shfaqjes ishin Pirro Mani dhe regjisorë dytësorë ose asistentë siç thuhet sot ishin Jorgji Bitri e Luigj Gurakuqi. Mes aktorëve përmendet Gjoni Athanas që ka pasur rolin e Skënderbeut dhe Ibrahim Tukiqi. Në rolin e Donikës kanë qenë Nina Mula, Gjenovefa Heba, Irena Gjergo, Leonora Pejo. Opera “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u ngjit në skenë në janar të vitit 1968. Në këto gazeta flitet edhe për ditën e parë të shfaqjes ku morën pjesë anëtarët e Byrosë politike që nga Enver Hoxha deri tek Beqir Balluku. Bashkëkohësit pohojnë se ata e pritën ftohtë, por një ditë pas premirës “Zëri i popullit” dhe gazeta “Zëri i Rinisë” bënë reportazhe me frymë të gëzuar për “operën madhështore”, “me frymë kombëtare” që ngjitej për herë të parë në skenën shqiptare. Ky qe vetëm një vegim i bukur. Nuk ka vonuar shumë dhe duke parë arkivat shohim se opera “Gj.K. Skënderbeu” nis të mbulohej me kritika. Thelbi i të gjitha kritikave i mëshonte mungesë së frymës revolucionare tek figura e Skënderbeut, si dhe frymës luftarake sepse nuk doli të ishte një nga ata që e mbajnë shpatën në dorë gjithmonë për të çarë rrugën e historisë, siç ishte lajtmotivi Enverist i premierës . Nuk u kritikua niveli muzikor, por u kritikua fryma lirike e arieve, ku tregohet dashuria e Skënderbeut për Donikën dhe mungesa aksionit luftarak. Ja se ç’tregojnë arkivat:

Dritëro Agolli dhe Çesk Zadeja: Korrigjo partiturat
Skënderbeu strateg, jo kalorës i thjeshtë


Nga “Zërin i popullit” 28 janar 1968

Në “Zërin e popullit”, 28 janar 1968, shkrimi “Opera “Skenderbeu”, mban autorësinë e Dritëro Agollit dhe Çesk Zadesë. Ata kanë lëshuar një lumë kritikash, duke anashkaluar meritat e padiskutueshme të muzikës me fraza të tilla si “Ka momente ku muzika e veprës të ngjall emocion”. Në këtë artikull ka shumë demagogji për luftën shekullore të parëve tanë. “Duke u nisur nga mendimi marksist-leninist, Partia jonë i çmon dhe i ngre lart figurat e patriotëve, luftëtarëve dhe revolucionarëve që kanë shkëlqyer historinë shumëshekullore të popullit tonë. Pas shumë dogmave të parashtruara në gjysmën e faqes së gazetës “Zëri i Popullit”, vjen edhe momenti i kritikës së shkruar nga dy autorë: Dritëro Agolli dhe Çesk Zadeja. “Megjithatë opera Skënderbeu nxjerr një sërë problemesh për muzikën tonë dhe për artin dramatik të saj. Një ndër këto probleme është kuptimi i asaj që themi: muzika të shpreh lidhjen e heroit me masat, ne shpesh këtë ide e marrim përciptazi, për ta lidhur me masat heroin e veprës muzikore, grumbullojmë skena koresh, mes të cilave patjetër ndodhte edhe heroi. Mjafton që heroi të jetë në mes të masës, pa s’ka rëndësi se këngët që këndon kjo masë kori të jenë pa ngjyra dhe të zbehta”. Pasi është bërë shumë teori për lidhjen e heroit me masat gjatë gjithë kohës autorit i bëhen vërejtje s’e heroin e kanë afruar më shumë se duhet me masat dhe e kanë njësuar me to. Ndaj artikullshkruesit Agolli e Zadeja vijojnë të bëjnë vërejtje se Skënderbeu nuk është modeli i udhëheqësit që duhet të kenë përpara syve masat. “Me operën “Skënderbeu” spektatori kishte në dëshirë të madhe që figura e saj qendrore Skënderbeu si nga ana dramaturgjike, ashtu edhe muzikore, të ishte e fortë e gjallë dhe interesante. Ai donte të shihte një Skënderbe ushtar, strateg dhe burrë shteti, siç ishte në të vërtetë ky hero legjendar i botës shqiptare. Pa mohuar ato merita që ka kjo figurë në opera, ne mendojmë se gjer në pjekurinë e saj artistike mbetet shumë për të bërë... Skënderbeu shfaqet dhe fshihet, vërtitet në skenë dhe zhduket, pa lënë ndonjë emocion. Në figurën e tij mungon preokupimi dhe mendimi; ai nuk ndeshet me individualitete të tjera, nuk sugjeron e nuk vepron”. Më tej shkrimi kritikon thjeshtësinë e figurës së Skënderbeut. “Herë-herë ai duket si kalorës i thjeshtë, që rruga rastësisht e ka nxjerrë në një grumbull njerëzish, si një njeri që i tregon karvanit ndonjë shteg të panjohur për të ecur”. Pra, nëse sot duket se nuk përbën problem që një udhëheqës të jetë edhe një njeri i thjeshtë, në kohën kur drejtonte Enver Hoxha, kjo kishte një rëndësi të madhe. Kritika e dy autorëve përfundon me thirrje për rishikim të veprës, përndryshe ajo nuk do ta shoh më dritën e skenës. “Ata që e duan artin, duke i thënë kompozitorit ndonjë vërejtje, nisen nga dëshira e përmirësimit të veprës, në mënyrë që ajo të mos jetojë vetëm një ditë jubilare a festive. Por të bëhet bashkudhëtare e gjatë e skenës. Kemi bindjen se Prenk Jakova do të ulet përsëri në partiturat e operës “Skënderbeu” dhe do të punojë mbi to më këmbëngulje dhe seriozitet, sepse tabani i saj tashmë është formuar. Ajo dëgjohet nga spektatorët dhe ndiqet prej tyre”. Në këtë rast nuk kuptohet pse vërejtjet i drejtohen vetëm kompozitorit, ndërsa gjithë stafi, duke filluar që nga regjisori Piro Mani, vetëm lëvdohet. A nuk mban përgjegjësi së paku edhe regjia për mënyrën si serviret një figurë skenike në një opera?!


Feim Ibrahimi: Meloditë e rrjedhshme që ndihmojnë kuptimin

Zëri i Rinisë, 20 janar 1968

Feim Ibrahimi ka një artikull modest “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Teatrin e Operës dhe Baletit”, ku në gjysmën e tij përshkruan sinopsin dhe në gjysmën tjetër vlerëson elementet pozitive të muzikës, “meloditë e rrjedhshme që ndihmojnë kuptimin”, “ndihet një hapa i madh përpara në zhvillimin tekniko profesional të autorit”, etj. Ai kërkon të gjejë disa të meta, por nuk janë aq të spikatura sepse kishin kaluar vetëm pak ditë nga shfaqja e premierës. “Pa dashur të hyjë në detaje mund të them se disa të meta me kërkesa më të mëdha mund të evitoheshin. Tema duhej të tipizohej më mirë në kuadrin epiko- heroik”. Megjithatë Feim Ibrahimi bën lavde muzikës dhe libretit, pa thënë ndonjë gjë konkrete për figurën e Skënderbeut. “Pavarësisht nga këto të meta, vepra në tërësi qëndron. Ajo krijon emocione”. Edhe këtu nuk i bëhen vërejtje askujt përveç Prenkut. “Vlen të përmendet puna e mirë e regjisorit Pirro Mani, i cili e ka vënë në skenë në mënyrë dinjitoze, që në përgjithësi e ngre mjaft spektaklin”, shkruan Feim Ibrahimi. Në përgjithësi ai e quan sukses të kompozitorit operën deri në datën 20 janar. Vetëm një javë pas ngjitjes në skenë fillojnë goditjet dhe analizat kritike në mediat e kohës që vazhduan deri në muajin prill të 1968-ës.


Simon Gjoni: Ndikimi nga libreti i operave botërore

Gazeta “Drita” 11 shkurt 1968

Edhe Simon Gjoni e anashkalon libretin dhe muzikën. Nuk bënë vërejtje, madje lë të kuptojë se këtu nuk ka as vend për kritika. Ajo që i shqetëson të gjithë shkruesit e pas premierës është figura e Skënderbeut. Me sa duket vetë udhëheqësi Hoxha ka kërkuar të jetë një shëmbëllim i modelit të tij udhëheqës vet figura e Skënderbeut. Kjo kuptohet qartë se të gjithë kritikat kanë rënë mbi trajtimin e figurës së tij: “Kjo figurë monumentale që çdo shqiptari i është tipizuar në kokë nga njohuritë e para të fëmijërisë, duke u bërë kështu një simbol i guximit, trimërisë, atdhedashurisë, luftërave të popullit tonë për liri, duhet të gjente zgjidhjen e denjë si në dramë, ashtu edhe në muzikë. Por duhet thënë se autorët nuk ia arrijnë plotësisht realizmit me sukses të kësaj figure qendrore. Asht e vërtetë që ai gjendet në skenë, por roli i tij aksioni, forca e tij organizatore, udhëheqëse nuk gjen zgjidhje aq të kënaqshme”. Ndërkohë që autori thotë se “masa përfshihet me një gjuhë muzikaliteti të goditur”, pohon në artikullin e tij se zbutja e karakterit të Skënderbeut, është një ndikim nga libreti i operave botërore, të cilat “janë me një gjuhë poetike të rëndomtë” me një dozë “manierizmash” , etj.


Dhimitër Shuteriqi: Skënderbeu të
mos jetë si në veprat klasike botërore


“Opera jonë kombëtare në rrugën e formimit të saj”, artikull në gazetën “Drita”, e diel 7 Prill 1968

“Diskutim krijues për operën Skënderbeu” në lidhjen e shkrimtarëve e ka filluar Çesk Zadeja, ku është munduar të gjejë vegjat e metodës së realizmit socialist për t’u kapur me kritika. Ai ka argumentuar se nuk ka “konflikte qendrore antagoniste” në këtë operë. “Forca udhëheqëse qëndron në koncentrimin melodik. Ky nuk është shumë faktor pozitiv që ka opera dhe në përgjithësi talenti i kompozitorit Prenk Jakova. Melodika e P.Jakovës është e qartë, emocionale dhe kombëtare. Origjinaliteti në përgjithësi ruhet edhe në vazhdë të përvojës së kompozitorit”. Por Çesk Zadeja ka këmbëngulur gjatë analizës se “Skënderbeu nuk e kryen si duhet rolin udhëheqës kryesor”. “Cili është Skënderbeu”, thotë ai ne nuk e shohim. Tonin Arapi dhe Musfata Krantja kanë vlerësuar muzikën, si gjuhë të rrjedhshme. Ramazan Bogdani ka folur për muzikën kombëtare duke bërë vlerësime pozitive. Pasi janë bërë shumë diskutime, në fund të artikullit shkruhet se Dhimitër Shuteriqi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve ka theksuar se “drama personale e Skënderbeut nuk duhet të ishte një dramë e tillë si ajo që njihte në veprat klasike botërore. Drama e tij personale duhet marrë se ai ishte udhëheqës e strateg, se luftoi kundër Turqisë, se luftoi përçarjen feudale, etj. Ai tha se ka ardhur koha të rishikojmë ndikimi e traditës klasike. Pra, me kryqëzimin e Prenk Jakovës po niste edhe një pseudo-revolucion i artit komunist në Shqipëri, vetëm dy vjet para plenumit të katërt që kryqëzoi armatën e artistëve më të mirë, të cilën me sa duket Prenk Jakova “e parashikoi” dhe bëri vetëvrasjen.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’