Një drejtues mjeti lundrues është ndëshkuar me gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj në Ksamil, pasi ka hyrë me gomone në zonën e sigurisë pranë plazhit, duke rrezikuar pushuesit.
Sipas Policisë, mjeti lundrues ishte futur brenda perimetrit të sigurisë në zonën e “Plazhit Publik” në Ishujt e Ksamilit. Blutë kanë njoftuar se kanë bllokuar edhe mjetin lundrues.
Po ashtu, Policia e Shtetit i bën apel të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit.
Njoftimi i Policisë:
Ksamil/ Shkel perimetrin e sigurisë me mjet lundrues, duke rrezikuar pushuesit, ndëshkohet me 500 000 lekë të rinj drejtuesi i mjetit.
Bllokohet edhe mjeti lundrues.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë me intensitet kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ishujve të Ksamilit, te “Plazhi Publik”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (gomone), i cili kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin në plazh.
Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi A. B., u ndëshkua me masë administrative 500 000 lekë të rinj.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to, të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit.
Komente









