Ksamili nuk njihej fare, plazhet e preferuara të shqiptarëve para viteve 90, nga 'Breshka', tek tuneli ku ngacmimet mbuloheshin nga britmat

Ksamili nuk njihej fare, plazhet e preferuara të shqiptarëve para viteve 90, nga 'Breshka', tek tuneli ku ngacmimet mbuloheshin nga britmat

Cilat kanë qenë plazhet e preferuara, dhe si bënin shqiptarët pushimet para dhe pas viteve 50-të, në veçanti ata që preferonin detin? Durrësi ai më kryesori, në tre muajt e verës, i frekuentuar nga aristokracia, pasanikët, por dhe nga vetë Mbreti Zog. Pastaj periudha e viteve 1960-‘70-‘80-të kanë qenë të veçanta për shqiptarët, individë apo familje që pëlqenin detin. Në ato fillime plazhet ishin të pakta dhe Durrësi, Vlora, Saranda ishin ato më kryesorët. Shëngjini filloi të preferohej me vonë, si dhe Divjaka, ndërsa Dhërmiu, apo bregdeti jonian, ndonëse pëlqehej ishte i kufizuar nga udhëtimi i largët, i vështirë dhe mundësia e pakët për sistemim.

Pra, plazhi i Durrësit ishte epiqendra, (shumë më pak ai i Golemit dhe i Currilave), kur vetë durrsakët si dhe kryeqytetasit dyndeshin në fundjavë. Ndryshe qëndrimi familjar që ishte i planifikuar dy javor, me leje dhe kabina që jepeshin nga qendra e punës apo ndërmarrja, por edhe me fleta kampi që shpërndaheshin nga Bashkimet Profesionale, kryesisht për punonjës të dalluar. Por edhe nga Organizatat e Rinisë kishte fleta kampi për të rinjtë revolucionarë. Në vitet ‘80-të, kishte edhe kampe me çadra për studentë të vendosura tek ‘Hekurudha’, në pjesën matanë rrugës. Në plazh, kishte edhe vila të ndërtuara nga individë apo familje gjatë kohës së Mbretërisë së Zogut, por të sekuestruara nga sistemi komunist dhe që jepeshin për përdorim gjatë muajve të verës për kuadro, apo familje të privilegjuara.

Natyrisht në raport me kabinat prej dërrase, ishin shumë komode. Si në kabina, apo vila, familjarët gatuanin vetë dhe të dukej habi, kur në mëngjes, nga kabinat dilnin njerëz, apo familjarë të shumë të numër, çka tregonte se në atë kabinë, me hapësira të vogla, te kishin fjetur shumë persona. Kjo intensive, e pashmangshme të shtunën për të diel. Një histori, sa nostalgjike e përjetuar nga breza, e shtrirë nga “Teuta” te “Apolonia”, “Hekurudha” deri te “Iliria”, me “Breshkën”, aty ku lindën historitë e dashurive më të famshme shqiptare.

Nga treni veror, barkat me qira, ndeshjet, xhirot e famshme, moda, kinemaja verore, kabinat e paharruara ditore për veshje-zhveshje, çadrat, radiot e dorës, Hotel “Adriatiku” me turistet e huaja, orkestrat, radha për ujin e pijshëm, Vila “Lule” ( arkitektit të famshëm Kristo Sotiri) dhe ‘Blloku’, zona e ndaluar për të gjithë. Një kohë e shkuar, pasione pa kthim, e që brezin tim e rikthen te kënga e njohur e muzikës italiane, “Come passa il tempo”- e kënduar nga Camaleonti, Dik Dik dhe M. Vandeli, edhe këta të “Viteve ‘70”.

Plazhi i Durrësit, fillimet…!

Në fillim të shekullit 20-të zona e plazhit ka qenë tokë bujqësore, madje rruga Durrës-Kavajë, pjesa Ura e Dajlanit –Plepa, ishte me kalldrëm dhe shërbente si vijë ndarëse e pjesës së plazhit dhe tokës bujqësore. Duke parë cilësinë e rërës, italianët kishin treguar interes për këtë zonë. Rreth viteve ‘30-të Mbreti Zog dhe Oborri Mbretëror, ngarkoi Bashkinë e Durrësit me një grup specialistësh, të hartonin planin rregullues për plazhin në një gjatësi 4 km. të ndara në 300 parcela, me sipërfaqe 400-500 m2 secila. Bashkia e Durrësit ja shiste tregtarëve durrsakë apo tiranas (nuk figurojnë të huaj) që sipas planit urbanistik, duhet të ndërtonin ndërtesa deri në dy kate dhe të larguara detyrimisht 80 metra nga vija e ujit, me kushtin që gjysmës së sipërfaqes t’i jepej përparësi gjelbërimit.

Kjo zonë e quajt “Banjat e Durrësit” dhe deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, ishin ndërtuar rreth 80 vila, vlera e të cilave lëvizte nga 1.500 deri në 5000 franga ari. Në këtë periudhë vetë Mbreti Zog e familja e tij, ishin admirues të detit. Ndërkohë, pronarët e vilave të ndërtuara apo tregtarët si dhe familjet e mëdha e të njohura nga Tirana, ishin frekuentues të rregullt të plazhit, madje fotot e kohës e konfirmojnë realisht këtë fakt. Pas luftës, të gjitha vilat e plazhit u shtetëzuan e fillimisht u përdorën si Shtëpi Pushimi për punëtorët, ndërsa më pas, një pjesë e tyre u kthyen në vila pritje për udhëheqësit e partive të huaja marksiste–leniniste dhe si Shtëpi Pushimi për drejtues të lartë partie. Qytetarët durrsakë filluan ta frekuentojnë masivisht plazhin vetëm në fillim të viteve ’60-të. Deri në atë kohë ata i drejtoheshin Currilave në veri-perëndim të qytetit.

“Breshka”, kush ishte njeriu që i dha emër?

Një pjesë e rëndësishme sidomos në aspektin nostalgjik për plazhin e Durrësit, mbetet ndërtesa te Hekurudha me emrin “Breshka”. Por, cili ishte ai që e ndërtoi vilën dykatëshe më të famshme të plazheve shqiptare e njohur me emrin e veçantë “Breshka”? Ndonëse njihet si Rexhep Breshka, emri i vërtetë është Rexhep Çakrri. Dokumentet e kohës, ato të gjendjes civile saktësojnë këtë fakt. I lindur në Durrës në vitin 1989, ai është I dyti nga pesë fëmijët e familjes së Hysejn Çakrrit, të përbërë nga katër vëllezërve dhe një motre. Ndonëse me traditë në tregtinë e vogël, kryesisht të lëkurëve, copave dhe material ndërtimit, Rexhep Çakrri figuron me profesion hotelier. Njeri i thjeshtë dhe shumë punëtor me një vizion admirues për kohën, shumë shpejt do të nuhaste se tregtia e breshkave me italianët do të ishte fitimprurëse. Nuk kishte gabuar, madje prej tyre morri famë, u pasurua, investoi deri në ndërtimin e stabilimentit të famshëm.

Ideja për ndërtimin e hotelit…!

Aktiviteti i tij i parë bamirëse ka qenë ndërtimi i zonës përballë “Vollgës”, për të bërë banjë në det qytetarët durrsakë. Ai e kufizoi duke e ndarë më dërrasa në dy pjesë, veç për burra e gra, në mënyrë që të mos shiheshin nga njëri-tjetri. Por, me ardhjen e një reparti ushtarak italian në Durrës rreth viteve ’30-të, që shërbeu edhe për miqësinë e vëllezërve Çakrri me disa prej tyre, lind edhe bashkëpunimi tregtar por në veçanti ai i ndërtimit në zonën e plazhit. Fillimisht pasi morën me qera një truall toke rreth 500 m2, pak kohë me vonë vëllezërit Çakrri të detyruar nga Bashkia e blenë atë. Bashkë me një italian, rreth vitit 1932 ndërtuan një urë me dërrasa që futej disa metra në det, që do t’i shërbente për transport tregtar me mjete të vogla lundruese nga porti deri tek kjo zonë (Hekurudha), duke evituar rrugën automobilistike.

Pastaj ideuan ndërtimin e një ndërtese dykatëshe përballë kësaj ure, me funksion të dyfishtë: Restorant kati i parë dhe hoteli i dyti. Njëkohësisht edhe ndërtimin e disa kabina të vogla prej dërrase dhe vendosjen e disa ruleve në dy krahët e hotelit, për veshje zhveshje ditore të plazhistëve. Ndërtimi i’u besua arkitektëve shqiptarë të kohës, ndërsa për administrim vëllezërit Çakrri si dhe ortaku Italian, i’a besuan Rexhepit pasi, ishin të angazhuar me të tjera punë. Hoteli nuk pati emër, por më pas ai filloi të njihej si hoteli i Xhepit, pastaj i “Xhepit të Breshkave”, dhe përfundimisht me kalimin e kohës “Hotel Breshka”. Për rrjedhojë, të gjithë familjes Çakrri, i’u tjetërsua mbiemri në Breshka.

Punimet për ndryshim apo investime të vogla kryesisht në mirëmbajtje, vazhduan edhe gjatë Luftës (1939-1944) dhe kjo infrastrukturë i qëndroi kohës deri kur shteti vendosi për ta shtetëzuar. Pas përfundimit të Luftës, të dy ortakët u ndanë për të mos u takuar kurrë më, për shkak të izolimit, por ajo që ngritën mbeti dhe ndërtesa me emrin “Breshka” mori famë e popullaritet, ndonëse ideatorët nuk jetonin më. Vetëm një tentativë pas viteve ‘90-të, kur një anije me emrin “Breshka” ndaloi në portin e Durrësit dhe familjarët e italianit kërkuan të takohen me ato të Rexhep Breshkës, pa mundur të realizohet.

Fundi i trishtuar…!

Pas përfundimit të Luftës dhe ardhjes në fuqi të ‘Pushtetit Popullor, ashtu si të gjithë tregtarëve, edhe Rexhep Çakrrit- Breshka, i’u konfiskua e gjithë pasuria, ndër to edhe hoteli-pista, kabinat, e gjithçka që ndërtoi në atë zonë të plazhit. Ai vdiq në vitin 1949, në moshën 60 vjeçare, duke lënë pas vetëm gruan Nadire (1905-1993) dhe tre fëmijët, Ramazanin, ish-boksier i Klubit Sportiv “Partizani”, Besnikun dhe Sedeten, si dhe një pasuri të madhe që i shërbeu brezave ndër vite, por që familjarët nuk trashëguan asgjë, përveç famës së emrit që la. Edhe sot familja e shumtë në numër e Çakrrit, në dokumentin apo pasaportat që kanë, figurojnë zyrtarisht me mbiemrin popullor “Breshka”.

Frekuentimi i plazhit

Si një vend bregdetar, deti ka qenë preferencë e shqiptarëve më shumë se ai malor. Qytetarët durrsakë filluan ta frekuentojnë masivisht plazhin pas mes viteve ‘50-të. Deri në atë kohë i drejtoheshin plazhit të Currilave në veri-perëndim të qytetit. Pikërisht në fund të viteve ‘50-të, krahas shtetëzimit të vilave të ndërtuar nga tregtarët, filluan të ndërtohen komplekse hotelerie me arkitekturë të dukshme sovjetike, si Hotel “Adriatik”, “Butrinti”, “Kruja” dhe “ Durrësi”, si dhe Shtëpitë e Pushimit të Punëtorëve, apo të ristrukturohen Konvaleshenca e Ministrisë së Brendshme e të ndërtohen, ajo e Ministrisë së Mbrojtjes, Kampi i Pionierëve dhe Kampi i Rinisë në Golem, që ishte me çadra.

Jemi në vitet kur plazhi i Durrësit kthehet në pikën verore më të rëndësishme për intelektualë, sportist, artistë, qytetarë, studentë e familjarë, të cilët me kursimet tyre vjetore synonin ti shpenzonin gjatë kësaj periudhe në plazhin më të frekuentuar të vendit. Bregdeti jonian shfrytëzohej shumë pak, me një numër të reduktuar pushuesish. Dhërmiu ishte ai më kryesori, që kishte një ndërtesë të vogël, që shërbente si Kamp Pushimi, për të cilin jepeshin fleta kampi vetëm nga Bashkimet Profesionale. Udhëtimi për në atë zonë ishte i vështirë dhe me kushte minimale për pushuesit. Ndërkohë, frekuentoheshin më pak plazhet e Shëngjinit, Golemit dhe Patokut, (10 km. në vijë të drejtë nga qyteti i Laçit), ndërsa vlonjatët kishin plazhin e vjetër, ndërsa sarandjotët atë në qytet. Ksamili, nuk njihej fare si plazh, madje ishte zonë e ndaluar, si të gjitha zonat kufitare. Ndërsa pishinat popullore, nuk ekzistonin fare në ato vite.

Si planifikoheshin pushimet?

Leja e pushimit dy javore ishte e vetmja kohë pushimi për të gjithë shqiptarët në harkun e një viti. Pëlqehej periudha korrik-gusht, shumë më pak qershori apo shtatori. Nga ndërmarrjet, jepeshin autorizim për një sistemim në dhoma me sipërfaqe të vogla, me një komoditet minimal, me emrin kabina. Ato ishin prej dërrase apo betoni shumë të vogla. Por kishte edhe fleta-kampi, që jepeshin nga Bashkimet Profesionale, kryesisht për punonjës të dalluar dhe nga Organizatat e Rinisë për të rinjtë revolucionarë. Në vitet ‘80-të, u aplikuan edhe çadra për studentë e familjarë të cilat u vendosën tek “Hekurudha”, (Plazhi i Durrësit), në pjesën matanë rrugës.

Por, më të preferuar ishin vilat e ndërtuara nga tregtarë, pasanikë gjatë kohës së Zogut, por të sekuestruara më vonë dhe që jepeshin për përdorim gjatë muajve të verës për kuadro, apo familje të elitës. Transporti i familjeve për në plazh nga Tirana në Durrës, bëhej me prenotim, me mjete tip “Zuk”, me të cilin udhëtonin katër apo pesë familje. Të gjithë ishin të detyruar të merrnin me vete mbulesa, enë kuzhine, deri tek furnela e bidoni i vajgurit, gjithçka që nevojitej për 15 ditë qëndrim. Administrata e plazhit siguronte kabinën, krevate e dyshekë, çadrën, të cilat i merrje në ardhje dhe i dorëzoje kur mbaronte 15 ditshi.

Familjarët gatuanin vetë, madje kishte radhë për ushqime, apo për ujë të pijshëm, që merrej me bidonë plastikë të cilët vendoseshin në radhë për të pritur të mbusheshin në një çezëm që dilte nga toka. Por, e vajtja për nevoja personale në banjot publike, ishte një tjetër proçes aspak komod. Kur zbardhte dita, nga ato kabina të vogla do të shihje të dilnin njëri pas tjetrit njerëz, apo familjarë të shumë të numër, çka tregonte se në në një hapësirë të vogël, kishin fjetur disa persona. Po kështu edhe në çadra, shpesh here qëndrimi ishte tejet e populluar. Pastaj vajtja në rërë, hapja e gropës dhe sistemimi i çadrës.

Treni veror, i paharruar, të parët durrsakët

Pas viteve ’50-të kur fluksi u shtua, udhëtimi i durrsakëve drejt plazhit realizohej me tren, biçikleta, por edhe me karrocë me kalë që me itinerarin vajtje-ardhje, transportonte plazhistë deri tek “Hekurudha”. Por, ai që nuk harrohet dhe mbahet mend ishte treni veror. Ideja për të ndihmuar durrsakët e shumtë që shkonin në plazh, i shtyu drejtuesit e Hekurudhës, të sajonin trenin veror, duke i transformuar disa vagonë të amortizuar, në vagonë verorë. Në karrocerinë e tyre u vendosën stola prej dërrase, një mbulesë ose jo, dy-tre vagonë. Kjo pas ndërtimit të hekurudhës Durrës- Peqin (1947), me vajtje ardhje Durrës-Plazh–Golem, ishte çdo ditë dhe një herë në çdo orë.

Tiranasit, drejt “Breshkës” edhe me motor e biçikleta!

Ai me tren, nga Tirana në Durrës ka qenë mjeti i preferuar dhe modern për kohën gjatë tre muajve të plazhit, në veçanti pas ndërtimit të hekurudhës Tiranë –Durrës 1949. Deri në vitin 1974 nisja nga Tirana bëhej nga stacioni i vjetër i trenit që ndodhej rreth 500 metra në thellësi të rrugës paralele me stacionin e ri. Bileta kushtonte 45 lekë, kur ishte me prenotim vajtje-ardhje, 70 lekë. Edhe në Durrës, stacioni ishte ai viteve ‘50 të (aktualisht ka mbetur ndërtesa në gjendje të mirë), më pas u ndërtua ai i ri.

Treni i viteve 1950-’60-të, ishte ai me vagonë të vegjël dhe me lokomotivë që punonte me qymyr. Në vitin 1965, filloi treni me lokomotivë nafte, vagonë të gjatë të ardhur nga Çekosllovakia, që u përdor për pasagjerë, ndërsa ai me qymyr që kaloi për mallrat. Por, ai që nuk harrohet dhe mbahet mend edhe për kryeqytetasit ishte treni veror. Nisur nga fluksi i madh pas viteve ‘60-të, lindi nevoja që nga Tirana të nisej edhe një tren veror. Fillimisht me qymyr, deri në vitet ‘70-të, ka funksionuar rregullisht. Aplikohej në fund javë të shtunë e të djelë, ku ishte më intensiv, por edhe gjatë javës. Me pak vagonë, 4-5 të tillë, ai nisej në mëngjes ora 6.00 dhe kthehej në mbrëmje. Pra vetëm një rrugë, vajtje-ardhje Tiranë-Shkozet, jo në Durrës.

Qëndronte në Shkozet, priste pasagjerët dhe kthehej.

Ishte i ndërmjetës midis trenave zyrtarë, dhe tejet i preferuar pasi udhëtoje në fresk, me bileta vajtje-ardhje, që i prenotoje gjatë javës. Ecte me një shpejtësi 40-50 km, krejtësisht i hapur si ato të filmave. Madje mbeturinat e qymyrit shpesh herë bënin pis udhëtuesit, prandaj qëndrimi me kurriz nga Lokomotiva, ishte më komod. Vetëm gjatë muajve të plazhit, pastaj ai qëndronte në një nga kapanonet ku riparoheshin e trenat. Treni ishte prodhim rus, mbante rreth 2000 pasagjerë, shumë prej tyre qëndronin në këmbë gjatë gjithë rrugës, rreth 1 orë udhëtim. Bileta kushtonte 45 lekë copa, kur ishte me prentotim, 70 lekë vajtje-ardhje. Deri në fund të viteve ‘60-të, pastaj u hoq nga qarkullimi. Por edhe me biçikleta, motor kush kishte apo, edhe me ndonjë mjet të rastit, kanë udhëtuar për në plazh. Ai me biçikleta konsiderohej edhe si sport, shoqërohej me mjete ndihmëse në rast nevoje, si kamerdare rezervë, pompë, mastiç, letër zumpare. Me të mbërritur, biçikleta vendosej në rërë me gomat lart. Sidoqoftë, klasiku mbetej me treni.

Tuneli, aty ku frika, ngacmimet mbuloheshin me britma?!

I vetmi në ato vite në hekurudhën shqiptare. Dikush kishte frikë, kryesisht gra e fëmijë, por jo të rinjtë. I modeluar sipas stilit rus, treni për në Durrës ishte i detyruar të kalonte aty, në kodrat e Rrushbullit, pak kilometra para mbërritjes në Shkozet. Karakteristikë ishin vërshëllimat e zgjatura e të forta, britmat, ulërimat, ishte vetmi vend ku mund të bërtisje i lirë, pasi ishte e vështirë të verifikonte. Madje dikush tentonte edhe te ngacmonte ndonjë femër në ato pak çaste që mund t’i ndodhej pranë. Pastaj kur drita afrohej dhe treni dilte nga tuneli, të gjithë dukeshin të qetë, normalë dhe aspak dikush prej tyre kishte qenë ndryshe pak sekonda më parë. Pastaj mbërritja në Shkozet: Disa udhëtues hidheshin nga shkallët e trenit, kur ai kishte ulur shpejtësinë, ende pa u ndalur krejtësisht. Kishin aftësinë të sinkronizonin hapat e tyre me shpejtësinë, pa rrezikuar jetën në atë kërcim vallëzues, por të kënaqur si askush tjetër.

Nga Shkozeti, drejt Hekurudhës, të gjithë në këmbë!

Jo të gjithë trenat ndalonin në Shkozet, ato të linjave kryesisht. Dhe për këtë arsye, të vije në plazh duhet të merrje autobuzin, Durrës-Plepa. Vetëm në fundjavë, bashkë me trenin veror, Shkozeti ishte i detyruar që treni të ndalonte. Pikërisht ky ishte edhe një ndër momentet më kulmore e fillimit të ditës intensive të plazhit, kur treni mbërrinte në stacionin e Shkozetit, nga ku turma si një lumë, derdhej fillimisht në atë rrugë të ngushtë e të gjatë 100 metra që e lidhte stacionin me rrugën kryesore automobilistike të plazhit. Të gjithë në këmbë, turma kthehej majtas dhe merrte drejtimin paralelisht me bregun, në rrugën e dytë përbri asaj automobilistike./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 19/07/2022 23:19

    E kemi kaluar bukur plazhin ne ate kohe.Dhe ishte me mire dy javor,se sa torturat ne trafik cdo weekend qe kalojne sot njerezit.Une kam qene te plazhet e Durresit,Vlores dhe Shengjinit si dhe ne Pogradec dhe akoma kam nostalgji.Veren nuk e imagjinoj kurre te kalohet ne vend tjeter vec se ne bregdet,apo buze liqenit,cdo vend tjeter si malesi e fshat,per mua eshte sakrilegj.Tek keto vende mund te shkosh ne cdo stine tjeter,por ne vere,deti eshte mbret.Gazetari duhet te shtonte, qe duhet te kishe mik per te gjetur nje kabine,apo nje flete kampi.Gjithashtu duhet te shtonte qe edhe pse zyrat e plazhit ofronin sende,shume njerez i sillnin nga shtepite gjerat qe duheshin ne kabine ,duke filluar nga pjatat,gotat,luget,pirunjte,thikat e deri tek tenxheret,tepsite e furnelat dhe carcafet e kellefet,kova,fshesa,etj,dukej me shume sikur po ndronin shtepi,se sa po shkohej ne plazh.Me kujtohet, qe diten e pare te rriturit merreshin me pastrimin e kabines(jo se ishin te papastra),por e donin pastertine sipas standarteve te tyre dhe nxirrnin dysheket qe na i jepte zyra e plazhit(se nuk e di si quhej)ne Diell per disa ore.Natyrisht ne qe ishim te vegjel nuk kishim problemet e te rriturve,per ne, plazhi fillonte zyrtarisht qe diten e pare,futeshim ne uje,mblidhnim guacka,ndertonim <<keshtjella>> rere te lagur buze detit.Miqesi e muhabete zhvilloheshin me komshijte e kabinave.Kush ka pare komedine //Shi ne plazh// mund te krijoje nje ide per pushimet ne plazh ne ate kohe.Tani te vjen keq se si ndertimet dhe pallatet i jane afruar bregut duke ngrene sip.te tera dhe pjesen tjeter e ka ngrene erozioni detar dhe ngrohja e klimes dhe mbi te gjitha shikon se nuk ka barazi mes sip.te plazheve publike e private,por kjo eshte nje ceshtje qe do te zgjidhet ne te ardhmen,kur shteti te mesoje me mire si behen rregullat e lojes,por pushimet e asaj kohe ishin te jashtezakonshme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?