Dëshmia e rrallë e sportistes që mbajti flamurin e delegacionit shqiptar: Kur më hoqën nga lista e Olimpiadës së Mynihut në ’72-in u ankova te zv.kryeministri

Dëshmia e rrallë e sportistes që mbajti flamurin e delegacionit shqiptar: Kur më hoqën nga lista e Olimpiadës së Mynihut në ’72-in u ankova te zv.kryeministri

Ka qenë dhe mbetet si një rast i pa përsëritshëm dhe unik për arkivin e Olimpiadave, kur në një turne të tillë, një femër konkurron e vetme midis meshkujve, në një garë sportive të vështirë, siç ka qenë ajo me pistoletë. Si e rikthen sot Afërdita Tusha, gati pas një gjysmë shekulli pjesëmarrjen e Shqipërisë në atë eveniment gjigant dhe tejet historik, për sportin shqiptar? Cila ishte vajza që rivalizoi djemtë, duke habitur botën sportive të qitjes? Pse e hoqën nga lista dhe urdhri i zv/kryeministrit Adil Çarçani, që të nisej për në Mynih, pastaj provat me Teatrin e Operës, me kostumin tradicional të parakalimit dhe si u informua për aktin terrorist ndaj sportistëve izraelitë?

Lidhur me këto e të tjera, Afërdita Tusha, na i rrëfen në intervistën që po publikojmë në këtë shkrim, me rastin e hapjes së Lojërave Olimpike, që filluan mbrëmë në kryeqytetin francez, Paris.

Znj, Afërdita, pse konkurrimi me djem?

Ali Mata është trajneri deciziv në karrierën time. Duke nuhatur që isha e fortë në garat me pistoletë, Ali Mata kishte kohë që më orientonte, duke më stërvitur me idenë që të konkurroja në garat e meshkujve me pistoletë, si në Shqipëri, por edhe në aktivitetet ndërkombëtare. Duke qenë se në garat ekipore kërkohej pjesëmarrje në të gjitha garat, që i jepnin pikë ekipit, unë merrja pjesë aktive, ndonëse nuk ishte e lehtë të ndryshosh pistoletat, pasi janë të ndryshme në formë e me kapje të ndryshme.

Ndërsa përzgjedhja e bërë nga trajneri Ali Mata për në Olimpiadë, u krye nisur nga rezultatet njëvjeçare të arritura në garat e kontrollit dhe ato zyrtare e ndërkombëtare. Unë kisha rekordin me 559 pikë, me pistoletë MG-50 m, 60 fishekë me 600 pikë të mundshme. Do të konkurroja e vetme, midis 100 meshkujve që rregullorja e Olimpiadës e lejonte.

Na përshkruani pak momentin kur u lexua lista…?

Kishim kohë që stërviteshim intensivisht në poligonin e Tiranës, një ditë na thirrën në Ministrinë e Arsimit. Ditën që do të lexohej lista pra, kur papritur emri im nuk figuronte…?! Të dëshpëruar, pa ditur motivin (në vendin tim, kishin vendosur një tjetër qitës), të ndodhur para këtij fakti, Ismail Rama, më tha: “Afërdita, kërkoje të drejtën”.

Bashkë me bashkëshortin tim, shkojmë në Kryeministri, për të takuar Adil Çarçanin, si Zv/kryeministër që ishte, pasi qeveritarët e tjerë, ishin me pushime, por ishte e pamundur. Ndërkohë Ali Mata, i revoltuar dhe i bindur te rezultatet e mia, i ndodhur në zyrën e shefit të Klubit “17 Nëntori”, Dhori Hanaxhari, shpërthen: “Pse na i hoqët Afërditën? Unë jam trajneri dhe kjo duhet të vijë në Mynih, se kështu them unë dhe u largua duke përplasur derën”.

Ndërkohë Dhori Hanxhari, një njeri shumë i mirë, flet me gruan e tij, e cila kishte njohje me atë të Adil Çarçanit, që do të më ndihmonte në një moment deciziv pak më vonë. Na informuan se, në orën 13:00, Çarçani çdo ditë shkonte për të ngrënë drekë në shtëpi, të cilën e kishte përballë “Piramidës” sot. E pritëm dhe kur erdhi, ia treguam çështjen: “Po, e kam firmosur listën dhe ju jeni e para. Shko kërkoje në federatë, pasi nga rezultatet nuk marr vesh”, – na tha ai, ndërkohë që në shtëpi gruaja e kishte informuar për situatën.

Vrapuam në Komitetin e Sportit dhe takuam kryetarin Veis Lelo, që nuk mori përgjegjësinë për ta zgjidhur çështjen, duke na përcjellë sërish te Kryeministria. Të dëshpëruar dhe pa shpresë, pak ditë më vonë, ndodhemi në sallonin e Kryeministrisë, për të kërkuar një takim me Adil Çarçanin, kur një burrë, pasi foli në telefon në praninë tonë me Ministrinë, dëgjuam t’i thoshte “…Bëni çfarë të doni, Afërdita do të shkojë patjetër”, – duke na e bërë me shenjë dhe informuar se problemi ishte i mbyllur.

Na tregoni pak historinë, me flamurin dhe kostumin kombëtar…?

Në ditët në vijim, më njoftuan se nga Komiteti i Sportit, ishte vendosur që do të mbaja edhe flamurin në parakalimin hapës, duke qenë e veshur me kostum kombëtar. Për këtë arsye, më çuan në Teatrin e Operas dhe më dhanë një kostum të Malësisë së Madhe. Ishte i jashtëzakonshëm, shumë i bukur, nuk më ishte dhënë rasti asnjëherë më parë, të shihja një të tillë.

Ma treguan si duhet ta vishja, bëra disa prova dhe e kam veshur vetë para fillimit të parakalimit. Më dhanë edhe disa varëse të verdha shkëlqyese, shoqëruese të kostumit. Si kostumin edhe flamurin, i mora dhe e kam ruajtur me shumë kujdes atje, pasi ishte shumë i veçantë dhe paraqiste interes. Kujtoj se kaq shumë tërhoqi vëmendjen, sa nga kurioziteti fotografë të shumtë, më kanë bërë foto në pafundësi. Qëndruam edhe në ceremoninë mbyllëse dhe kur u kthyem e dorëzova aty ku e mora.

Garat, si u zhvilluan ato?

Garat u zhvilluan në ditët e para të turneut, në një poligon afër Mynihut, Hochbryk. Pa asnjë seancë njohje, apo stërvitje, nga hoteli, direkt e në poligon. Kisha shumë emocion nisur edhe nga fakti si u zhvilluan ngjarjet për nisjen time, (ndërkohë pak kohë më parë isha bërë edhe nënë, me vajzën time të parë). Pastaj gara e vetme midis meshkujve. Kam garuar me një pistoletë kineze, pasi ato përdornim edhe në Shqipëri. Ndonëse e mobilizuar shumë, me eksperiencë në gara ndërkombëtare, përfaqësimi dhe përgjegjësia në Olimpiadë, ishte ndryshe.

Nuk arrita shifrat që pretendoja, ndërkohë që bashkë me mua, por në një grup tjetër, ishte edhe Fatos Pilkati, i cili gjykoj edhe sot, arriti rezultat të lartë. Kjo garë, u hoq pak më vonë për femrat dhe nuk u lejua pjesëmarrja e tyre në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Kujtoj se armët i kishim marrë me vete dhe në avion na i morën, duke i sistemuar në një vend të sigurt. Po kështu edhe në Mynih i dorëzuam, duke i mbyllur në dollapë armatimi. Ashtu si dhe në Tiranë, ku ishte e ndaluar mbajta e tyre në mjedise publike, apo privatisht.

Cili ishte reagimi i shtypit?

Ka qenë i madh, për faktin se një grua nga Shqipëria, e vetme do të konkurronte në garë me djemtë në një disiplinë të vështirë, si ajo e pistoletës. Madje, më kërkuan në intervista, dhe u bënte habi fakti, se nuk isha sportiste profesioniste!

“Është specialiste në riparimin e aparaturave dentare”, – ishte shpjegimi i Fatos Pilkatit, kur përkthente në anglisht. – Gazetarët habiteshin dhe nuk e besonin se një qitëse me rezultatin 599 pikë, që ishte shifër e lartë për kohën, pretendente për një vend medalje në Olimpiadë, të ishte krejtësisht amatore dhe nga një vend i vogël.

Si e përjetuat rekordin e Ymer Pampurit?

E kam ndjekur garën në sallë, bashkë me sportistët e tjerë, në veçanti momentin kur Pampuri ngriti lart shtangën. Kujtoj se trajneri Zyhdi Mazreku, ka qenë vendimtar në rekordin e Ymer Pampurit, pasi duke qenë se Pampuri nuk e ngriti peshën në tentativën e parë, ishte Mazreku, që urdhëroi që shtanga të vendosej në shifrën 125 kg., pasi ia njihte forcën, karakterin dhe mundësitë Ymer Pampurit.

Dhe nuk gaboi. E diskutonim këtë fakt kur ishim bashkë të gjithë, sidomos pas rekordit dhe gëzimit që na përshkoi të gjithë ne sportistëve, ishte shumë i madh. Pastaj ceremonia dhe emocion, kur dëgjuam himnin.

Po sulmin terrorist të palestinezëve ndaj atletëve të Izraelit?

Unë e kam ndier nga afër, pasi vilat trekatëshe ku qëndronim ne vajzat, ishte pranë atyre meshkuj, ku ndodhi tragjedia. Kujtoj se gjithçka ka filluar pas mesnate, ndonëse në mëngjes kuptuam se diçka kishte ngjarë. Duke mos njohur gjuhën, edhe pse në televizion transmetoheshin pamje, orë më vonë u njoftuam plotësisht për çfarë po ndodhte.

Kur pashë fotot, njoha njërin nga atletët izraelitë, pasi dallohej nga të tjerët, për nga modeli i flokëve. Jo unë, por askush nga sportistët, nuk mund të imagjinonte se mund të kishte një sulm terrorist në kampin e sportistëve, pasi asnjë shqetësim të tillë nuk pati, para dhe gjatë ditëve në vijim. Sidoqoftë, garat vazhduan normalisht, por situata nuk ishte entuziaste.

Pati shpërblim për pjesëmarrje e rezultate?

Përveç atij moral, disa privilegjeve modeste për kohën, kujtoj se nga Mynihu, jemi kthyer me një televizor. Ndonëse dieta ishte e vogël, rreth 120 dollarë, në qytet gjatë gjithë periudhës së Olimpiadës, në dyqanet e tij, kishin vendosur televizorë bardhezi, që transmetonin pa ndërprerje për 24 orë, garat për qytetarët.

Një mik kosovar, na ofroi mundësinë për të blerë një nga këto televizorë, që do të shiteshin në përfundim të aktivitetit. Nuk na krijuan problem në doganë, duke na i lejuar t’i merrnim në kthim. Nuk kujtoj të kemi marrë shpërblime, kryesisht në vlera monetare, apo diçka tjetër.

Në Lojrat Olimpike të Rio De Zhanerio në Brazil në vitin 2016, sërish një femër, është mbajtëse flamuri?

Më vjen mirë që kjo traditë ka vijuar me vajza, të cilat kanë një kontribut në sportin shqiptar, në çdo disiplinë sportive, apo jo? Dua të theksoj se jemi ne femrat, që jemi ngjitur në podiume, kemi fituar medalje.

Kujtoj këtu Elisabeta Karabollin, Diana Matën, Ermira Dingun, etj., të gjitha rekordmene, kampione, madje edhe në elitën e sportit europian e atij botëror. Më vjen mirë që, pas meje, ka qenë edhe Klodian Shala flamur mbajtëse dhe tani në këtë Olimpiadë Luiza Gega, një vajzë dhe sportiste kurajoze, e shkëlqyer, pasi e kam ndjekur në garat.

Çfarë bën sot Afërdita Tusha?

Prej vitesh jetoj në Itali dhe kohët e fundit jam transferuar në Milano, bashkë me familjen, në veçanti duke qëndruar me vajzën. Sidoqoftë, shkoj e vij në Tiranë, pasi kam pjesën tjetër të familjes, miqtë. Jam në pension dhe jetoj në mënyrë modeste në Milano, ndërsa kam një apartament këtu në Tiranë.

Nga ajo Olimpiadë ruaj disa kujtime, të cilat i kam arkivuar bashkë me të gjitha rekordet, tituj e medalje që më kanë shoqëruar si qitëse me 30 vite karrierë, me ekipin kombëtar, “17 Nëntorin” e “Partizanin”. Nga Mynihu më ka mbetur një medalje, fletëhyrja në stadium, karta e identitetit dhe disa foto.

Olimpiada “Mynih 1972”, kush ishin shqiptarët që nisën
të shkruajnë historinë?

Kur kanë kaluar më shumë se katër dekada, ende sot ajo mbahet dhe kujtohet si një ndër Olimpiadat më të famshme të Lojërave Olimpike, për mbarë botën sportive, në veçanti për mjedisin shqiptar. Por, cilët ishin pjesëtarët e atij delegacioni historik, rezultatet dhe ku janë sot protagonistët e atij eventi, nga rekordi olimpik dhe medalja e artë e Ymer Pampurit, tek Afërdita Tusha, femra flamur mbajtëse?

Cila ishte jehona, si u transmetua dhe komentua nga Skifter Këlliçi në Radio-Televizionin Shqiptar përfaqësimi në atë konkurrim? Pse dhe si u organizua sulmi terrorist i grupit “Shtatori i Zi”, brenda fshatit Olimpik, duke vrarë 11 sportistë? Për të vijuar me rivalitetin sportiv, si olimpiada e rekordeve të notarit fenomenal, Mark Spitz, sprintierit sovjetik Valeri Borzov dhe çastet dramatike në fund lojë, midis USA-URSS në basketboll për meshkuj.

Nga Mazreku në “Berlin ’36” në “Mynih ’72”

Olimpiada e vitit 1936, në Berlin, një delegacion sportiv me Anton Mazrekun në krye, Shqipëria është e ftuar nga Komiteti Olimpik i Gjermanisë, të ishte e pranishme në atë aktivitet. Pas 36 vitesh, një tjetër pjesëmarrje e Shqipërisë në Olimpiadë, “Mynih ’72”, me një përfaqësi elite të sportit, kryesisht me qitjen, një sport masiv, dominues e me rezultate për kohën.

Pas tre muajsh përgatitje intensive, më 21 gusht, grupi u nis për në Mynih, me linjën Tiranë-Budapest-Mynih dhe delegacioni shqiptar përbëhej nga: Xhemal Punavia, zv/Ministër i Arsimit, për anën ushtarake, përgjegjës ekipi, pastaj sportistët: qitësit, Afërdita Tusha, Ismail Rama, Fatos Pilkati, Beqir Kosova dhe peshëngritësi Ymer Pampuri, bashkë me trajnerët Ali Mata dhe Zydi Mazrekun, e si gjithmonë, edhe një punonjës i Sigurimit të Shtetit. Duke qenë se Punavia, fliste frëngjisht, për shoqërimin e grupit, ishte caktuar një vajzë gjermane që komunikonte edhe ajo në frëngjisht.

Ndonëse garat e sportistëve shqiptarë përfunduan shpejt, ata qëndruan deri në mbyllje, duke u kthyer më 14 shtator në atdhe. Për të pritur delegacionin, kishin dalë Bedri Dedja zv/ Ministri i Arsimit, Mihal Qipo, sekretar i Federatës Sportive të Sporteve të Rënda dhe Qitjes, si dhe një grup pionierësh.

Ceremonia, madhështore për kohën

Ishin Lojërat e dyta Olimpike që zhvilloheshin në Gjermani, pas atyre të Berlinit në vitin 1936. Qëllimi i organizimit të tyre, ishte për t’i ofruar botës, imazhin e një shteti të ri paslufte, demokratik e në zhvillim, duke transmetuar një atmosferë të gëzuar, për të harruar kujtimet e një Gjermanie hitleriane. Simbolet e turnout, ishin një diell blu, e stilizuar në formën e një spiraleje dhe një “Maskot Valdi”, që bëhet i pari simbol zyrtar i një olimpiade.

Parku Olimpik (Olympiapaark), bazuar në idenë e Frei Otto, edhe sot është një pikë referimi për qytetin, ndërsa elementët e tjerë, si pishina, një strukturë multifunksionale, ishin projekt i arkitektit Gunther Behnich. Më 26 gusht, pasdite, në prani të 84 mijë spektatorëve, në stadiumin e ri olimpik të Mynihut u hapën Lojërat e XX Olimpike (26 gusht-11 shtator).

Në përputhje me traditën, sipas alfabetit gjerman, Greqia – “Griechenland” – parakaloi e para, pastaj “Ägypten”, “Äthiopien”, “Afghanistan” dhe “Albanien” e prirë nga flamuri kuqezi që mbahet prej qitëses Afërdita Tusha e veshur me kostum kombëtar.

Parakaluan gjithsej 132 ekipe, mbi 10.000 sportistë dhe, në fund, ekipin e Republikës Federale Gjermane. Në ato ditë u mblodh sesioni i 73-të i CONI-it, duke zgjedhur edhe kryetarin e ri, lordin irlandez, Kilanin, i cili zëvendësoi miliarderin amerikan, 85-vjeçarin Everi Brandesh.

Në këtë Olimpiadë nuk u lejua të merrte pjesë Rodezia, si vend racist, pas një proteste të më shumë se 39 vendeve jug-afrikane, të cilat e detyruan CONI-n, të merrte një vendim të tillë.

Kush ishin sportistët shqiptarë në Olimpiadën e Mynihut, 1972?

Afërdita Tusha – Qitëse e “Partizanit”, 27 vjeçe, (Mjeshtre Sporti, 1967), merr pjesë për herë të parë në një garë olimpike, duke regjistruar rastin unik, si e para dhe e fundit femër që konkurron në garë me meshkujt, më të mirë të botës, në garën me specialitet pistoletën, 50 m., duke rivalizuar qitësit meshkujt më të mirë të botës, në këtë disiplinë sportive. Mban rekordin kombëtar të kësaj gare, me 599 pikë. Është e treta në baterinë e saj me 94 pikë, nga 100 të mundshme.

Fatos Pilkati – Vetëm 20 vjeç, një ndër talentet e kohës, (“Mjeshtër Sporti”, 1972), për herë të parë në një aktivitet ndërkombëtar të këtij niveli, edhe ky si Tusha, në garën me pistoletë 50 m. Sportist i klubit “17 Nëntor”, klasifikohet në vendin e 24-ët, nga 59 pjesëmarrës, me 546 pikë, kur rezultati i tij më i mirë, ishte 548 pikë. Medaljen e parë të artë në këtë garë, e fitoi suedezi 38-vjeçar, Ranjar Skanaker, me 567 pikë, katër më shumë, se rekordi olimpik.

Ismail Rama – 37 vjeç (“Mjeshtër i Merituar Sporti”, 1963), qitës i klubit “Dajti” në garën me precizon me pushkë të kalibrit të vogël- barkas, 50 m., me 60 fishekë dhe 600 pikë të mundshme, edhe ky për herë të parë në Olimpiadë. Pasi ka thyer rekordin që mbahej nga Shefqet Mata, në vitin 1967 me 595 pikë, siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike dhe renditet në vendin e 22-të, nga 101 pjesëmarrës të 58 vendeve, me shifrën e lartë 594 pikë, vetëm 5 pikë larg rekordit botëror, me 599 pikë, i arritur nga qitësi Republikës Demokratike Popullore të Koresë. (Koreja e Veriut).

Beqir Kosova – 23 vjeç, edhe ky i klubit “Dajti”, (“Mjeshtër i Merituar Sporti”, 1974), konkurron për herë të parë në Olimpiadë, në të njëjtën garë me atë të Ismail Ramës, duke grumbulluar 587 pikë, nga 600 të mundshme.

Rekordi olimpik i Ymer Pampurit

Ka qenë ditë e martë, 29 gusht, kur Ymer Pampuri (“Mjeshtër i Merituar Sporti” dhe sportist i klubit “17 Nëntori”) konkurroi në Grupin A ,që i përfundoi atë ditë garat.

Tri prova: Në të parën kërkoi 120 kg., por dështoi, ndërsa në të dytën 125 kg. (që ishte rekord i ri olimpik, vendosur në “Tokio 1964”, nga japonezi Mijake), Pampuri e kalon me sukses. Prova e tretë, 127.5 kg. dhe rekord olimpik! Nurikan provoi në 130 kg. por pa mundur t’i ngrejë. Kështu, Ymer Pampuri, i sapo shpallur nën kampion i Europës, shpallet edhe kampion olimpik, në stilin e forcës. Agjencia “Associedet Press”, do ta komentonte kështu rekordin e ri olimpik të shqiptarit: “Pampuri i Shqipërisë, e përmirësoi rekordin olimpik në peshën pupël (deri 60 kg.) dy herë brenda 5 minutave, me ngritjen e parë 125 kg. dhe pastaj 127.5 kg.

Ngritësit më të mirë të kësaj peshe, duke përshirë edhe kampionin olimpik dhe botëror, Mijake, si dhe kampionin europian Shanidze në garat e grupit ‘B’, nuk arritën ta thyejnë. Rekordi olimpik dhe medalja e artë iu dha Pampurit, pasi kishte peshën trupore më të lehtë se dy peshëngritës, bullgarë dhe sovjetikë që ngritën të njëjtën peshë në stilin e forcës”. Më vonë, pas Olimpiadës, ky stil u hoq nga garat e peshëngritjes.

Transmetimi televiziv, nga Skifter Këlliçi

Para nisjes së delegacionit për në Mynih, u bë një urim nga gazeta “Sporti Shqiptar”, me titull; “Rrugë të mbarë olimpistëve tanë të parë”, që i bashkëngjiten intervista të protagonistëve.

Pak muaj më parë, TVSH kishte filluar të transmetonte veprimtaritë sportive ndërkombëtare, kryesisht futbollin. Edhe për Olimpiadën, mikrofoni iu besua gazetarit dhe publicistit të njohur, Skifter Këlliçi, i cili, si telekronisti i asaj Olimpiade, kujton: “Ka qenë një çast, kur Todi Lubonja, më thirri në zyrë dhe më komunikoi se; ishte miratuar nga lart, që TVSH të transmetojë Olimpiadën.

Ishte një aktivitet me përmasa gjigante, me 23 lloje sporti dhe 145 gara, një pjesë të të cilave nuk i njihja. Vrapova në Bibliotekën Kombëtare, mora ‘Enciklopedinë Olimpike’, vëllime në italisht, si ‘Historia e Sporteve’ dhe në ndihmë më erdhën disa gazeta të përditshme, si; ‘Sovjetski Sport’, ‘Atletika e lehtë’, si dhe lajme sportive të marra nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Më orientuan që të mos lejoheshin të dilnin në ekran sportistë të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, as edhe ceremonitë e dhënies së medaljeve sportistëve të këtyre vendeve. Transmetimi do të merrej nga kanalet italiane të RAI-t, ndërkohë që hartova një listë me bashkëpunëtorë, si; Feti Borova, Kreshnik Tartari, gazetarin Napoleon Roshi, publicistin Pirro Naçe. Transmetimi fillonte çdo ditë ora 14:00, për të vazhduar deri në orën 24:00, disa herë edhe në orën 02:00 të mëngjesit.

Në ditën përuruese, ora 16:00, filloi ceremonia hapëse, ndërkohë unë në studio, kisha përpara vetëm një mikrofon dhe një kamera. TVSH e transmetoi gjithë programin e RAI-t, pra tërë llojet sportive, duke e ndërprerë vetëm kur ishin edicionet e lajmeve, Revista Televizive e orës 20:00 dhe ndonjë program për fëmijë në mesditë. Emocion kam pasur kur kanë parakaluar sportistët shqiptarë, momentin kur kam komentuar rekordin Olimpik të Pampurit, që janë të paharrueshme për mua”, përfundon nga Bostoni, ku jeton prej vitesh, rrëfimin e tij, Skifter Këlliçi.

Ku janë sot dhe çfarë bëjnë olimpistët shqiptarë të Mynihut?

Ndërsa vitet kalojnë, mbeten po ata, me përjashtim të trajnerit të famshëm legjendë në këtë sport Ali Mata, i cili nuk jeton më dhe kampioni olimpik, Ymer Pampuri, është ndarë nga jeta në vitin 2017-të. Po kështu, edhe Zyhdi Mazreku e Xhemal Punavia, kanë vite që janë ndarë nga jeta. Ndërsa Afërdita Tusha, Ismail Rama, Beqir Kosova, Fatos Pilkati, Ymer Pampuri, gëzojnë shëndet të mirë, ndonëse të shpërndarë në mbarë botën, siç janë edhe 5 rrathët e Lojërave Olimpike.

Afërdita Tusha, në pension, e ndan qëndrimin midis Italisë ku është transferuar prej vitesh me familjen dhe Tiranës; Ismail Rama nuk ka lëvizur, por ka zgjedhur Tiranën, pa iu ndarë asaj; Beqir Kosova, në Zvicër, atje jeton prej vitesh, duke ardhur në Tiranë vetëm me raste të veçanta; Fatos Pilkati, ka zgjedhur Amerikën, Nju Jorkun, ku punon e jeton bashkë me familjen prej shumë vitesh.

Ymer Pampuri, heroi i padiskutueshëm i asaj olimpiade, i papërsëritshëm: deri sa u nda nga jeta në vitin 2017-të, jetonte në Tiranë, në pension, dhe ruante kujtimet e atij përfaqësimi, titujt dhe miqtë e kohës, pasi vitet që vijuan në veçanti ato pas ’90-ës, padrejtësisht e patën lënë jashtë vëmendjes, kur duhet të ishte ndryshe. Jo vetëm për atë, por edhe të tjerët. Kanë bërë sport dhe janë përballur me kampionë gjigantë të kohës, me privilegjin e një 5-orëshi ose diçka më shumë…!/Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi