TIRANË - Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar sot raportin vjetor të respektimit të të drejtave të njeriut në vendin tonë, teksa ka evidentuar dhe dy problematika kryesore, mbipopullimin e burgjeve dhe dhunën në familje, veçanërisht ndaj grave.
Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj, tha se gjendja në burgje nuk është në lartësinë e duhur. "Mbipopullimi në disa institucione të paraburgimit arrin deri në 100% për vitin 2014, ndërsa në burgje ndodhen 32% të dënuar më shumë se kapaciteti i tyre", tha ajo.
Sipas Meçajt, problematikë të lartë ka dhe dhuna në familje, ku në vitin 2014 ky fenomen ka pasur rritje. Ajo gjithashtu evidentoi si problematikë edhe sigurinë në shkolla.
Raporti në tërësinë e tij trajtonte vlerësime rreth cënimit të të drejtave që lidhen me jetën, me shëndetin dhe pasurinë e shtetasve, me lirinë e medias dhe të shprehjes, me të drejtën për proces të rregullt ligjor, me të drejtën për informim, me mbrojtjen nga diskriminimi, me të drejtat e personave me liri të kufizuar, që ndodhen pranë burgjeve/paraburgimeve dhe ambienteve të policisë, me përfshirjen e pjesëmarrjen e shtetasve në çështjet me interes publik. "Jemi ndalur dhe tek disa probleme madhore, që shqetësojnë shoqërinë tonë, si korrupsioni dhe mbrojtja e mjedisit dhe që, direkt ose indirekt, shkaktojnë cënim të të drejtave", tha Meçaj./ATSH/