KShH, raporti: Në zgjedhjet e 23
qershorit u dëmtua rëndë procesi

KShH, raporti: Në zgjedhjet e 23<br />qershorit u dëmtua rëndë procesi
TIRANË - Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), i cili monitoron zgjedhjet në Shqipëri që nga viti 1996, ka bërë një raport mbi zgjedhjet e 23 qershorit 2013.

“Vendimmarrja e njëanshme dhe pa konsensus, në disa raste, e këtij organi cënoi besimin e publikut dhe të subjekteve zgjedhore ndaj veprimtarisë së tij. Kjo dëmtoi rëndë dhe në mënyrë të pariparueshme disa faza të rëndësishme të procesit zgjedhor, si ndarja e mandateve për zonat zgjedhore, shqyrtimin e ankesave, certifikimin e zgjedhjeve dhe ndarjen e mandateve sipas rezultatit zgjedhor, etj”, thuhet në raport.

Më tej vijohet me faktin se subjektet zgjedhore, sidomos shumica qeverisëse duhet të mbante më mirë parasysh faktin se OSBE/ODHIR vazhdimisht ka artikuluar kritika për shfrytëzimin e inaugurimeve për qëllime elektorale, ose përdorimin e administratës publike dhe nxënësit e shkollave në veprimtari zgjedhore, gjë që bie ndesh me paragrafin 5 të Dokumentit të Kopenhagenit të vitit 1990.

Sipas raportit, zgjedhjet u zhvilluan në një situatë të rënduar politike për shkak të marrëdhënieve të acaruara të partive të pozitës me ato në opozitë, gjë që është manifestuar qartë gjatë zhvillimit të legjislaturës së fundit të Kuvendit të Shqipërisë, ku shumë ligje që kërkonin shumicë të cilësuar mbetën pa u miratuar, por dhe nëpërmjet gjuhës së rëndë, që politikanët kanë përdorur ndaj njëri-tjetrit në forume të ndryshme ose përpara publikut të gjerë.

Nga ana tjetër, vendi ynë në mënyrë të përsëritur mori refuzimin për statusin e vendit kandidat për integrim në BE, ndërkohë që 12 çështjet kyçe, të parashtruara për t’u përmbushur nga BE, prej më shumë se 3 viteve mbetën ende detyra për t’u realizuar, së bashku me detyrën e shtuar së fundmi, që lidhet me zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të drejta, në përputhje me standardet demokratike. Kohët e fundit zgjedhjet e lira e të drejta janë konsideruar nga partnerët ndërkombëtarë si një test i rëndësishëm për aspiratat e Shqipërisë drejt aderimit në Bashkimin Evropian.

Sipas Kushtetutës dhe KZ në fuqi, sistemi ynë zgjedhor për deputetët e Kuvendit është sistem proporcional rajonal. Janë përcaktuar 12 zona zgjedhore shumemërore dhe nëpërmjet votimit nga këto zona do të zgjidhen 140 deputetë, të cilët do të dalin nga listat shumemërore të subjekteve zgjedhore, të paraqitura, verifikuara e pranuara nga KQZ.

Për realizimin e zgjedhjeve tashmë ekziston një kuadër i plotë ligjor, por duhet theksuar se Kodi Zgjedhor pësoi kohët e fundit shumë ndryshime, të cilat kapin rreth 60% të normave të tij. Këto ndryshime u hartuan nga një komision parlamentar bipartizan.

Përfundimisht ndryshimet u miratuan në Kuvend më 19.07.2012 me shumicë të cilësuar votash. Vlen të theksohet se me gjithë ndryshimet e shumta që iu bënë KZ, disa nga rekomandimet e OSBE/ODHIR dhe të shoqërisë civile vendase, të pasqyruara në raportet e tyre lidhur me proceset zgjedhore të viteve 2009 dhe 2011 nuk u morën parasysh. Lidhur me amendamentet dhe përmbajtjen e KZ kritika të shumta u artikuluan dhe nga shumica e partive të vogla, të pozitës e opozitës, të cilat ndihen të penalizuara nga natyra e sistemit zgjedhor që Kushtetuta dhe KZ kanë sanksionuar.

Sipas raportit, një sërë përmirësimesh ka pësuar legjislacioni vendas në drejtim të barazisë së shtetasve dhe mbrojtjes nga diskriminimi, gjë që krijon kushte më mbrojtëse për ushtrimin e të drejtës së votës pa diskriminim. Në këtë kuadër një rëndësi të veçantë për garantimin e të drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuar ka dhe ratifikimi nga ana e shtetit shqiptar, në dhjetor 2012, i Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila vendos detyrime të reja lidhur me pjesëmarrjen në votime të të gjithë zgjedhësve me këto veçori.

Zgjedhjet janë një moment me rëndësi për zhvillimin demokratik të vendit. Gjatë viteve të tranzicionit, ndonëse janë vërejtur zhvillime pozitive nga zgjedhjet në zgjedhje, përsëri niveli i standardeve demokratike të realizuara në këto procese zgjedhore nuk ka qenë i kënaqshëm dhe gjithmonë ka pasur kritika lidhur me mosplotësimin e standardeve në këtë drejtim.
 
Monitorimi i kryer nga KShH përfshin periudhën parazgjedhore, ditën e votimit dhe procesin e numërimit të votave. Për këtë qëllim u kërkua akreditimi dhe u miratuan me vendim të posaçëm nga KQZ-ja, 172 vëzhgues, afatgjatë dhe afatshkurtër, prej të cilëve rreth 20 vëzhgues u sugjeruan nga organizata partnere FSHDPAK dhe 10 nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim. Fill pas kësaj u krye me sukses trajnimi i të gjithë vëzhguesve.

Më pas ata u pajisën me manualet dhe dokumentacionin e nevojshëm që do t’i ndihmonte për të kryer monitorimin. Nga pikëpamja kohore monitorimi është shtrirë gjatë periudhës janar – qershor 2013.

KShH që nga viti 1996 ka vëzhguar në mënyrë të vazhdueshme, zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, sepse mbrojtja dhe respektimi i të drejtës së votës, një nga të drejtat themelore të shtetasve, ka qenë dhe mbetet pjesë e rëndësishme e misionit të tij.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës