LEZHË- Reshjet e dendura të dy ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në qarkun e Shkodrës, në qarkun e Lezhës dhe në Fushë-Krujë.
 
Qarku më i prekur është ai i Lezhës, ku Shtabi i Emergjencave raportoi sot paradite për 3500 ha tokë të përmbytur dhe 150  shtëpi.  Në Lezhë për të parë situatën nga afër ka shkuar edhe ministri i Bujqësië Edmond Panariti.

Më pas vjen Shkodra ku në komunën e Bushatit janë rreth 1500 ha tokë bujqësore nën ujë në fshatin Mali i Jushit, ndërkohë që në 7 banesa ka prezencë uji.

Në Lezhë lumi Gjadër ka dalë nga shtrati, dhe zona më e prekur është në fushën e Zadrimës.

PËRMBYTJA NE LEZHË
Gjendja është më e vështirë në Zadrimë. Dalja e lumit Gjadër ka paralizuar zonën. Lëvizja e banorëve të disa fshatrave është bllokuar pasi uji ka mbuluar segmentet rrugore.

Kreu i komunës Dajç Gjergj Doçi e konsideron situatën kritike. Ai thotë se megjithëse është kërkuar gjithnjë ndërhyrja për thellimin dhe zgjerimin e lumit Gjadër, ky problem ende nuk është zgjidhur.

Intensiteti i rreshjeve të shiut dhe rritja e nivelit te lumit Drin me 30 cm mbi pikën maksimale vlerësohen nga bordi i kullimit si shkaku kryesor i këtyre përmbytjeve.
 
Kreu i ketij institucioni Petrit Gjoni shpreh shqetësim për situatën në shtratin e lumit Gjadër. Dalja e këtijj lumi nga shtrati ka përmbytur disa banesa në komunën Dajç. Në këtë komunë janë mbyllur disa shkolla. Gjithashtu është bllokuar edhe rruga që lidh autostradën Lezhë-Shkodër me komunën Dajç, duke izoluar banorët. 

Në zonën e Zadrimës janë përmbytur 1 500 hektare toke, po kaq edhe në Kakarriq. Në Bregun e Matit janë përmbytur 300 hektarë, ndërsa në Fushë Gjorm sipërfaqja e permbytur arrin në mbi 200 hektare.  

Në Gocaj të Lezhës është pezulluar mësimi pasi shkolla është përmbytur në ujë. Korrespondenti ynë Elvis Hila informon se lumi Drin rrezikon të dalë nga shtrati në disa zona, ndërkohë që hidrovorët nuk punojnë pasi mungon energjia elektrike.

PANARITI NE LEZHE: SHTAB PUNE PER EVIDENTIMIN E DEMEVE
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti i shoqëruar nga drejtuesit vendorë ka inpsektuar nga afër zonat e permbytura në komunën e Dajçit në Lezhë. Gjatë fjalës së tij ministri Panariti ka deklaruar se do të ketë një ndërhyrje emergjente në shtratin e lumit Gjadër, me qëllim për ta zgjidhur këtë problem.
 
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se do të ngrihet një shtab pune me komunën e Dajçit që do të evitojnë dëmet dhe nevojat në zonat më problematike për ndërhyrje emergjente.

NE KOMUNEN BUSHAT TE SHKODRES 1500 HA NEN UJE
Nën ujë ndodhen edhe disa zona në Shkodër, përkatësisht në komunën e Bushatit.
Rreth 1500 ha tokë bujqësore është evidentuar nën ujë në fshatin Mali i Jushit, ndërkohë që në 7 banesa ka prezencë uji. Sipas të dhënave që raportohen nga komuna e Bushatit, bëhet me dije se kjo situatë vjen si rezultat i reshjeve të shumta që kanë përfshinë gjithë vendin.

Nisur nga situata e krijuar në komunën e Bushatit është ngritur Shtabi i Emergjencave, me pjesëmarrjen e të gjithë kryepleqve të fshatrave të Komunës me qellim menaxhimin e kësaj situate. Në komunën e Bushatit rreth 1500 ha, janë nën ujë kryesisht toke bujqesore e cila ka shkaktuar dëme të pallogaritshme për banorët. Fshati Mali i Jushit, deri në segmentin ku komuna e Bushatit lidhet me rrugën Shkoder – Velipojë, çdo gjë është vënë nën zotërimin e ujit. Janë 7 banesa në prezence uji.

Shtabi i Emegjencave, në këtë komunë, po mban kontakt të vazhdueshëm me banorët e prekur, për të qenë pranë tyre në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës dhe për të ndihmuar banorët nëse është i domosdoshem evakuimi i tyre, informon gazetari ynë Elvis Nabolli.

PERMBYTJA NE FUSHE-KRUJË
Shirat e denduar kanë krijuar probleme edhe në Fushë-Krujë nga bllokimi i kanaleve kulluese. Korrespondenti ynë Julian Shota informon nga Fushë-Kruja, se ka përmbytje në komunën Bubq, fshatrat Bilaj, Mercinë dhe Mallkuq. Gjithashtu janë përmbytur edhe disa banesa në fshatrat e komunës së Sukthit, përkatësisht në Prelat dhe Hamallaj nga dalja nga shtrati i lumenjve Erzen dhe Ishëm. Gjithashu, përmbytje ka pasur edhe në fshatrat Mezhë dhe Drevan. Nën ujë janë disa qinda hektarë tokë më të mbjella bujqësore.

XHELILAJ: PO PUNOJMË PËR EVAKUIMIN E FAMILJEVE NË TË GJITHA RASTET
Prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Xhelilaj, ka thënë për ATSH-në se drejtuesit e komunave dhe të fshatrave po punojnë për të parandaluar rrezikun e përmbytjeve të disa banesave në Fushë-Krujë dhe në Thumanë.

“Ne po punojmë për evakuimin e familjeve në të gjitha rastet”, tha Xhelilaj, i cili shtoi se të gjithë hidrovorët në zonën bregdetare funksionojnë intensivisht. Ai tha se dalja nga shtrati e lumenjve ka shkaktuar përmbytje, por ende nuk mund të saktësohen sipërfaqet e dëmtuara.


Redaksia Online
(e.sh/shqiptarja.com)