Kthehet “vdekja e galerive”
minierat përpijnë 7 të varfë

Kthehet “vdekja e galerive”<br />minierat përpijnë 7 të varfë
TIRANE-Në Beragozhdin e largët të Pogradecit, hyrja në mininerat e braktisura, për të marrë shinat e galerive, u shndrrua në tragjedi, kur vdiqën 5 të rinj nga ky fshat, të asfiksuar nga gazi.

Sakaq, në Gurrën e Librazhdit, rënia e masivit të kromit, ka marrë jetën e 2 personave.

Që në orën 23.00 të së mërkurës, 3 vëllezërit Hamolli, 23-vjeçari Edison, 25-vjeçari Nertil dhe Ledioni, 24 vjeç, bashkë me 2 djemtë e xhaxhait, 24-vjeçarin Sazan Hamolli dhe Arjanin, 29 vjeç, kishin hyrë në minierën e braktisur, me synimin për të marrë shinat e galerive të rrënuara e të mbyllura prej 20 vitesh.

Ata kishin marrë një gjenerator që furnizonte me energji elektrike pompën që nxirrte ujin, kur vërshimi i gazit metan dhe lëndëve të tjera, shkaktoi asfiksimin e tyre. Para pak kohësh, 3 vëllezërve u kishte vdekur i ati, teksa priste dru në pyll dhe herë pas here emigronin në Greqi, Itali apo Maqedoni, ku Nertili sapo ishte kthyer. Edisoni kishte shkuar për të shpëtuar 4 të tjerët dhe mbeti i asfiksuar edhe vetë. Gjatë orëve të natës është nxjerrë vetëm trupi i njërit prej viktimave, Edison Hamollit, ndërsa në orët e mëngjesit edhe trupi i 25-vjeçarit Nertil Hamolli.

Sakaq, Nida Hamolli, gruaja e Arjanit thotë se i telefonon të shoqit, por dikush e mbyll, ndaj shpreson se është gjallë. Aksioni për nxjerrjen e 3 trupave të tjerë të pajetë, vijoi përgjatë gjithë mbrëmjes së djeshme, pas ndërprerjeve, për shkak të rrjedhjes së gazit. Genci Hamollari, kryetar i komunës Dardhas (Beragozhd) bëri thirrje për mbylljen e minierave, duke shtuar se komuna do të mbulojë të gjitha shpenzimet e varrimeve.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë tha se do të vazhdojë operacioni për të nxjerrë nga miniera edhe tre trupave të tjerë, por aksionet janë ndërprerë për shkak të nivelit të lartë të gazit. MEI thekson se aksioni do të rifillojë sapo niveli i gazit të ulet. Sakaq, një tjetër aksident u shënua dje në një minierë, në Librazhd. Dy punëtorë të minierës së kromit në fshatin Gurrë janë zënë përposhtë nga një masiv mineral kromi duke gjetur vdekjen. Të vdekur kanë mbetur inxhinier Drini Bogdani dhe punëtori Haxhi Danga, banor në një fshat të komunës së Qukësit. 

Basha ngushëllon viktimat
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ngushëlluar familjarët dhe të afërmit e 7 viktimave që humbën jetën dje në minierë, 5 në minierën e fshatit Beragozhd, në komunën Dardhas, në Pogradec dhe 2 të tjerë në minierën e Librazhdit. “Ngushëllime familjarëve të 7 viktimave, ky bilanc tragjik i shënuar sot është një tronditje e madhe për mua dhe për çdo shqiptar, fjalët janë të pamjaftueshme për të ngushëlluar familjet, Zoti u’a lehtësoftë dhimbjen”,-ishte përmbajtja e mesazhit ngushëllues të kreut të PD-së, Lulzim Basha. 

Rama: Fakt se ka varfëri
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shprehu dje keqardhjen për humbjen e jetës së pesë të rinjve në minierën e Beragozhdit, në Pogradec. Ai tha se "Ne shohim varfërinë e njerëzve që na kërkojnë ndihmën që ua jep ligji. Personat me aftësi të kufizuar nuk morën paratë e tyre, sepse atë shumë parash e bëtë rrush e kumbulla për fushatën e 23 qershorit". Në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri theksoi se “Ky është një tjetër fakt i varfërisë së skajshme që është në vendin tonë, për shkak të keqqeverisjes 8-vjeçare të demokratëve”.
 
Tahiri
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shkruan: “Ditë e trishtë dhe e rëndë. Qoftë e lehtë për familjarët e 7 djemve që humbën jetën në luftën e tyre të dhimbshme për të vrarë varfërinë. Kjo që ndodh sot me minierat dhe humbjen e jetës së djemve të pafajshëm, është trashëgimia më e hidhur që na ka lënë pushteti i kaluar. Por që duhet shembur menjëherë...”
 
PD-ja
Partia Demokratike tha se “Ne kërkojmë që autoritetet e ngarkuara për sigurinë dhe menaxhimin e minierave të mbajnë përgjegjësi dhe kërkojmë që drejtësia të vihet menjëherë në lëvizje për këtë tragjedi. Ne kërkojmë që Kryeministri i vendit të mbajë përgjegjësi. Të gjithë e mbajnë mend, se Edi Rama hidhte valle sa herë që ndodhte ndonjë incident në minierat tona”

Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)