Në mjediset ushtarake të Aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas u zhvillua dje ceremonia e pritjes së kontingjentit të 3-të paqeruajtës, i cili kreu me sukses misionin ushtarak në Kabul, Afganistan, në kuadër të operacionit të NATO-s, Resolute Support Mission. Të pranishëm në ceremoni ishin zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Vladimir Avdiaj, zëvendësambasadori i Turqisë në Shqipëri, z. Sinan Cem Baş, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, si dhe familjarë e të afërm të ushtarakëve të kthyer nga misioni.