Kthetrat e kiçit

Kthetrat e kiçit
Letërsia shqipe nuk ka identitet. Ajo nuk është autentike në hartën e letërsisë evropiane. Gjatë gjithë historisë së saj, ajo ka qenë propagandë fetare, politike e nacionale. Prandaj, dominante e saj ishte herë dogma, herë kiçi

Nocionet “imitim” dhe “identitet” sinjifikojnë dy fenomene që krijojnë një status të përbashkët dhe real të letërsisë shqipe, e cila duke qenë e vonshme dhe e vogël, ka marrë modele nga letërsitë më të hershme dhe më të mëdha.

Pra, ka imituar për t’u futur në lojë, në lojën e shenjëzimit letrar, me pretendimin për të krijuar jo identitet letrar, por identitet kombëtar. Meqenëse gabimi ka qenë në synim, sot në një shikim të shkurtër retrospektiv është e pamundur të flitet për identitet të mirëfilltë të letërsisë shqipe, sepse, nëse identitetin kombëtar e bën gjuha, për identitetin letrar gjuha është e pamjaftueshme.

Imitimi pa prirje tejkalimi ia ka dhënë kësaj letërsie statusin e kopjes, në raport me letërsitë e mëdha, të cilat, për shkak të ndikimit të madh që kanë ushtruar, kanë statusin e origjinalit.

Dogma kristiane
Letërsia shqiptare imitimin (jo të jetës, por të veprave) e ka si bazë krijimi nga fillimi deri tani. Në lidhje me zhvillimin historik të saj, studiuesit shohin dy fillime, që imponojnë edhe ndarjen shqiptare/shqipe: letërsia shqiptare fillon si letërsi humaniste, kurse letërsia shqipe fillon si letërsi fetare, probiblike. Të parën e karakterizon latiniteti, të dytën obskuriteti.

Pra, një Mesjetë dyfish e vonuar (në të dy etapat), kur dihet që latiniteti (latinishtja) si gjuhë dhe obskuriteti (terri fetar, antishkenca) si qëndrim i përkasin Mesjetës.  

Në fillim të shekullit XVI, Martin Luteri nxori në shesh korrupsionin e kishës dhe reformoi praktikën religjioze kristiane, duke insistuar që lidhja me zotin të bëhet nëpërmjet Biblës, jo nëpërmjet kishës. Më 1545 themelohet këshilli ekumenikal “Concilium Tridentinum” për t’iu përgjigjur reformës luteriane.

Pra, si reaksion ndaj reformës, u shpall kundërreforma me katër pikat kryesore të saj: rikonfigurimi struktural, rregullat fetare, lëvizjet shpirtërore dhe aktivitetet politike. Kisha u bë më insistuese në thirrjet drejtuar besimtarëve për t’iu kthyer asaj. Dhjetë vjet pas themelimit të këshillit të kundërreformës, në gjuhën shqipe u botua libri fetar “Meshari” (1555), kurse më 1592, në librin “E mbsuame e krështerë” të Lekë Matrëngës, u bëhet ftesë njerëzve të shkojnë në kishë, se vetëm kështu ata do ta gjejnë shpëtimin.

Letërsia shqipe, pra, nisi si propagandë fetare. U shkrua në gjuhën shqipe dhe u botua në Itali si pjesë e projektit propagandistik katolik për t’i kthyer njerëzit në kishë, prej ku i kishte larguar protestanizmi. Nuk është rastësi pse librat probiblikë u shkruan nga priftërinjtë katolikë (Buzuku, Matrënga, Budi, Bogdani), të cilët si dogmatikë që ishin dhe si vartës të kishës romake, sigurisht që s’mund të krijonin ndonjë vepër me vlerë letrare, ani se kanë kontribuar në mbjelljen dhe kultivimin e gjuhës së shkruar shqipe.

Ata, natyrisht, që nuk mund të futen në beletristikë, apo në letërsi të mirëfilltë, sepse veprat e tyre mjaftohen me statusin e teksteve fetare me vlerë gjuhësore për historinë e gjuhës shqipe. Mjafton t’u hidhet një sy titujve: “Meshari” (1555), “E mbsuame e krështerë” (1592), “Doktrina e krishterë” (1618), “Rituali roman” (1621), “Çeta e profetëve” (1685).
Deri këtu kemi letërsinë shqipe në shërbim të kishës, rrjedhimisht një letërsi që nuk del përtej mësimeve biblike, pra një letërsi dogmatike.  
 
Kiçi orientalist
Në fillim të shekullit pasues vjen letërsia “muslimane”, e cila, si edhe ajo katolike, nuk ka karakter kombëtar, por ndryshe nga letërsia probiblike, ajo e margjinalizon dogmën fetare, duke trajtuar kryesisht tema personale e sociale dhe duke sjellë një liri ekstreme në letërsi. Ndryshe nga shkrimtarët e krishterë që kishin qëllim të vetëm propagandimin e dogmës biblike, bejtexhinjtë shqiptarë tejkalojnë funksionin etik të poezisë dhe sjellin liri stilistike, ideore, formale, tematike, duke trajtuar edhe tema që deri në fund të shekullit XX do të mbesnin tabu: tema pornografike.

Kjo letërsi, e njohur si “aljamiado” apo “arabike” edhe në gjuhët mozarabike, portugeze, spanjolle, ladino (judeo-spanjishte) dhe boshnjake, ende trajtohet si letërsi mysafire (tranzicionale) në Evropë. E shfaqur më vonë se në vendet e tjera, letërsia arabike shqipe, ashtu si edhe letërsia arabike boshnjake, është pasuese e një modeli që pati shtrirje të madhe në Evropë, por si ndjekje e një sistemi të madh origjinal, e vonshmja dhe e vogla gjithmonë mbesin kopje.

Letërsia e bejtexhinjve, pavarësisht lirisë dhe risisë formale e tematike që solli në historinë e letërsisë shqipe, nga pikëpamja estetike e filozofike është tejet naive, deklarative dhe pozuese. Modelet nuk i ka të dobëta, por arritjet (rezultatet) i ka mediokre. Kështu që, letërsia e bejtexhinjve instalon kiçin në letërsinë shqipe.
 
Kiçi nacionalist
Rilindja Kombëtare Shqiptare s’është gjë tjetër veçse një romantizëm nacional. Ndryshe nga Bajroni që himnizonte vendet dhe kulturat e huaja, romantikët shqiptarë himnizojnë vetëm vetveten dhe gjithë dijen, trimërinë e bujarinë e botës e nxjerrin me origjinë shqiptare.

Si e tillë, letërsia romantike shqiptare është letërsia më narcisoide që kemi pasur e nga e cila, mjerisht, ende s’jemi shkëputur. Romantizmi shqiptar nga romantizmi evropian imiton vetëm ofshamat. Në asnjë periudhë të letërsisë shqipe nuk ka më shumë kiç sesa në romantizëm. Kjo është periudha kur imitimi dhe deformimi janë e njëjta gjë.

Ndërsa, në gjysmën e parë të shekullit XX, shfaqen imitime nga sentimentalizmi dhe romantizmi evropian (Sikur të isha djalë, Pse etj.), imitime anakronike dhe imitime folklorike, që përfundojnë në kiç (Lahuta e Malcís) dhe në  skicë (Kuteli, Koliqi). Në nivel kiçi mbesin, gjithashtu, imitimet e Ndoc Nikajt, të Haxhiademit e të ndonjë tjetri.
 
Dogma e kiçi socialist
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri instalohet doktrina e realizmit socialist, e cila imitohet (aplikohet) deri në fillim të viteve ’90. Botohen vepra me temë lufte dhe me “luftë klasash”. Ato përbënin “letërsinë me tezë”, viktimë të së cilës ranë edhe shkrimtarët e talentuar si Sterjo Spasse e Petro Marko, nga të cilët i pari nisi të glorifikojë “iluminizmin” që solli komunizmi, ndërsa i dyti i bëri jehonë “humanizmit” që solli Kominterni (Internacionalja Komuniste). Edhe një pjesë e krijimtarisë së Kadaresë (poezi e prozë) nuk u shpëton kthetrave të këtij modeli.

Shqipëria komuniste ishtë një vend që ushtronte diktat jashtëzakonisht të madh mbi letërsinë dhe artin. Poezia dhe drama ishin më lehtë të kontrollueshme, prandaj sot shumica e tyre mund të shpallet e pavlerë, sepse “vlera” e tyre ishte propaganda, e cila me ndërrimin e sistemit e humbi validitetin utilitar të ideologjisë komuniste dhe u shndërrua në diçka të neveritshme.

Edhe ato drama që çuan autorët e tyre në burg, sot mund të lexohen thjesht si devijime nga dogma, por jo edhe si arritje artistike.
Kështu, ndryshe nga periudhat e tjera, kur kemi ose dogmë, ose kiç, në periudhën e komunizmit i kemi të dyja bashkë.
 
Kiçi modernist
Ndryshe nga Shqipëria që kishte zyrtarizuar dogmën dhe kiçin, Kosova ishte dhënë pas modernizmit, por, nga ngutia për të eksperimentuar, kishte përfunduar në lunatizëm. “Modernistët” kosovarë me eksperimentet e tyre duket sikur shkojnë më larg se Ezra Pound, T.S. Eliot, James Joyce, Alan Rob-Grillet, Samuel Becket, por mania e eksperimentimit, pa përgatitjen e duhur shkollore, i kthen ata nga shkrimtarë të mundshëm në dërdëllitës të vërtetë.

Nuk është censura, madje as autocensura, arsye e këtij lunatizmi, por mania për të imituar modele që nuk arrinin t’i kuptonin. Modernizmi i vërtetë, që ishte i një niveli të lartë akademik, ka qenë i keqkuptuar nga “modernistët” kosovarë, niveli edukativ i të cilëve ishte shumë modest. Prandaj, kjo letërsi është aq e pakuptimtë saqë mund të përdoret si mjet torture nëpër burgje.

Mjegull dhe arratisje
Në vitet ’90, në Shqipëri hapja ndaj botës sjell një vërshimë ndikimesh nga të gjitha gjuhët dhe dëshira e madhe për t’i ikur doktrinës së realizmit socialist i bën shkrimtarët të imitojnë shpesh edhe modele të tejkaluara, që nga ngutia nuk arrijnë as t’i kuptojnë. Letërsia e Shqipërisë e dekadës së fundit të shekullit të kaluar është letërsi e hutuar, që mundohet ta gjejë rrugën nëpër pluhurin e shkaktuar nga shembja e diktaturës dhe nëpër tymin e shkaktuar nga vrulli i demokracisë. Gjatë gjithë dekadës së parë demokratike, kjo letërsi është përpjekur të shkëputet nga kthetrat e kiçit.

Në Kosovë, në vitet ’90, për shkak të kontekstit të rëndë socio-politik, nuk pati krijime, imitime, as konsolidim identitetesh në atë shkallë që do t’ia vlente të përmendeshin. Ishte koha kur shkrimtarët e vunë në plan të parë politikën për mbijetesë. Kjo mund të quhet çudi e shekullit: letërsia nuk ishte prioritet për shkrimtarët.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Noizy reagon për sherrin në Kosovë: Nuk preka njeri, urdhër-arresti është i padrejtë

Noizy reagon për sherrin në Kosovë: Nuk preka njeri, urdhër-arresti është i padrejtë