Në Samitin e Diasporës, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi tha se kthimi i diasporës në Shqipëri duhet të jetë narrativë kombëtare. Ai renditi disa detyra urgjente që duhet të kryhen nga të gjithë si mbështetja e integrimit në BE, njohja e plotë e Kosovës dhe forcimi i bashkëpunimit parlamentar, ekonomik e akademik.
“Sot është momenti historik për një klimë të re shpirtërore. Shqipëria mund, duhet dhe ia vlen të jetë jo vetëm jeta juaj e shkuar, por edhe e ardhme. Të mendojmë së bashku për të ndërtuar këtu mundësi pune, sipërmarrjeje dhe karriere për të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe në botë, që duan të jetojnë një jetë me mision. Shqipëria ka vend dhe mundësi për të gjithë shqiptarët. Kthimi i diasporës në Shqipëri duhet të jetë narrativa jonë kombëtare. Le ta fillojmë nga disa detyra imediate ku ka nevojë për të gjithë:
* të mbështesim intensivisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke përcjellë te bashkëqytetarët tuaj në vendet anëtare të BE të vërtetën tonë, vokacionin tonë historik perëndimor. Ata një ditë, jo larg nga sot, do të duhet të votojnë drejtpërdrejt apo përmes përfaqësuesve të tyre në parlamentet respektive për anëtarësimin e Shqipërisë në BE;
* të përsërisim në çdo takim, në çdo mjedis europian dhe botëror domosdoshmërinë e njohjes së plotë të Kosovës, anëtarësimit të saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe integrimit të saj në NATO e BE;
* të flasim pa u lodhur dhe me kokën lart për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës e Malin e Zi;
* të intensifikojmë bashkëpunimin parlamentar mes deputetëve shqiptarë në rajon;
* të unifikojmë botën akademike e të forcojmë lidhjet ndërmjet universiteteve shqiptare. T’i hapim universitetet tona për të përthithur kontributin e mijëra ekspertëve shqiptarë në diasporë. Vetëm në një program të Fondacionit Shqiptar-Amerikan për Zhvillim janë regjistruar 4000 PhD të gatshëm për të kontribuar;
* të forcojmë lidhjet ekonomike dhe të blejmë shqip”, tha Peleshi.
Lajmi kryesor:
Diaspora në Tiranë/ Rama: Bëhuni pjesë e rrugës drejt BE, projekt i madh sa amaneti i të parëve! Ju përmbushëm të drejtën e votës (VIDEO)











