Me një vështrim të shpejtë të konventës, tre janë elementët që besoj se meritojnë të komentohen: Se pari,ishte një konventë që shënoi, në mos një evolucion historik, një metamorfozë të qartë ideologjike të Partisë Socialiste të vitit 2013 me Partinë Socialiste të para 2013.

Përfundimisht dje, u ratifikua zëvendësimi i modelit të socializmit liberal që u ndërtua prej zotit Nano me modelin e së majtës së pastër, klasike. Eshtë shumë e thjeshtë që këtë fakt ta pikasësh në,pothuajse, gjithë programin e shpalosur. Fjala vjen, pa asnjë lloj mundimi e kupton se programi ekonomik i Partisë Socialiste është zhvendosur në një aks ku, komponenti etatist, është shumë më i theksuar se më parë.

 Së dyti,programi i shpalosur në konventë (në fakt, si të gjithë programet politike në përgjithësi) është shumë i qartë lidhur me njësinë “çfarë” por, shumë më pak, lidhur me njësinë “si”. Për të qenë më i qartë: u shpjegua në detaje se,” çfarë” ka ndërmend të bëjë Partia Socialiste nëse vjen në pushtet por, ngeli një detaj i pashpjeguar se “si” Partia Socialiste do t’a realizojë këtë.

Po sjell vetëm një shembull (ka shumë të tillë po deshët): U tha se do të hapen treqind mijë vende të reja pune por, ngelet ende një mister ekonomik se si do ta bëjë këtë. Besoj se, asnjë prej nesh nuk dyshon në dëshirën dhe vullnetin e PS për të hapur treqind mijë vende pune. Dyshimi n’a lind se, si do t’i hapë.

Së treti,konventa e djeshme i ka vendosur gjërat në vendin e vetë sa i takon raporteve brenda së majtës relevante. Brenda spektrit, Partia Socialiste është zhvendosur më majtas, duke ia lënë vendin e së majtës liberale, me vektor më centrist, Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Diferencat programore mes tyre, pas kësaj konvente, janë mjaft evidente. Kjo, besoj se përligj në mënyrë racionale edhe orientimet e tyre aktuale politike sa i përket koalicioneve. Partia Socialiste është e grupuar me forca dhe ide të së majtës dhe të majtës radikale. Lëvizja Socialiste për Integrim është duke medituar për një pol të qendrës,një aliazh më pak ideologjik dhe më shumë elektoral.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com

Redaksia Online
(b.m/shqiptraja.com)