Sikurse u përmend më përpara, takimi i 17 gushtit 1951 në Hotelin e famshëm Mayfloëer në kryeqytetin amerikan, pikërisht aty ku Faik Konica kishte shërbyer për 13 vjet si diplomat i mbretërisë shqiptare në SHBA, shënoi fillimin e njërit ndër operacionet më të sofistikuara për përmbysjen e Enver Hoxhës, çka u kthye sikurse dihet në dështim të plotë.
Në bisedën me personazhin misterioz amerikan Ahmet Zogu parashtroi planin e tij strategjik-operacional, por prej thelbit të saj mund të deduktojmë edhe disa piketakime të rrallam e krejt të veçanta, midis tij dhe Enver Hoxhës.
Dihet, fillimisht, se të dy këta personazhe që vunë në krye të shtetit shqiptar në periudha të ndryshme dhe tejet delikate, kishin kundërshti të jashtëzakonshme me njeri tjetrin. Ato përgjithësisht njihen dhe ishin së pari ideologjike e politike, por edhe krahinore, në formimin kulturore e arësimor, etj.
Kurse pikëtakimeve midis tyre u është kushtuar pak rëndësi deri më sot.
Së pari, edhe Mbreti Zog, edhe Enver Hoxha ushqenin mosbesim të thellë ndaj politikës britanike ndaj Shqipërisë. Mosbesimi i Enver Hoxhës del gjerësisht në kujtimet e tij, por përmendet edhe në dokumentet amerikane të OSS të publikuara së pari nga Peter Lukas. Aty permendet, për shembull, një moment kur Frederik Nosi, ndihmës dhe përkthyes personal i Enverit në malet shqiptare i raporton shefit të vet për një koment përçmues të një oficeri të lartë britanik, i atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ. Po ashtu, në kujtimet e tij Enver Hoxha përmend me hollësi përplasjet e shumta me oficerët e tjerë të zbulimit anglez, që përqëndrohsehin kryesisht në mbështetjen që këta të fundit i jepnin Ballit Kombëtar e Legalitetit. Në fakt, mosbesimi lidhej edhe me sinjalet që kishte Hoxha për pazarllëqet e mundshme të Çërçillit me qeverinë greke në mërgim për copëtimin e Shqipërisë.
Ky mosbesim ndaj britanikëve, sikurse u përmend, del edhe në bisedën e Ahmet Zogut me bashkëbiseduesin amerikan. Natyrisht, edhe Zogu kishte hatërmbetje të vjetra ndaj britanikëve, qysh me reagimin e shurdhët ndaj pushtimit të Shqipërisë me 7 prill 1939, dhe më pas me injorimin për vite me rradhë të Zogut në Londër.
Së dyti, edhe Enver Hoxha edhe Ahmet Zogu ishin të shqetësuar për rrezikun që mund t’i vinte vendit nga pretendimet e pabaza të Greqisë, të mbështetura në mënyrë absurd nga politikanë britanikë. Zogu ia shprehu fare qartë këtë shqetësim bashkëbiseduesit amerikan. Prandaj, ai edhe kërkonte deklaratën paraprake të mosndërhyrjes, dhe e shprehu haptaz frikën e tij për pazaret nsaj Shqipërisë së Jugut. Po ashtu, edhe qëndrimi i Hoxhës në këtë drejtim dihet: ai ishte krejti qartë dhe i prerë.
Por ndërsa Hoxha nuk ngurroi të deklarojë botërisht se, po qe se do të shkelej qoftë edhe një pëllëmbë e kufirit shqiptar, do të derdhej gjaku deri në gju, Zogu përmendte “mekanizmat” e OKB-së. Ndofta Zogu llogariste se atij i nevojitej ndihma greke për përmbysjen e Hoxhës dhe deri aty ishte maksimumi i kompromisit të tij. Në këtë drejtim ndofta duhet parë edhe mendimi i Zogut për nevojën e një force ushtarake prej 10,000 burrash për të ndërhyrë në Shqipëri. Praktikisht, një forcë e tillë ushtarake, besnike e Mbreti dhe me pikëpamje detyrimisht nacionaliste, e vendosur në territorin grek pranë kufirit shqiptar dhe e gatshme për t’u future në Shqipëri, do të mund të shërbente edhe si deterrent për çfarëdo ideje apo përpjekje të Athinës për të copëtuar vendin.
(Në foto: Dy faksimile nga dokumentet sekrete ku dëshmohen takimet e tij sekrete për të organizuar aksionin për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës në 1951)
Së treti, Zogu dhe Enveri – edhe pse në rrethana të tjera kohore - takoheshin në një pikë tjetër; atë të të qënit në krahun e fitimtarëve. Zogu ia tha copë bashkëbiseduesit amerikan: në pritje të Luftës III Botërore, do të duhej që Shqipëria të ndodhej në krahun e Perëndimit fitimtar, sepse vetëm kësisoj do ta ruante integritetin e vet tokësor. Natyrisht që kjo analizë e Zogut doli e gabuar, dhe koha e hodhi poshtë, pasi nuk plasi luftë. Mirëpo këtu ai me siguri do të kishte patur ndërmend faktin kokëfortë se Lufta Nacional Çlirimtare dhe çlirimi i vendit në nëntor 1944 e vuri Shqipërinë përfundimisht në krahun e Aleancës së madhe antifashiste SHBA - Britani e Madhe – Bashkim Sovjetik, dhe kësisoj bllokoi çdo pazarllëk për copëtimin e mundshëm të Shqipërisë në Konferencën e Paqes.
Madje, në një ndër seancat plenare të kësaj Konference Enver Hoxha botërisht përcolli sakrificat e pashembullta dhe gjakun e derdhur të popullit shqiptar për liri, dhe hodhi poshtë çdo insinuatë që e fuste Shqipërinë ndër vendet humbëse. Gjejmë rastin të theksojmë se në atë fjalim, Enver Hoxha jo pa qëllim nuk e përmendi asfare Mbretin Zog, edhe pse e kishte rastin për ta denigruar botërisht. Arësyeja për këtë “harresë” të qëllimshme të Enverit ishte se, me siguri, ai e kishte parasysh praktikën e vazhdimësisë së shtetit në të drejtë ndërkombëtare, dhe prandaj Ahmet Zogu, edhe pse u largua nga vendi pa lavdi në 7 prill 1939, ishte udhëheqës i ligjshëm i vendit të paktën deri në momentin e agresionit fashist ku Shqipëria humbi pavarësinë dhe sovranitetin.
TAKIMI I DYTË – NJU JORK, 30 GUSHT 1951
Po le të hidhemi tek takimi i dytë midis Ahmet Zogut dhe bashkëbiseduesit misterioz amerikan, që në dokumente, ritheksjomë se kishte detyrën e Shefit të Drejtorisë 1 të Evropës Lindore. [Chief, EE-1]. Takimi u krye gati dy javë më pas, në Hotelin Delmonico në Nju Jork. Personazhi misterioz u paraqit atje në orën 19:30 dhe menjëherë i deklaroi Zogut se “ne e kemi vrarë shumë mendjen [had given serous thought] për diskutimet tona të përparëshme për operacionet shqiptare”.
Vërejmë këtu përdorimin e shumësit, çka nënkupton se dy personazhet tona ishin takuar dhe kishin rrahur mendime edhe përpara takimit në Mayfloëer. Sipas raportit dyfaqesh të gjendur në arkivat amerkane, ku bashkëbiseduesi amerikan i referohet Ahmet Zogut gjithmonë si “mbreti”, biseda u vazhdoi pak a shumë kështu:
Amerikani fillimisht tha se “nëse Zogu do ta quante të vlefshme, ne do t’ju japim të gjithë asistencën e mundshme materiale për infiltrimin a një grupi të vogël agjentësh të nivelit të lartë që do të siguroheshin prej tij me qëllim kryerjen e misonit të rikonjicionit në Shqipëri dhe për vendosjen e kontaktit me njerëz që janë miqësorë ndaj Zogut, të cilët ndodhesibn në ushtrinë dhe qeverinë shqiptare, si dhe me grupe të rezistencës që njerëzit e tij do të mund të takonin”.
Pra, amerikanët konfirmonin mbështetjen e plotë materiale. Po ashtu, në bashkërendim të plotë me Ahmet Zogun, ata përcaktonin edhe objektivat kryesore të misionit “Molla”, që ishin: (i) njohja e gjendjes në terren; (ii) kontakti me personalitete të larta miqësore ndaj Zogut në ushtri dhe qeveri, dhe (iii) kontakti me grupe të tjera të rezistencës antikomuniste. Se cilët do të ishin këto “kontakte të larta” do ta shikojmë më pas. Amerikani shtoi se “ne do të zgjedhim edhe një operator radist [Ë/T operator] që do të shoqërojë grupin”.
Ish-Mbreti u përgjigj duke thënë se ishte i gatshëm të vendoste njerëzit e tij në dispozicion. Ai sugjeroinjë grup prej dy ish- oficerësh, që tani jetonin në Egjipt, sëbashku me dy shoqërues apo udhërrëfyes, që do të ndihmonin oficerët për të lëvizur nëpër zonat kritike. Radisti i ofruar nga amerikanët do të ishte pjestari i pestë i grupit. I gjithë operacioni duhet të kryhet në mënyrën më të fshehtë dhe njerëzit e tij duhet të silleshin në Greqi në rrugë sekrete. Ndofta ata fillimisht mund të transferoheshin në ndonjë vend tjetër Evropian ku pala amerikane mund t’i takonte dhe të organizonte transferimin e tyre klandestin në Greqi. Zogu do të urdhëronte ndihmësin e tij, Kolonel Selmanin, që të ndihmonte palën amerikane në instruktimin e këtyre njerëzve në Greqi.
Mandej bashkëbiseduesi amerikan pyeti nëse Zogu mund të bënte me dije emrat e agjentëve të zgjedhur prej tij.
Ish Mbreti u përgjigj se “Do të më duhet njëfarë kohe për të zgjedhur individët e posaçëm, por do t’ju njoftojmë me t’i caktuar ata”. I rrahur si gjithnjë, ma vaj e me uthull, Zogu nuk harroi të shmangë përgjegjësinë nga radisti. “Po ju paralajmëroj, tha ai, se unë mund të mos kem njohje për radistin e zgjedhur prej jush, prandaj përgjegjësia është tuaja sa i takon besnikërisë [trustiërothiness and reliability] së tij.”
“Shpresoj, shtoi ai, se ju do të përdorni materiale kriptografike, të cilat të mos lexohen nga rusët, që janë shumë të aftë në thyerjen e kodeve dhe të shifrave”. Ai natyrisht kishte parasysh dështimet e misioneve të mëparshme në Shqipëri.
Sipas raporti, biseda zgjati edhe një orë më shumë, me një diskutim të përgjithshëm për tema të nxehta të ditës të rrahura edhe më parë midis tyre. Ato kishin të bënin me “arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë të problemit izraelo-arab në Lindjen e Mesme, nevojën për veprim të fuqishëm kundër komunistëve në Kinë, etj”.
Në fund, Zogu përmendi edhe faktin se ai “kishte takuar gjeneralët MacArthur dhe Clay, dhe kishte mbetur me mbresat më të mira lidhur me kuptimin që ata kishin për çështjet që Zogu u kishte paraqitur”.
- Vijon -
Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.07.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)