TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri ka vijuar me akuzat në drejtim të kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deputetit Rrahman Rraja dhe kryebashkiakut Artur Bushi. Në emër të grupit të PD, Strazimiri ka thënë sot se pas denoncimit të djeshëm të PD, nuk ka ende një përgjigjie nga institucionet, lidhur me kamerat në komisariatin e Fushë-Krujës.

PD kërkoi dje të dinte çfarë ishte bërë me kamerat e komisariatit. Në vend të një përgjigjie, Rama ka angazhuar makinën e propagandës, për të tërhequr vëmendjen nga fakti se Balla, Rraja dhe Bushi ishin aty kur Nuhut iu vu pistoleta në kokë. PD njohu dje me denoncimet e oficerëve dhe punonjësve të SHKB, se drejtori Ardi Veliu kanë fshirë të gjithë kamerat e komisariatit të Fushë-Krujës, dhe ato të bizneseve përreth. Ata u kërcënuan me tatimorë, banditë dhe armë. Sa herë u kapet një deputet në komisariat, kamerat ose fshihen ose prishen. Megjithëse u vunë në dijeni nga Nuhu, shërbëtoret e Ramës, nuk reaguan. Krimi mbrohet nga Qeveria, pasi mbahet në pushtet nga bandat.

Gent Strazimiri, deputet i PD

Deklarata e Strazimirit vjen një ditë pasi deputeti Alibeaj, kërkoi në emër të PD që sekuestroheshin kamerat e komisariatit në Krujë. Akuzat lidhen me rastin e Xhisiela Malokut, që ka trazuar politikën shqiptare në 10 ditët e fundit. Xhisiela Maloku u denoncua se ishte dhunuar nga djali i deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja. Ish-oficeri Emiljano Nuhu akuzoi për kërcënim me armë në ambientet e komisariatit të Krujës, edhe deputetin Rrahman Rraja, në prani të deputetit socialist, Taulant Balla dhe kryetarit të bashkisë, Artur Bushi. Balla mohoi akuzat për ndikim tek policia e Fushë-Krujës, ndërkohë që vetë vajza Xhisiela Maloku, në një intervistë ekskluzive për Report Tv, Maloku, u shpreh se kërkonte drejtësi por të mos përdorej politikisht në këtë ngjarje.