TIRANE - Shpërthimi i dinamitit pranë banesës së dy politikanëve në Vlorë një natë më parë mund të merret si një sinjal se, në planet e dikujt nga partitë, që kanë dalë sheshit në luftën elektorale, ekzistojnë edhe varjante “B” apo “C”, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me metodat demokratike të caktimit të pushtetarëve të ardhshëm. Hyrja e fushatës elektorale në fazën e saj përfundimtare është shoqëruar deri tani nga incidente me pak rëndësi nga pikëpamja e rendit publik.

Kështu, në disa zona të caktuara, si në Kamëz apo Shkodër, janë hequr flamuj partiakë; diku tjetër janë thyer xhamat e një zyre përfaqësimi lagjeje; për të kaluar në djegie të posterit të Alfred Pezës në autostradë. Incident që mori rëndësi më të madhe ishte ai i goditjes me një mjet të fortë të makinës së blinduar të kryeministrit Berisha në Burrel nga një person, që nuk duket të ketë fare arsye politike ta bënte një gjë të tillë. Megjithatë, “sulmi” ishte ndaj kreut të Ekzekutivit dhe u trajtua madje me vëmendje të ekzagjeruar nga Garda dhe Policia e Shtetit.

Një ditë para kësaj, ishte shënuar një incident i ngjashëm, që mbeti pa u pasqyruar nga media, kur autobusi që mazhoranca e quan “mavi”, duke u kthyer nga Kopliku, është goditur gjithashtu me një mjet të fortë, pa shkaktuar dëme.

Nxitimi i përfaqësuesve të mazhorancës për të ngritur akuzë ndaj kundërshtarëve në rastin e eksplozivit në shtëpinë e kreut aktual të Agjencisë së Legalizimeve, Ardian Kollozi, si dhe prononcimi i menjëhershëm i nënkryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë Astrit Patozi, që e ka cilësuar aktin si “terrorist”, duke shtuar se “edhe në vrimë të miut të futen, autorët do të gjenden e do të vihen përpara drejtësisë”, fatkeqësisht flet për atë se, pavarësisht kush i organizon akte të tilla të dënueshme, kundërshtarit i leverdisin ato, për t’u viktimizuar dhe për t’i përdorur në betejën politike aktuale.

Dega e PD e Vlorës e ka cilësuar menjëherë aktin is “me prapavijë politike, i organizuar nga falanga të krimit”. Nga ana e tij, edhe kandidati i PS Alfred Peza akuzoi direkt Berishën për organizimin e djegies së posterit të tij.

Në një vend ku qarkullojnë shumë armë, pas vitit 1997, situata tejet e acaruar politike si pasojë e një gare elektorale, që konsiderohet si e ngushtë për arsye të ndryshme, incidentet do të duhej të frenoheshin sa më parë, në rast se nuk duam të njolloset shprehja e vullnetit të popullit nga ngjarje me pasoja të rënda. Por, kush duhet ta bëjë këtë?

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” këto ditë, ish-ambasadori amerikan në Tiranë John Ëhithers, ndër të tjera tha se ”vendi po e humbet demokracinë dhe kjo ka qënë një përpjekje e vazhdueshme e regjimit në pushtet.

Kur isha atje, por edhe më pas, institucionet e demokracisë janë dobësuar, sistemi i gjykatave është dobësuar, institucioni i presidentit është dobësuar, të gjitha këto struktura të reja, në zhvillim e sipër, që sigurojnë zbatimin e shtetit ligjor, janë dobësuar.

Tani ka një elitë drejtuese, që e përdor ligjin për të mbrojtur interesat e veta dhe jo drejtësinë për qytetarin e thjeshtë”. Në kushtet kur shteti ligjor po kthehet në një sllogan pa përmbajtje reale, duhet që palët në garën elektorale, të cilat nuk kanë pushtetin ekzekutiv, të organizojnë kontrollin e vet mbi ngjarje të paligjshme, që mund të vijnë si pasojë e acarimit emocional nga të dy palët.

Së pari, për të shmangur militantët dhe përkrahësit e vet nga akte jo-politike dhe, së dyti, për të eliminuar apo zbuluar në kohë akte nga ata që kanë pushtetin ekzekutiv dhe e përdorin atë, të sigurtë se nuk do të kenë pasoja në një shtet të dobësuar qëllimisht në vite, që do t’i përdornin për të goditur kundërshtarin.

Natyrisht, u takon organeve të shtetit që në rradhë të parë të gjejnë autorët e incidenteve, madje t’i parandalojnë ato. Përfshirja e pjesëtarëve të tyre në organizimin apo kryerjen e akteve të paligjshme do të ishte, nga ana tjetër, një goditje tjetër ndaj parimeve të shtetit ligjor.

Por, ajo që mbetet e qartë për të gjithë është se politikanët vetë duhet të përmbahen nga fyerjet, përdorimi pa kriter i sulmeve personale ndaj kundërshtarit, tallja apo banalizimi i figurës së tjetrit. Deri tani, ndoshta për herë të parë, dy palët kryesore në garën zgjedhore për Kuvendin e ardhshëm të Republikës së Shqipërisë kanë përqendruar vëmendjen mbi çështje shumë konkrete programore, si taksat, bujqësia, arsimi, etj.

Por, gjatë fjalimeve të tyre para njerëzve, vetë krerët nuk mungojnë të përdorin edhe terma si “plak”, “piktor i dështuar”, etj si këto për të stigmatizuar kreun e kundërshtarëve. Mund të mendohet se me ç’gjuhë flasin më pas kandidatët e rangjeve më të ulta.

Pavarësisht se këtë herë palët janë përpjekur që të jenë më të qeta, vihet re qartë acarimi emocional nëpër mitingje, ku në shumë raste pjesëmarrësit as nuk dëgjojnë fare atë që flet dhe çfarë flet, por e mbulojnë me shtrëngata ovacionesh nga fillimi në fund.

Një ngarkesë emocionale kjo, e cila e ka dukshëm zanafillën tek padurimi i opozitës që, pas tetë vitesh, të rikthehet në pushtet dhe tek vullneti i palëkundur i Berishës dhe PD-së që të mos ia lëshojë në asnjë rrethanë këtë pushtet kundërshtarit. Tashmë janë proverbiale dhe të njohura nga të gjithë thëniet publike të Berishës se vetëm zoti do t’ia ndërpriste qendrimin në karriken e kryeministrit edhe për shumë vite.

Një nga arsyet pse situata mbetet shpërthyese në çdo fushatë elektorale është fakti që, edhe pas 23 vitesh demokraci, ardhja në pushtet e një force të re politike apo qendrimi në pushtet i koalicionit qeverisës në vendin tonë pritet nga mijëra e mijëra njerëz me interes shumë më të madh se në vende të tjera.

Në vitin 2005 një numër shumë i madh nëpunësish civilë dhe pjesa më e madhe e administratës publike u hoqën menjëherë nga puna dhe u zëvendësuan nga të tjerë, në shumë raste duke shkelur ligjet e miratuara. Ata që kanë zënë vend në shtet, shumë herë pa meritën e kërkuar nga këto ligje, nuk duan kurrsesi të heqin dorë nga privilegjet.

Ndërkohë, të larguarit pa të drejtë, por edhe shumë të tjerë që, pavarësisht nga aftësitë, mbahen larg administratës, presin shumë nga zgjedhjet. Në një vend tjetër me shtet ligjor, nuk është kaq e rëndësishme se kush është në pushtet, pasi ka shumë më tepër alternative në tregun privat të punësimit, se san ë atë shtetëror. Por në Shqipëri ndodh e kundërta. Ky mentalitet përcillet në formë piramidale në çdo hallkë të pushtetit shtetëror, madje edhe në pushtetet jashtë-ekzekutive.

Në rast se incidentet parazgjedhore, gjatë procesit dhe pas tij do të jenë shqetësuese, këto do të ndikojnë seriozisht mbi atë që të gjithë ndërkombëtarët pa përjashtim e kanë thënë e përsëritur shumë herë: njohja e tyre dhe pranimi i faktit që populli ka shprehur lirisht vullnetin e tij se kush do ta qeverisë për katër vjet.

Në rast se dikush ka parashikuar dhe mban rezervë kryerje të incidenteve për të ndikuar në këto zgjedhje, rezultati i tyre mund të kthehet në të kundërtën e asaj që është synuar paraprakisht. Pra, planet “B” ose “C” ka më shumë shans të kthehen kundër hartuesve të tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)