Një gjysmëroveshatë fantastike e sulmuesit Zlatan Ibrahimovic, i ka dhënë të paktën një kënaqësi tifozëve, në ndeshjen e fundit që kjo skuadër luajti në Euro 2012. Goli i shënuar nga shtatlarti me origjinë boshnjake, ka ndryshuar gjithashtu edhe fatet e grupit, pasi ai hapi fitoren ndaj Francës 2-0. Goli tjetër erdhi në fund nga Larsson.

Skuadra e trajnerit Laurent Blanc është kualifikuar edhe pas humbjes 2-0 me Suedinë, por si e dyta në grup, pasi në sfidën tjetër Anglia fitoi ndaj Ukrainës, duke eliminuar vendin organizator nga turneu i futbollit Euro 2012. Në këtë sfidë goli erdhi nga sulmuesi i rikthyer pas pezullimit, Wayne Rooney, i cili përfitoi nga një grushtim i dobët i portierit ukrainas Pyatov, për të firmosur 1-0 dhe vendin e parë të Anglisë.

Në fazën tjetër të turneut Euro 2012, do të jenë këto çifte: Anglia e cila ka marrë vendin e parë, do të luajë kundër Italisë. Franca e cila befasisht mori vendin e dytë, do të ketë një test më të vështirë pasi do të përballet me kampionen në fuqi, Spanjën.(rb/shqiptarja.com)