Kualifikueset e Botërorit 2026, Rraklli për Report TV: S'e doja këtë short, Sylvinho të bëjë ndryshime! Leci: Serbia mendjen për telashe, Kosova e ka vështirë

Ish-futbollistët Altin Rraklli dhe Liridon Leci janë krejtësisht të pakënaqur me shortin e Shqipërisë dhe Kosovës në kualifikueset e Botërorit 2026.

Për Report TV me gazetarin Andi Kapxhiu ata shpjegojnë pse nuk e donin në grup Serbinë dhe se çfarë duhet të ndryshojë Sylvinho tek kuqezinjtë. Megjithatë saktësojnë se si Shqipëria e Kosova duhet të tentojë dhe kanë shanse qoftë edhe për vendin e dytë.

"Shorti? Fare nuk më pëlqen me thënë të drejtën. Duhet të kishim më shumë fat, paçka se kualifikimi me Çekinë dhe Poloninë ishte meritë e jona. Kemi në grup Anglinë e cila do që të fitojë trofeun, është në kulm. Serbia vitet e fundit nuk ka qenë një ekip i fortë, por vitet e fundit ka pasur ngritje. Unë nuk e doja Shqipërinë në këtë grup", tha Rraklli.

As Liridon Leci nuk është i kënaqur me goglat.

"Shorti? Nuk jemi të kënaqur, si Kosova si Shqipëria nuk kemi pasur fat. Anglia ishte finaliste në Europian dhe janë shumë të fortë. Them se Anglia në ktë grup nuk ka konkurrent, Shqipëria të masë forcat me Serbinë dhe të mendojmë për vendin e dytë. Kemi treguar se me Sylvinhon kemi bërë ndeshje të mira në ndeshjet zyrtare. Kemi përballë një Serbi që ka individë të mirë, nuk ka grup dhe harmoni, por individët janë cilësorë", tregoi Leci.

Të kënaqur nga shorti nuk janë aspak, por ish futbollistët Altin Rraklli dhe Liridon Leci thonë se Shqipëria dhe Kosova i kanë shanset dhe duhet të tentojë kualifikimin në Botëror. Përveçse veçon forcën e Anglisë Rraklli shpjegon pse nuk donte në grup Serbinë.

"Serbia, aspekt politik apo futbolli? Unë flas nga ana sportive. Nuk besoj se ato ngjarje që ndodhën të ndodhin më. Federata serbe i dorëzoi ato pikë në tavolinë dhe them se nuk janë aq budallenj sa të bëjnë sërish të njëjtën gafë. Duhet ta fitojmë ndeshjen në fushë. Unë nuk e doja në fushë se ka një ekip që po rritet, është dora e trajnerit apo rastësia nuk e di. Serbia ka një "fabrikë futbolli", prodhon. Ka emra të mirë, por nuk funksionojnë si ekip. Shqipëria duhet të shohë modulin e lojës, pozicionet dhe emrat që duhet të prodhojmë forca të reja dhe të guxojmë për të shënuar. Mos presin në mbrojtje, jo të luajmë me kundërsulme. Nuk është kjo arma jonë, ekipet na e kanë kuptuar lojën. Të ndryshojmë me lojtarë sulmues dhe të rrezikshëm", tregoi Rraklli.

Ish-futbollisti Liridon Leci thotë se Serbisë kurrë nuk i zihet besë, por këtë herë pret organizim më të mirë të ndeshjes se para 10 vitesh.

"Një rival si Serbia? Si për ironi të fatit kemi folur shumë për marrëdhëniet me Serbinë për Euro 2027 për 21-vjeçarët dhe ja na ra shorti. Nuk kemi qejf të shohim Serbinë të luajë me ne, e frekët është 2014. Ne kemi treguar atmoferën në ndeshjen e kthimit në Elbasan, asnjë çakmak nuk u fut në stadium. Serbia nuk e kapërdin lehtë flamurin tonë, do ketë ndonjë skandal nga ata. Në Shqipëri e di që nuk do ketë gjë, në Serbi do ketë, serbëve nuk u zihet besë. Ata e hedhin fajin diku tjetër. Them se do ketë organizim më të mirë, pasi edhe raportet me Shqipërinë në Serbi i kanë më të mirë se me Kosovën", nënvizoi ai.

Të dy pajtohen kur japin recetën se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të arritur një kualifikim historik në Botëror:

"Anglia dhe vendi i dytë? Asllani dhe Ramadani duan një reflektim, sepse janë shumë mbrojtës. Edhe mbrojtja të ketë mendjen në qarkullim para. Duhet të riparojmë gjërat dhe të kemi forca të afta në sulm. Hoxha, Uzuni, Muçi, Broja janë lojtarë shumë të mirë. Anglia nuk është se nuk mposhtet, janë lojtarë të mbushur me trofe dhe kanë ditët e tyre të këqija. Greqia në Londër u mori tri pikë para pak muajsh. Ka ditë të tilla. Shqipërisë i duhet guxim sulmi në mes të Londrës, futbolli është balancuar. Nëse mbrohemi në Angli, dije se do "hamë një paketë shumë të madhe"', tha Rraklli.

"Shqipëria dhe kalimi i grupit? Ekipi duhet të reflektojë. Kur ka ndërruar Sylvinho modul kemi dalë më mirë. Kemi emra shumë të mirë në sulm, ndonjëherë fut futbollistë që janë më shumë mbrojtës si Seferi, Asani për mua është i mbivlerësuar sepse vërtet kemi cilësi dhe duhet të luajmë në sulm. Mendoj që kemi cilësi dhe luajmë mirë, përvojë po në Euro dhe na duhet vendi i dytë për shpresën Botëror", shtoi Leci.

Kuqezinjtë e Sylvinhos u shortuan në Grupin K së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë e Andorrën dhe kualifikueset e Botërorit 2026 do i nisin ndaj “Tre luanëve".

Kur pyeten për grupin e Kosovës thonë:

"Shorti i Kosovës? Ai grup nuk ka kokë, kemi Zvicrën dhe Suedinë. Kanë potencial të mposhtin edhe ekipe elitare. Kanë ditët e tyre jo të mira, nuk janë si Anglia që po u përqëndrua nuk i mposht dot. Kosova ka rritje në ndeshjet e fundit dhe shpresoj të vijojnë kështu. Kosova ka shanse më shumë se Shqipëria kundër Anglisë dhe Serbisë. Zvicra me Suedinë lënë pikë me njëra-tjetrën. Mua më qan zemra sepse te Kosova ka disa emra fantastikë, edhe te Shqipëria po; t'i kishim bashkë besoj do i dilnim Anglisë përballë", tha Rraklli.

"Kosova me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë? Më i vështirë se i Shqipërisë. Kundër Zvicrës ne i kemi pasur si miqësore sepse ka pasur shumë shqiptarë në fushë nga ana kundërshtare dhe janë rezervuar. Zvicra është shumë e fortë dhe ka qenë si ekip shumë i fortë si ekip. Suedia ka shumë cilësi dhe trajneri Tommason është legjendë. Edhe Kosova me Franco Fodën kanë treguar disiplinë dhe personalitet gjerman, që futbollistët i binden. Kjo na jep shpresë që mund të garojmë për vendin e dytë. Kemi emra të mirë në ekip", tregoi Leci.

Kosova i nis kualifikueset në shtatorin e vitit të ardhshëm në Zvicër ndërsa në Grupin B ka edhe Suedinë e Slloveninë.

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

Real Madrid ndalet në derbi, Vallecano e barazon 3-3

Real Madrid ndalet në derbi, Vallecano e barazon 3-3