Report Tv ka siguruar fotografinë e efektivit 20-vjeçar Arsen Toska, i cili mbeti i plagosur brenda mjetit të Policisë, gjatë shoqërimit drejt Komisariatit të Policisë Kuçovë të 45-vjeçarit Zamir Skënderi, i cili edhe e sulmoi me armë zjarri.
Toska ndodhet ende në Spitalin e Traumës në Tiranë, me dëmtime dhe palëvizshmëri të gjymtyrëve të poshtëm. I arrestuari Zamir Skënderi ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se "nuk mban mend asgjë pasi ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike".
Paralelisht me hetimet që po kryhen për këtë ngjarje nga Prokuroria e Beratit, hetime po kryen edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në lidhje me kryerjen apo jo nga ana e efektivit të policisë të proçedurave standarte të shoqërimit.
Gjithashtu po hetohet edhe fakti se përse Zamir Skënderi nuk u kontrollua nga Policia e Fierit gjatë shoqërimit të tij në këtë Komisariat, por u lejua të hipte me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike kokainë në automjetin e policisë, ku ndodhi edhe ngjarja.
Plagosja e efektivit të policisë, 20-vjeçarit Arsen Toska, ndodhi mbrëmjen e të hënës në fshatin Kutalli në Dimal.
Ai ishte pjesë e efektivëve të Patrullës së Përgjithshme dhe një shtetas që po e shoqëronin i mori armën e shërbimit dhe e plagosi. Autori u kap në përpjekje për t’u larguar nga vendngjarja, nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në makinë.
Komente











