BERAT- Ngjyrat e forta, figurat e stilizuara dhe simbolika e pasur karakterizojnë ekspozitën "Rrënjët", të piktorit Zeqirja Rexhepi, e çelur në Galerinë e Arteve "Edward Lear" në Berat.

Artisti me origjinë nga Gjilani i Kosovës, i cili prej vitesh jeton dhe krijon në Kanada, prezanton 41 punime të realizuara kryesisht me teknikën e akrilikut dhe në stilin modern.

Ekspozita është ndërtuar në tri tematika. Në sallën e parë pasqyrohen plagët e luftës në Kosovë, në të dytën trajtohet përballja e njerëzimit me pandeminë COVID-19, ndërsa salla e tretë i kushtohet gruas si simbol i jetës, bukurisë dhe vazhdimësisë.

Ekspozita "Rrënjët" do të qëndrojë e hapur në Galerinë "Edward Lear" deri më 12 korrik, duke u dhënë mundësi artdashësve dhe vizitorëve të njihen nga afër me krijimtarinë e një prej artistëve të njohur  të diasporës.