'Kufijtë', Haradinaj kundër Thaçit për Washington Post: Mjaft! Nuk do lejoj ndarjen e Kosovës

'Kufijtë', Haradinaj kundër Thaçit për Washington Post: Mjaft! Nuk do lejoj ndarjen e Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenit Hashim Thaçi

Në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj edhe njëherë ka këmbëngulur se nuk do ta lejojë ndarjen e shtetit të ri. Me një shkrim në gazetën e madhe amerikane, Washington Post, Haradinaj është shprehur qartë se nuk do të pranojë ndarjen e Kosovës. Shkrimi i Haradinajt u publikua në prestigjiozen amerikane në të njëjtën ditë kur presidenti Hashim Thaçi, promovues i tezës së rishikimit të kufijve me Serbinë, u shpreh për Zërin e Amerikës se Prishtina duhet të bëjë marrëveshje me Beogradin.  

Shkrimi i Ramush Haradinajt për Washington Post:

Vendit tim, Kosovës, po i kërkohet të bëjë një zgjidhje të pamundur, e cila do ta zbehte sakrificën e bërë nga ushtarët e Shteteve të Bashkuara, e cila do ta dëmtonte stabilitetin e rajonit, dhe e cila do të rrezikonte aleatët e Amerikës. Përballë sulmit të vazhdueshëm nga Serbia, që ka për qëllim të cenojë sovranitetin, sigurinë dhe prosperitetin tonë, janë disa që duan që Kosova të angazhohet në të ashtuquajturin spastrim “paqësor” etnik në Ballkan. Kjo është një përpjekje jolargpamëse, për t’iu nënshtruar ngacmuesit, me shpresë se ngacmimet do të ndalen. Ne nuk do ta bëjmë këtë – përkundrazi, ne do të ngrihemi kundër atyre që duan të na shfrytëzojnë, duke punuar në të njëjtën kohë për një marrëveshje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse.

Pas një fushate terrori e gjenocidi, Kosova fitoi pavarësinë e saj nga Serbia, nëpërmjet sakrificës së madhe, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe nga NATO’ja. Që nga lufta e 1999’s dhe nga shpallja e pavarësisë sonë më 2008, ne kemi ndërtuar një shtet modern, i vendosur për demokraci, dhe për integrim me NATO’n, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara. Sot, më shumë se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara njeh pavarësinë tonë.

Megjithatë, Serbia dhe aleatja e saj, Rusia, kanë refuzuar të njohin sovranitetin tonë, dhe janë përpjekur të bllokojnë anëtarësimin tonë në Kombet e Bashkuara. Duke shkelur marrëveshjen e Brukselit për normalizim të raporteve, Serbia ka punuar që të bllokojë rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, si dhe drejt anëtarësimit në shumë organizata ndërkombëtare. Javën e kaluar, përpjekja jonë për t’iu bashkuar Interpol’it u pengua, duke i ndihmuar kështu krimit të organizuar dhe duke dëmtuar zbatimin ndërkombëtar të ligjit.

Tani, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i mbështetur nga Rusia, na ka bërë një ofertë të turpshme: Serbia do ta njohë Kosovën, nëse ne ia japim asaj një pjesë të territorit tonë. Serbia dëshiron të krijojë një shtet të “pastër” etnikisht, duke ua hequr shtetësinë qytetarëve dhe duke i dëbuar ata nga shtëpitë e tyre.

Ky është një çmim shumë i lartë për t’u paguar. Ne nuk do ta shkelim kushtetutën tonë, nuk do ta japim sovranitetin tonë, dhe nuk do ta shkatërrojmë integritetin tonë territorial, vetëm që Serbia ta njohë atë që tashmë është fakt. Ne gjithashtu nuk do të krijojmë një precedent të rrezikshëm, që do të destabilizonte Ballkanin e gjerë dhe vendet që po luftojnë për integritetin e tyre territorial, sikurse Izraeli, Ukraina dhe India.

Shumica e ekspertëve ndërkombëtarë e kundërshtojnë këtë ide. Ajo gjithashtu është refuzuar fuqishëm nga populli i Kosovës – teksa 77 për qind janë shprehur kundër në një anketë të realizuar së fundmi. Si kryeministër i vendit, unë kurrë nuk do ta mbështes një pazar të tillë.

Për më tepër, ne gjithashtu nuk kemi besim se Serbia do t’i respektojë zotimet e saj, duke ditur se ajo në të kaluarën nuk ka vepruar në mirëbesim. Serbia ka dështuar të zbatojë çfarëdo marrëveshje të madhe që ka nënshkruar me Kosovën, përfshirë Planin e Ahtisaarit, marrëveshjen e Brukselit të 2013’s për normalizimin e marrëdhënieve, dhe marrëveshjet e 2013’s dhe të 2015’s për furnizimin me energji elektrike. BE’ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë garantues të këtyre marrëveshjeve, duke demonstruar se si Serbia shpërfill trysninë ndërkombëtare kur ajo aplikohet.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shqipetari: 29/11/2018 13:46

    Bravo Ramush mos e ha ate Koqe ullini thote Tironci dem baba dem Serbia eshte Race e keqe Koto jane kufijt qe i fituam me gjak Rambo me Djelmoshat Shqipetare Mos u pajtoni me Thacin Ai eshte pro Serb per interesa Vetjake Populli Kosovar nuk do ndryshim Kufijsh Kjo teze e dy te cmendurve Thaci Vucic eshte thike mbas shpine per Shqipetaret e Kosoves prandaj Kryeminister Ramushi ( Rambo ) qendroi fjaleve qe ke thene Mos u bej trathetore se nje dit do te pendohesh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu