TIRANE- Partia Socialiste shpreh shqetësim për rrugën që po ndiqet për të delimituar kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas urdhërit që Berisha ka dhënë një vit më parë, Partia Socialiste kërkon që të bëhen transparente të gjitha procedurat që do të ndiqen deri në zhvillimin e negociatave mes dy vendeve fqinjë.

 Deputeti i selisë rozë, njëherësh edhe anëtarë i komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Xhemal Qefalia, në një prononcim për gazetën "Shqiptare.com" në lidhje me paktin, i ka bërë apel kryeministrit Berisha që të bëhen të gjitha hapat transparente për opinionin publik, ndërsa ka kërkuar edhe publikimin e urdhrave të tjera që mbahen në sirtar të institucioneve.

"Publikimi i urdhërit që është publikuar në gazetën tuaj tregon edhe një herë që kjo mazhorancë qeverisëse vazhdon të jetë jo transparente me opinionin publik, por edhe me opozitën në vend. Të gjithë procedurat që do të ndiqen nga institucionet dhe qeveria duhet të jenë transparente", është shprehur deputeti Qefalia, ndërsa ka shtuar se "Ndaj i kërkojmë kryeministrit Berisha të bëj transparent çdo hap dhe të publikoj të gjitha urdhërat që ka dhënë për këtë marrëveshje. Duam që kompasi që u përdor në 2009 të mos përdoret edhe në 2012 apo kur do të realizohet marrëveshja". Por deputeti i selisë rozë ka hedhur një tjetër dritë, mbi atë se çfarë duhet të bëjë grupi i punës (nëse ekziston).

Po ashtu Qefelia, duke folur gjatë për këtë çështje, ka kërkuar që pa filluar puna duhet të bëhet analiza e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të denohen përgjegjësit e një pakti antikombëtar.

(sg/shqiptarja.com)