TIRANË - Thonë se flokët janë gjysma e bukurisë ndaj me plot bindje themi se ato janë një pasuri e rëndësishme për bukurinë e njeriut. Por nga ana tjetër është domosdoshmëri kujdesi ndaj tyre, sepse ka shumë faktorë të cilët ndikojnë negativisht. Dr. Dermatologe Ardiana Sinani në lidhje me këtë fenomen shqetësues ka shpjeguar më hollësisht shkaqet që ndikojnë në rënien e flokëve, mënyrat e parandalimit, si dhe bën me dije disa këshilla të ndryshme për të patur flokë të bukur dhe të shëndetshëm.

Rënia e flokëve është shndërruar në një fenomen shqetësues. Cilët janë faktorët që ndikojnë në rënien e flokëve?
Defiçiencat ushqimore që vijnë si rezultat i një mënyre ushqyerje jo të shëndetshme, mungesa e fibrave, vitaminave, mineraleve, që përgjithësisht gjenden në perimet dhe frutat dhe mbajtja e dietave të forta për një periudhë të gjata kohore. Shkaqe endokrinologjike, si hypo ose hyper tiroidizmi, postpartum (mbas lindjes së një fëmije, kjo sepse si rezultat i proceseve të shumta mitotike që ndodhin gjatë shtatzënisë flokët gjatë kësaj periudhe nuk bien, por pas lindjes të gjitha ato flokë që normalisht duhet të kishin rënë gjatë periudhës së shtatzënisë fillojnë e bien njëherësh rreth 3-4 muaj pas lindjes). Stresi i madh psikik dhe ai fizik. Anemitë sidomos ato ferriprive (që vijnë si rezultat i marrjes së pakët të hekurit apo humbjes së tij nga organizmi siç janë hemoragjitë e ndryshme).-Infeksionet e përsëritura streptokoksike të fytit, hundës, veshëve, etj,.-Trashëgimia-Sëmundje të ndryshme metabolike, sëmundje të rënda malinje.Dëmtime të jashtme: si lyerjet e shpeshta, larjet e shpeshta, permanenti etj,.

Si mund të parandalohet rënia e flokëve?
Jetë e shëndetshme, ushqim i shëndetshëm, evitim i dietava drastike apo për një periudhë të gjatë kohe, chek up të rregullta 1 vjeçare për diagnostikimin e parandalimin e sëmundjeve të përmenduara, mosabuzim me përdorimin e procedurave, si ngjyrosje, dekolorim  dhe bërja permanent.

Zgjedhja e shampos sa e rëndësishme është?
Gjetja e një shampoje të përshtatshme për llojin e flokut sot është kthyer në një sfidë në morinë e pafundme të variacioneve e markave të prodhimit të shampove të flokëve. Nuk duhet të përdorim të njëjtën shampo gjatë gjithë vitit, sepse edhe floku ynë reagon sipas stinëve.

Disa këshilla të dobishme për flokët?
Përpara se të shkojnë nëpër qendra estetike dhe të trajtojnë problemet që lidhen me rënien e flokut duhet të kontaktojnë mjekun dermatolog për të gjetur shkakun e kësaj rënie, të cilat janë të shumta dhe pa mjekuar shkakun nuk bëhet e mundur ndalimi i rënies së flokëve, pavarësisht trajtimeve të jashtme që mund të bëhen për flokët, si maska apo produkte të tjera kozmetike. Trajtimi i flokëve bëhet i kombinuar me terapi orale (që lufton shkakun) dhe aplikimin e produkteteve kozmetike për flokët. Kujdes duhet treguar me aplikimin pa kriter të këtyre produkteve, larjet e shpeshta, përdorimi i procedurave kozmetike, si tharjet e shpeshta me tharëse, aplikimi i produkteve për të shtrirë apo për t'i bërë kaçurrela, ekspozimi për periudha të gjata në diell e thajnë dhe e hollojnë flokun. Gjithashtu mjaft i efektshëm (gjithmonë pasi është gjetur shkaku i rënies) sot rezulton edhe aplikimi direkt në lëkurën e kokës i solucioneve multivitaminë nëpërmjet mesotherapisë apo aplikimi i plasmës së koncetruar me faktorë rritje të marrë nga gjaku i vet pacientit, (autohemoterapia autologe)./ATSH/