Kujtesë për 26 majin, për të gjithë 'dashnorët' e zgjedhjeve të lira dhe lirisë së medias

Kujtesë për 26 majin, për të gjithë 'dashnorët' e zgjedhjeve të lira dhe lirisë së medias

Si sot 25 vite më parë, u zhvilluan zgjedhjet e 26 majit, të cilat kanë hyrë në histori si zgjedhjet më të manipuluara, më të vjedhura dhe më të grabitura në historinë e Shqipërisë.

Njëherësh zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996 shënuan dhe ngritjen në sistem të grabitjes së votës përmes makinerisë së rëndë të shtetit të përbërë nga SHIK-u, policia dhe forcat paramilitare.

Sali Berisha ka qënë arkitekti i kësaj skeme të grabitjes së votës përmes shtetit, duke “injektuar” në sistemin limtafitik të politikës shqiptare dëshirën e pafre për manipulimin e votës, e cila vijon dhe sot e kësaj dite përmes formave të tjera të rafinuara dhe sofistikuara.

Por 26 maji ishte pikërisht zanafilla e gjithë së keqes me zgjedhjet në Shqipëri dhe as Berisha e as mbështetësit e tij s’mund të qëndrojnë “dorëjashtë” këtij maskarallëku të paparë në vend.

Por a ishte 26 maji dita kur shpërtheu anti-shteti kundër votës së lirë të shqiptarëve, të cilët për 45 vite me radhë kishin dalë në votime për të votuar partinë me këngë e valle?

Simtomat e para ishin dhënë në zgjedhjet vendore të vitit 1992, kur socialistët e larguar nga pushteti më 22 mars 1992, vetëm tre muaj më vonë arritën të përmbysin rezultatin dhe të fitojnë zgjedhjet lokale.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk u dha kurrë zyrtarisht, përpos hyrjes në zyrë të kryetarëve të rinj të bashkive, ndërkohë që lideri i tyre Fatos Nano do të hynte në burg nga vetë dora e Sali Berishës, një vit më vonë. Me akuza absurde politike, gjë që u vertetua më pas.

Sali Berisha bëri “testin” e parë në referendumin e nëntorit të vitit 1994, të cilin e humbi.

Në testin e dytë parazgjedhor me zgjedhjet e pjesshme në Libofshë më 1995, Berisha provoi skenarin që do ta implementonte më pas më 26 maj 1996, duke dhunuar përfaqësuesit e opozitës, dhe duke vjedhur votat.

Sali Berisha do t’i fitonte zgjedhjet e 26 majit, ngushtësisht por do t’i fitonte ama. E sigurtë!

Ngritja e firmave mashtruese piramidale, ku shqiptarët në atë kohë ishin në “habitatin” e vet, “fito pa punuar, fut një lek e merr dy” në firmat mashtruese, kishte bërë të vetën. Askush nuk hiqte dorë kollaj nga kjo “parajsë” kapitalizmi që po i bënte promo Sali Berisha ditë pas dite. Madje duke përdorur dhe në spote publicitare dhe në takime me pankarta emrat e këtyre firmave. Përpos parave që derdheshin lumë për të fituar “demokracia dhe ekonomia liberale”.

Por Sali Berisha kërkonte një fitore të madhe, plebishitare, me 2/3 e Kuvendit, për të garantuar një mandat të dytë Presidencial.

E nisi duke bjerrë komisionet zgjedhore, duke dhunuar dhe frikësuar paraprakisht opozitën e atëhershme, që dhe pa këto ishte e dhunuar rëndë, pasi kishte kryetarin Fatos Nano në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë të dënuar me akuza politike. Dhe me ndihmën e lidershipit të vetë PS.

Dita e zgjedhjeve të 26 majit ka qënë një ditë e frikshme, e trishtë dhe me trupa militare e paramiltare, policore dhe të SHIK-ut të Gazidedes që po punonin vetëm në shërbim të votës për PD dhe kundër opozitës.

Në orën 11.00 pjesa më e madhe e komisionerëve të PS ishin jashtë qendrave të votimit, për shkak të “problemeve që sillnin në komision”.

Ky ishte arsyetimi i nxjerrjes së tyre me dhunë jashtë qendrave të votimit nga forcat e sigurisë, me uniformë ose jo. Sapo kundërshtonin votimin disa herë, në emër të lagjes për të gjithë, nxirreshin jashtë qendrës së votimit me dhunë, madje me shkelma shoqëroheshin dhe në komisariate, të cilat ishin mbushur asokohe plot me kundërshtarë të regjimit.

Mbushja e kutive vijonte me kapacitet të plotë, madje kishte garë kush plotësonte më shumë vota në favor të kandidatëve të PD.

Kandidatët e forcave opozitare, braktisën zonat e tyre dhe u kthyen në Tiranë, për të shpëtuar kokën.

Pasditën e 26 majit, me këmbënguljen e Kastriot Islamit, në selinë e Aleancës Demokratike të Neritan Cekës në hyrje të rrugës “Myslym Shyri” u mblodhën drejtuesit e opozitës dhe vendosën tërheqjen nga zgjedhjet.

Pjesa tjetër nuk pati histori. Në Cërrik dhe Kuçovë rezultatati kapërceu të gjitha limitet duke arritur në 120 përqind për kandidatin e PD. Fletët e votimit të kandidates së PD Roza Pati, të përgatitura në kuti më parë, në vend që të shkonin në Lezhë u ngatërruan me të kandidatit tjetër Ylli Vejsiu në Allias në Tiranë. Kutia e Alliasit shkoi në Lezhë me emrin e Vejsiut, ndërsa e Lezhës në Tiranë me emrin e Patit. Masakra nuk u ndal, situata doli jashtë kontrollit dhe PS-së i “lanë” vetëm 10 deputetë.

Zgjedhjet nuk u njohën nga SHBA, BE, vëzhguesit e OSBE-ODIHR. Madje dhe nga vetë përfaqësues të djathtë, duke përmendur këtu ish kreun e PR, të ndjerin Sabri Godo dhe ish kreun e Ballit Kombëtar, të ndjerin Abaz Ermenji.

Ky i fundit u injektua me ilaçe dhe për katër ditë qëndroi në gjendje gjumi në banesën me qira në Rrugën e Kavajës, vetëm që të mungonte dhe një zë i djathtë kundër zgjedhjeve të 26 majit.

E rikthyem në kujtesë këtë skemë vjedhjeje të votave për të gjithë “dashnorët” e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të treguar se gjithçka në zgjedhjet e 25 prillit ishte shumë shumë ndryshe, si nata me ditën!

Opozita në atë kohë nuk i njohu zgjedhjet, hyri në grevë urie në selitë respektive të partive dhe më 28 maj planifikuan daljen në një protestë në sheshin “Skënderbej”. Por këtij sheshi i kishte dalë “pronari” me kohë, ishte Sali Berisha e nuk lejonte asnjë tubim përveç PD në këtë hapësirë.

Duke qënë dëshmitar okular në atë kohë, pamja rreth selisë së PS, të PSD dhe PAD ishte në trajtën e një horrori. Trupa të policisë, ushtrisë dhe Gardës, por dhe të SHIK-ut të Gazidedes dhe paramiltarët ishin vendosur në pozicion luftimi. A thua kishte luftë.

Me shumë mundime opozita e preku për disa sekonda sheshin, por jo vetëm shqiptarët por tërë bota panë dhunën dhe gjakosjen e saj. Nuk ishte pamje më të trishtë se të shihje Servet Pëllumbin, numrin dy të PS të gjakosur në shesh, Skënder Gjinushin, Neritan Cekën, Arben Imamin, Namik Doklen, Pandeli Majkon, Ndre Legisin, Erjon Braçen të dhunuar, sakatuar e gjakosur rëndë. Në ditën e zgjedhjeve dhe në protestën e 28 majit.

Pamjet e rënda pushtuan mediat botërore, ndërkohë që Arben Imami gjendej në birucat e policisë me dhëmbë të thyer, Blendi Gonxhe dhunohej dhe tërhiqej zvarrë.

Dikush mund të thotë pse nuk përmend emra të tjerë të rëndësishëm. E vërteta është se nuk mund të them në asnjë rrethanë se u dhunua ish nënkryetari i PS Ilir Meta. As e preku njeri me dorë, madje as u pa në publik. Arësyen e di vetëm Sali Berisha e vetë Ilir Meta, përfshirë Gazideden.

Dhe që një muaj para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 është pikërisht Ilir Meta që “mprehu” kosoret, sfurqet dhe mjetet e tjera rrethanore për të mbrojtur me gjak votën. Madje duke paralajmëruar se do të japë dhe jetën e vet dhe të fëmijës!

Kanë qënë pamje të tmerrshme, kuadri i të cilave u “plotësua” me rrëmbimin, dhunimin dhe hedhjen tek Liqeni Artificial të gazetarit të “Dita Informacion”, Bardhok Lala.

U hodh për të vdekur aty, pasi ishte dhunuar nga policia, SHIK-u, civilët militantë dhe kush kishte shfaqur dëshirën e tij për të shfryrë dufin ndaj opozitës dhe mediave.

U dhunuan gati të gjithë gazetarët, përfshirë dhe një gazetar spanjoll, pamje që shërbeu për të bërë xhiron e botës dhe për rastet e tjera.

Ky rikthim në kujtesë i 26 dhe 28 majit të vitit 1996 është dhe për të gjitha ata “dashnorë” të lirisë së medias, të cilët shqetësohen pse kryeministri Edi Rama sheh ngrysur një gazetar, madje dhe shtyn një tjetër që nuk ka maskë ndërsa ishte e detyrueshme, nuk i përgjigjet ndonjë pyetjeje, thërret “kazan” për analistët. Madje dhe debaton me ndonjërin duke “tronditur” lirinë e medias!

Në atë kohë luhej me jetën dhe jo me humorin apo mimikën e liderit politik.

Ju rikthyem asaj kohe jo vetëm me detyrimin se sot mbushen 25 vite nga 26 maji i masakrës elektorale të Berishës, por dhe për shkak se kemi në rrugë një opozitë që akuzon qeverinë për vjedhje votash dhe kërkon nga institucionet e shtetit që t’i gjejë provat pasi nuk i ka.

Ju rikthyem sot 26 majit pasi kemi gazetarë që nuk lëvizin nga karrigia për të gjetur një lajm, por zemërohen se përse iks zyrtar apo politikan nuk ua dërgon me postën elektronike, mundësisht të gatshëm. E quajnë cënim të lirisë së medias këtë rast!

Nuk hymë shumë në detaje, pasi janë dhënë e dhënë për shumë vite jo vetëm rastet e dhunës në atë kohë por dhe vit pas viti, deri në djegie redaksie si ajo e gazetës “Koha Jonë” apo dhunim gazetarësh, duke i nxjerrë jashtë rrjedhave të jetës si rasti i Zamir Dules./TemA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 26/05/2021 18:20

    Terrori i pashembullt ne diten e zgjedhjeve parlamentate te 26/5/1996 ,kudo neper qendrat e votimit ,dhe ai mbi demostraten e 28 majit ishin akte te qarta te MINIMIT te demokracise se dr.mortjes dhe shpures se tij kriminale. A do te gjykohet dhe denohet ky krim me permase kombetare nga drejtesia e re? I kam ende ne sy tmerret qe kam pare ne sheshin "Skenderbej ",,,ku goditeshin barbarisht edhe demostruesit e moshuar .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës