Jepen të dhëna gjatë punës si Komandant Brigade në Kavajë, për zhvillimet në Ushtrinë Shqiptare pas daljes nga Traktati i Varshavës, mbi të ashtuquajturin "Puç Ushtarak", mbi fortifikimin, mbi periudhën e spastrimeve në ushtri pas vetvrasjes së Mehmet Shehut. Më tej tregohet për kohën në pension, për zhvillimet demokratike, për punën si ministër i Mbrojtjes në Qeverinë Teknike të vitit 1991-1992, vazhdimi i karrierës së mëtejshme në atë ministri pas fitores së Partisë Demokratike në vitin 1992 deri në vitin 1997, përfshi edhe ngjarjet e atij vti të paharrueshëm. Flitet mbi organizimin dhe veprimtarinë e Shoqatës Shqiptare të Atlantikut deri në qershor 2002, kohë ku ai zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë. Shqiptarja.com përzgjodhi për lexuesit kapitullin, ku për herë të parë, nga një bashkëkohës i rangjeve të larta, flitet për ngjarjet e dhimbshme në Ushtrinë Shqiptare gjatë viteve të diktaturës komuniste. Në pjesën e parë të materialit të përzgjedhur flitet për akuzat e para dhe më tej dënimin e Beqir Ballukut, akuzat dhe mbledhjet e frikshme, dhe fillimi i spastrimit që depërtoi deri në themelet e ushtrisë shqiptare. Me rëndësi është trajtimi i figurës së Mehmet Shehut, i cili në këtë pasazh shfaq frikërat e tij të para dhe pasigurinë, tek i thotë Muhamet Prodanit, "Mbylle gojën, se do ta hash edhe ti! Nuk e kupton që s'kam ç'të bëj...". Libri do të promovohet nesër në 11:00 në Muzeun Historik Kombëtar.
NGJARJET E TË ASHTUQUAJTURIT "PUÇ USHTARAK"
Nga fundi i vitit 1972, në Teatrin Popullor u shfaq pjesa teatrale e Mirush Jeros "Njollat e murrme". Për këtë pjesë teatrale në shtyp, pati komente të ndryshme pozitive, por edhe në biseda, flitej se në art po frynte një erë e re liberale, që premtonte diçka më ndryshe. Mehmet Shehu, kur e kishte parë, ngaqë e kishte pëlqyer, e kishte duartrokitur, kurse për Enver Hoxhën tregonin se kur pas disa ditësh e pa, gjatë gjithë shfaqjes kishte qëndruar fytyrëngrysur, mandej, në fund e kishte anatemuar. Në mars të vitit 1973, në një mbledhje të aparatit të KQ-së, Enver Hoxha lëshoi ndaj Fadil Paçramit akuzën që se priste kurrë, duke e quajtur atë "Rrufjan politik", shprehje ende e padëgjuar më parë nga goja e tij. Si me komandë filloi ndjekja e shkrimtarëve të dramave, një nga të cilët ishte edhe Fadil Paçrami. Kur në mesin e vitit 1973 u zhvillua Plenumi i 4-t i KQ-së të PPSH-së, u shpallën armiq dhe u dënuan Todi Lubonja, Dashnor Mamaqi, Fadil Paçrami dhe kuadro të tjerë, të sektorit të edukimit dhe kulturës. Dukej qartë se, pavarësisht se si servireshin problemet, përpara do të kishim një furtunë, por asnjëherë nuk mund ta kishim menduar atë që ndodhi më vonë. Ky plenum ishte shumë i ashpër, por kryesisht u përqendrua në sferën e kulturës dhe të ideologjisë. Vendimet e këtij plenumi me kuadrot kryesorë të ushtrisë u punuan në Durrës. Ndër të tjera, i deleguari i KQ-së, në mbledhje cilësoi që ushtarakët nuk janë thelluar sa duhet në konkluzionet e plenumit, gjë e cila na vuri në dyshime, se në të ardhmen, edhe me ushtrinë mund të ndodhte diçka e ngjashme. Më kujtohet se gjatë pushimeve të aktivit, tek po bisedoja me gjeneral Todi Naçon, që pse po zhvillohej një aktiv i veçantë me ushtarakët, për një problem që nuk kishte të bënte me detyrat tona kryesore, i thashë: "Besoj se kjo nuk po bëhet kot!". Me sa duket, edhe me ne, në të ardhmen, duhet të ndodhë ndonjë gjë.
Sigurisht nuk dinim asgjë konkrete, por po shihnim se përvijohej një taktikë tashmë e njohur e Partisë, që kohë pas kohe duhej gjetur ndonjë grup armiqësor, gjë që jo vetëm tërhiqte vëmendjen nga problemet e përditshme të njerëzve, por edhe i bënte njerëzit me funksione që të mendonin se kush e kishte radhën më pas. Atë kohë kishte në vazhdimësi anekdota të ndryshme, me domethënie të forta politike, të cilat i atribuoheshin Shkodrës, por që nuk vinin vetëm prej andej. Kështu filloi të qarkullonte një fjalë, ose mundet të ishte edhe anekdotë, që i atribuohej një personaliteti të lartë të kohës se: "Vetëm shoku Enver e ka karrigen me katër këmbë, ne të tjerët të gjithë e kemi me tri këmbë!". Kjo thënie kishte brenda një realitet, se të gjithë mund të gabonin dhe vetëm ai nuk gabonte, jo pse kjo nuk mund të ndodhte, por gabimet e tij ose nuk viheshin në dukje, ose rregulloheshin pa bërë zhurmë, apo kalonin në llogari të tjerëve, të cilët edhe paguanin për to, megjithëse roli i tyre mund të kishte qenë sekondar. Gjeneral Halim Ramohito, shkruan në kujtimet e tij: "Për të gjitha dështimet dhe pasojat negative që rrodhën nga zbatimi i të "ashtuquajtura reforma", të iniciuara nga Enveri më 1974, përgjegjësinë na e kaloi neve, siç ishte në karakterin e tij, që në situata kthesash dhe vendimesh të tilla të rëndësishme, në raste dështimesh, fajet dhe përgjegjësitë t'ua hidhte përsipër të tjerëve". Jam plotësisht dakord me këtë konkluzion të nxjerrë nga gjeneral Ramohito, i cili, për vetë funksionet politike që ka kryer në ushtri, e ka njohur shumë mirë diktatorin.
Aty, nga mesi i gjashtëmujorit të parë të vitit 1973, sekretarja e drejtorisë, e ndjera Anastasi Budina, më informoi se nga Instituti i Studimeve Ushtarake kishin sjellë një material, që duhet ta shikoja vetëm unë si drejtor, dhe për të cilin duhet të jepja mendim me shkrim. Impenjimet ndaj detyrave të shumta, më detyronin që dy të tretat e muajit t'i kaloja poshtë në njësi e reparte, duke kontrolluar dhe ndjekur punimet fortifikuese. Gjeneral Ernest Jakova, në atë kohë zëvendësdrejtori i Institutit të Studimeve Ushtarake, disa herë kishte këmbëngulur për këtë dhe më kishte thënë se materiali duhej parë patjetër, pasi kjo ishte porosi e ministrit. Kështu, një të diele të muajit maj 1973, që në mëngjes shkova në zyrë për të studiuar materialin, i cili më vonë u emërtua "Materiali i zi", që do të ishte shkaku i fillimit të një kryqëzate të paparë në historinë e ushtrisë, por edhe për gjithë Partinë. Nuk i vura aq rëndësi studimit të këtij materiali, duke e konsideruar atë më shumë si një shkrim teorik, sesa si një vijë e përgjithshme për ndërtimin e strategjisë ushtarake të vendit. Kuadrove të larta ushtarake, për pjesën më të madhe të tyre, që studiuan këtë material, as që u kishte shkuar ndër mend se çfarë pasojash do të sillte më pas leximi i tij, e sidomos mendimi me shkrim që do të jepnin, i cili kërkohej me çdo kusht.
Pra, materiali që duhej lexuar dhe studiuar për të dhënë mendime, me sa më kujtohet, mund të kishte afro 250-300 faqe. Materialit të hartuar, si zbërthim i Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, i hodha një sy vetëm kapitullit të fillimit, ndërsa u përqendrova me kujdes në pjesën e fortifikimit, që ishte pjesa ime profesionale, për të cilën unë kisha përgjegjësi të veçantë. Gjatë leximit, më ra në sy një kontradiktë paksa e çuditshme, pasi, teksa bëhej fjalë për një fortifikim solid, në të njëjtën kohë rëndësia kryesore i kushtohej mbrojtjes së manovrueshme. Kjo më bëri shumë përshtypje, sepse nuk kuptoja pse duhej bërë gjithë ai fortifikim dhe shpenzim, kur mbrojtja do të ishte e manovrueshme, që parashikonte lehtësisht tërheqje në thellësi, deri në luftë partizane. Mbrojtja e manovrueshme është e njohur si formë luftimi dhe operacioni, por ajo kryesisht përdoret nga ushtritë e mëdha, që kanë territore të gjëra. Ato i kanë mundësitë të organizojnë mbrojtje të tilla, duke u tërhequr për të lëshuar territore, derisa të arrihet raporti i duhur i forcave, për të kaluar në të pastajmen në kundërgoditje ose kundërmësymje.
Nisur nga ky konkluzion, i përshkruar në mënyrë groteske, shënova që nuk isha dakord me atë çfarë lexova në material. Sugjerova që kjo mënyrë shtrimi i problemit nuk korrespondonte me atë çfarë po bënim konkretisht në ushtri, duke kryer shpenzime të mëdha për fortifikimin e vendit dhe pastaj këto breza mbrojtjeje të fortifikuar, të lëshoheshin me aq lehtësi. Konkluzionet i nxora si profesionist i asaj pune, pa ditur që kjo do të luante një rol tepër të rëndësishëm në shmangien e goditjes ndaj meje. Më kujtohet, kur po bëhej diskutimi për këto probleme në Parti, rastësisht takova gjeneral Halim Ramohiton, i cili më shprehu mendimin e tij se kishte qenë i befasuar për çka unë kisha shkruar. Kur e bëra atë vlerësim, as që më kishte shkuar në mëndje se çfarë roli mund të luante. Gjykimin rreth materialit e bëra, nisur nga ana profesionale, duke arsyetuar mundin dhe shpenzimet për fortifikim, si një vlerësim dhe përdorim i pamjaftueshëm i tij në zhvillimet e operacioneve luftarake.
Në qershor 1974, u hap lajmi se Beqir Balluku në mbledhjen e Byrosë Politike, ishte vënë në vështirësi serioze, kur ishin diskutuar problemet e zbatimit të Artit Ushtarak Popullor, dhe sidomos vërejtjet në interpretimin e "Tezave të Këshillit të Mbrojtjes".
Nën zë thuhej se Beqiri ishte përjashtuar nga Byroja. Nuk na besohej që ai ta pësonte, duke qenë i njohur si një nga besnikët më të mirë të Enver Hoxhës. Beqir Balluku, në ndarje të nënzëshme, cilësohej si pjesëtari i katërshes kryesore të udhëheqjes së asaj kohe. Ditën e festës së ushtrisë, më 10 korrik 1974, Beqir Balluku nuk u duk gjëkundi, gjë që vërtetoi më së miri zërat që po qarkullonin. Lufta e klasave vazhdonte me zigzaget e saj, herë ngrihej dhe herë ulej, sikurse e cilësonte Nexhmije Hoxha në studimet e saj teorike. Megjithëse përplasje të tilla, në sferat më të larta të PPSH-së, nuk kishin ndodhur që prej vitit 1955, kur u goditën Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu, megjithatë, kohë pas kohe kishte ndodhur të shpalleshin armiq anëtarë të ndryshëm të KQ-së, por kësaj here bëhej fjalë për numrin katër të hierarkisë së Udhëheqjes Komuniste.
Materiali i hartuar nga grupi i punës, nën drejtimin e gjeneralëve Ernest Jakova dhe Spiro Shalësi, që na u dha neve për t'u njohur, më vonë u quajt "Materiali i zi". Kur atyre iu kërkua llogari për atë, ata deklaruan se ishin thirrur nga Beqir Balluku dhe iu ishte thënë se kjo detyrë duhet bërë sipas porosisë së dhënë direkt nga shoku Enver. Mandej, në vazhdimësi, iu kishte thënë që të mos shqetësoheshin shumë për çështjen e Tezave, sepse, në fund të fundit, ato duhen verifikuar dhe vërtetuar si teorikisht ashtu edhe praktikisht. Me këtë ai kishte dashur të thoshte se Tezat mund të revizionoheshin, duke synuar përmirësimin e tyre, duke aluduar se nuk duhej pasur frikë, pasi kjo detyrë po kryhej direkt me porosinë e Komandantit të Përgjithshëm. Kur Tezat u shpallën nga Mehmet Shehu, edhe nga ana tij u tha se ato duheshin verifikuar në praktikë dhe se mund t'u bëheshin ndryshimet e duhura, nëse shihet e arsyeshme. Spiro Shalësi tregonte se Petrit Dume, në qershor 1973, i kishte thënë mos u merrni me materialet, edhe pse e dinte që kjo punë bëhej me urdhër të ministrit. Në fakt, nëpër ministri flitej se një grup i përzgjedhur teoricienësh është veçuar diku në një shtëpi pushimi dhe po punon për të zbërthyer Tezat. Kjo, sikurse kisha dëgjuar, po bëhej me urdhër të ministrit Balluku dhe me porosi direkte të Enver Hoxhës. Disa e komentonin këtë si një përpjekje të Ballukut për të balancuar goditjen që ai kishte marrë, pasi Tezat nuk u përgatitën nga aparati i Ministrisë nën drejtimin e tij, por personalisht nga Mehmet Shehu. Megjithatë, asnjërit nuk mund t'i shkonte ndërmend, mbi rrjedhën tragjike që do merrte kjo punë në jetën e Beqir Ballukut dhe të tjerëve. Enver Hoxha, duke iu drejtuar Ballukut në Byro, në lidhje me faktin se çdo gjë bëhej me porosinë e tij, është shprehur: "Siç më thotë Hito, ti e ke gënjyer atë me Petritin, sikur për materialet që po përgatisje, paskësh dijeni edhe shoku Enver; kurse me shokun Enver ke folur vetëm për strukturën e aparatit të Ministrisë, ose për metodën, dhe ai të ka thënë se këtu nuk është çështje strukturore, por është çështje metode dhe stili në punë. Asnjë fjalë nuk i ke thënë shokut Enver për materialin që po përpunonit!".
Akuzat ndaj Beqir Ballukut në mbledhjen e Byrosë Politike, morën një drejtim që nuk kishte të bënte me punën kërkimore shkencore, sikurse trajtohej përpunimi i "Materialit të zi". Enver Hoxha i kanalizoi veprimet e Ballukut si përpjekje të tij për të përçarë Partinë. Kështu, Enveri tha: "Një nga drejtimet e veprimtarisë së Ballukut është synimi i përçarjes mes Enverit dhe Mehmet Shehut". Më tej, Enver Hoxha e zhvilloi fantazinë e tij mjeshtërore: "Veprimtaria e Beqirit ka pasur dy qëllime: qëllimi i parë: të krijonte përçarje në udhëheqje, të realizonte dobësimin e saj dhe, qëllimi i dytë: të arrinte të dobësonte ushtrinë, dy nga drejtimet më kryesore që synon të realizojë armiku. Të dyja këto qëllime, dashur pa dashur, shoku Beqir, janë armiqësore".
Në ushtri këto ngjarje ende nuk njiheshin në tërë përmbajtjen e tyre. Ato u bënë të njohura në muajin korrik 1974, ku me kuadrot kryesorë të ushtrisë, në Golem të Durrësit, u organizua një mbledhje mësimore. Konkretisht, aty u debatua fort për shkollat e lira ushtarake, për materialin teorik ushtarak të përgatitur dhe për problemet e punimeve fortifikuese në ushtri. Si pjesëmarrës, ishim izoluar në kampingun e ngritur për ne me qëllim që deri në përfundim të punës, askush të mos largohej. Aty, ne, me njëri-tjetrin, flisnim me hamendësime, sepse asnjëri nuk dinte ndonjë gjë të sigurt. Edhe në 10 korrik, që ishte "Festa e Ushtrisë", na hipën në autobusë për të na çuar në shtëpitë tona, sa për t'u ndërruar dhe për të marrë pjesë në mbledhjen solemne, dedikuar asaj date. Mandej, pas mbarimit të mbledhjes, pasi riveshëm në shtëpitë tona uniformat e stërvitjes, u kthyem në Golem. Po ato ditë, në Durrës u zhvillua aktivi i ushtrisë. Sipas materialeve të botuara më vonë, rezultoi që në mbledhjen e Byrosë Politike, Enveri i kishte dhënë Mehmet Shehut porosinë që me kuadrot kryesorë të ushtrisë të punoheshin shqetësimet e Byrosë, ku të ishin prezent, përveç ministrit Balluku, edhe disa anëtarë të udhëheqjes. Një ditë, para se të shkonim në Durrës, te Vila e Zogut, ku do të bëhej diskutimi për konkluzionet e Byrosë Politike të PPSH-së, Petrit Dume më tha mua dhe Muhamet Prodanit që të qëndronim në krah të Beqir Ballukut. Qëllimi ishte që gjatë zhvillimit të punimeve, të ishim pranë ministrit se mos i ndodhte ndonjë gjë. Menduam për ju të dy, sepse formalisht ai ende është në udhëheqje, ndaj nuk mundet që pranë tij të vendosen oficerë të thjeshtë. Megjithatë, asnjërit prej nesh nuk i shkoi në mendje se gjërat po merrnin kahun që u vërtetua më vonë.
Salla e mbledhjeve në Vilën e Zogut në Durrës, ishte mbushur me kuadrot kryesorë të ushtrisë. Në podium kishin zënë vend: Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Rita Marko, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai. I pari e mori fjalën Mehmet Shehu, që tashmë ishte ngarkuar edhe me detyrën e ministrit të Mbrojtjes, veç asaj të kryeministrit. Ai bëri një përmbledhje të fjalës së Enver Hoxhës në Byronë Politike, mbajtur në qershor të atij viti. Pas tij e morën fjalën shumë kuadro të lartë të Ministrisë dhe Ushtrisë, të cilët kritikuan me forcë Beqir Ballukun. Po befasohesha për çka dëgjoja aty, që brenda një kohe të shkurtër, pjesëmarrësit në diskutim ndryshuan mendim aq shpejt për ministrin, të cilin jo vetëm e respektonin, por ndaj tij tregonin servilizëm të vazhdueshëm. Sa hipokrite dhe të pabesa dukeshin ato deklarime! Ndërkohë Beqiri, i shpërqendruar dhe ende i pakthjelluar mirë me çka po ndodhte, në një copë letër shkruante ndonjë fjalë, si: "armik", "tradhtar" e të tjera thënie që dëgjonte nga goja e ish-vartësve të tij gjatë diskutimit. Fakti që nuk ishte ulur bashkë me pjesëtarët e tjerë të udhëheqjes, tregonte se për të gjithçka kishte marrë fund, pavarësisht se lëvizte me makinën "Benz" të tijën dhe i shoqëruar nga roja vetjak i tij.
Fillimisht u kuptua sikur kjo do të mbetej vetëm te Beqir Balluku, Ernest Jakova dhe Spiro Shalësi.
Thuhej që Petrit Dume bashkë me Hito Çakon ishin nismëtarë të zbulimit të veprimtarisë së tyre. Pra, si të tillë, dolën si heronj të Partisë që shpëtuan ushtrinë nga e keqja e madhe që i kanosej, ndaj, megjithëse u larguan nga postet që mbanin më parë, Lëvizja u konsiderua si shpërblim: që të dy u emëruan zëvendësministra. Në korrik të vitit 1974, Enveri, duke folur në Byronë Politike, për Petrit Dumen dhe Hito Çakon, tha: "Të dy këta shokë kanë meritën se kundërshtuan vijën e gabuar dhe tradhtare të Beqir Ballukut dhe luftuan vazhdimisht kundër pikëpamjeve të tij, ashtu si bënë dhe shumë kuadro të tjerë të ushtrisë. Kjo tregon se ata janë të zotët, jo vetëm të drejtojnë nga ana ushtarake, por të shohin edhe anën ideologjike e politike të çështjes". Vendin si Shef i Shtabit të Përgjithshëm e zuri Sami Meçollari, kurse me funksionin e Drejtorit Politik u ngarkua Dilaver Poçi. Pas kësaj, kjo drejtori u largua nga ndërtesa e MMP-së dhe u dislokua në zyrat e KQ-së. Nga analizat e bëra, doli se qëndrimi i saj në selinë e MMP-së e kishte reduktuar atë drejtori si pjesë organike të MMP-së, megjithëse ajo përherë ka qenë drejtori e rëndësishme e KQ-së të PPSH-së. Zhvillimet e mëvonshme treguan se kjo ishte vetëm një taktikë për të vënë në gjumë ata, për të cilët ende nuk u ishte përmendur emri. U nënvizua së tepërmi se ishte shkelur direktiva e Partisë që "asnjë hapësirë nuk duhet t'i lejojmë agresorit të mundshëm, qoftë edhe një ushtari të vetëm, për të vënë këmbë në tokën tonë!". Kësaj teze i mëshohej shumë, sepse konsiderohej që me kapjen e një pjesë të tokës shqiptare, armiqtë do të kishin mundësi të shpallnin një qeveri të tyre, çka do t'i ndërlikonte punët e shtetit shqiptar në Arenën Ndërkombëtare. Kjo tezë solli si pasojë, faktin që gjatë gjithë kufirit tonë tokësor dhe detar, të vendoseshin forca të gatshme art-mitraliere. Pra, efektivat e ushtrisë u shpërndanë në mënyrë të barabartë, gjatë gjithë perimetrit kufitar, gjë që ishte e pajustifikueshme nga pikëpamja taktike.
Ditët e fundit të verës dhe fillimit të vjeshtës, vazhdonin të ishin ende të vështira për ushtarakët e lartë. Pas problemeve të ngritura për Ballukun, Mehmet Shehu fillimisht pati thënë: "Nuk do t'i japim asnjë kuadër tjetër Beqir Ballukut", por asnjëri nuk besonte se gjithçka ishte qetësuar. Mehmet Shehu mund ta kishte pasur me gjithë mend, që kjo gjueti e çmendur shtrigash të kufizohej me aq, por kjo me sa dukej nuk hynte në llogaritë e Enverit. Ai donte t'i shkonte më thellë "pastrimit të ushtrisë nga elementët armiqësorë", sikurse pretendohej. Gjeneral Muhamet Prodani, i cili kishte shumë afrimitet me Mehmet Shehun, të vendosur që në kohë të Luftës, sikurse e përshkruan gjeneral Ramohito në kujtimet e tij, ndër të tjera i kishte thënë kryeministrit: "Ç'po bëni kështu, po e shkatërroni fare ushtrinë!... Ç'faj kanë bërë shokët që po i godisni kaq egër?!". Mehmeti i kishte thënë: "Mbylle gojën, se do ta hash edhe ti! Nuk e kupton që s'kam ç'të bëj!". Me këtë kuptohet që edhe vetë kryeministri nuk ishte shumë i sigurt për veten e tij, se deri ku mund të shtrihej goditja. Paranoja e Komandantit të Përgjithshëm ishte e paparashikueshme.
Ndonëse detyrat në repartet e ushtrisë realizoheshin sipas programeve dhe planeve të miratuara më parë, prapëseprapë ndihej që diçka nuk kishte shkuar deri në fund. Shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm Sami Meçollari, siç thoshin ata që e njihnin nga afër, i pëlqente shumë të bënte gjëra që të binte në sy. Një ditë, tek ishim në zyrën e dokumenteve tepër sekrete të Shtabit të Përgjithshëm, duke studiuar një hartë të planizimit luftarak, më ra në sy një gjest i tij, të cilin nuk mund ta harroj. Në zyrë ishim unë, Petrit Dume dhe Sami Meçollari. Kur shefi i zyrës, oficer Ymer Preçi, shpalosi hartën para nesh, Petrit Dume lëvizi dorën në hartë, për të treguar diçka, Sami Meçollari ia largoi dorën Petritit në mënyrë të tillë, që na la të kuptonim mungesë respekti për të, megjithatë ai nuk reagoi. Veprimi i Meçollarit më la shije të hidhur sepse, në fund të fundit, gjeneral Petrit Dume njihej si për kontributin në luftë, ashtu edhe në ushtri, ku gëzonte respekt të padiskutueshëm. Thashë me vete: "Me siguri ai duhet të dijë diçka më shumë nga ne të tjerët, meqë tregoi mungesë respekti duke u sjellë në atë mënyrë me të, pavarësisht nga detyra që aktualisht kishte, si nga mosha edhe nga përvoja ishte shumë larg tij".
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 18 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)