Kujtimet e artistëve shqiptarë nga
Dita e Pavarësisë së Kosovës

Kujtimet e artistëve shqiptarë nga <br />Dita e Pavarësisë së Kosovës
TIRANE - Gjatë kthimit për në Shqipëri nuk mund të rrinim pa trokitur tek shtëpia muze e Lidhjes së Prizrenit. Në qytetin historik na priti deputeti Zafir Berisha, duke na përqafuar me lot në sy. Ai na rrëfen detaje nga historia e re, që tashmë është ngjizur me ngjarjen e madhe. “Ne sot nënshkruam shtetin”- thotë ai. Deputeti i Prizrenit i përkiste atij brezi që sakrifikoi për Kosovën nën emblemën e UÇK-së. “Për 2 vjet rresht,kam qenë nëpër istikame. Tre vëllezër janë burgosur më 1981. Jam përjashtuar nga shkolla si armik i shtetit jugosllav. Jam endur rrugëve të Kosovës duke kërkuar lirinë. 17 herë i bastisur nga forcat e okupatorit serb,i detyruar për t’u larguar përkohësisht nga Kosova dhe në momentin e kushtrimit të Adem Jasharit u ktheva nga Frankfurti i Gjermanisë dhe u vendosa në radhët e UÇK-së. Kjo është histori e thënë me disa fjalë,por e përjetuar me dhimbje e gjak. Kur hodha firmën, m’u kujtuan shokët e ngushtë që u vranë në krahun tim dhe sot janë dëshmorë. Ajo firma ime,si edhe e deputetëve të tjerë,kishte bojë gjakun.

Firma ime dallohet nga larg, pasi është e veçantë. Kishte përfunduar fleta dhe unë firmosa në një hapësirë që bie në sy”, na tregonte Zafiri. Duke u larguar nga Prizreni, që përjeton shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, takojmë poetin,mikun e vjetër Xhevair Spahiun, që thërret sa ka në kokë: “Ta gëzojmë shtetin e Kosovës!” U nisëm sërish në rrugë, por shoferi vlonjat,Ernesti,na njofton se ngrirja e ujit ka dhënë pasoja në motor dhe “pa riparuar defektin nuk mund të udhëtohet”. Nuk kishte rrugë tjetër, përveçse të ktheheshim në fshatin më të afërt me emrin simbolik Zhur. Sikur të kishte qenë prapa derës, mbërrin mes nesh Isuf Kurtaj,gazetar në një nga të përditshmet në Shqipëri,i cili na lutet që të shkonim në shtëpinë e tij, për të bujtur e kaluar natën bashkë...Vetëm pas disa minutash erdhën makinat dhe babai i tij, Shabani,që nuk të linte ta kundërshtoje. “-Kemi dasmë të madhe, -tha a, -duhet të ishim mbledhur apostafat për të gëzuar bashkë, ndaj eni pas meje!”,- dhe na priu rrugën për në vilën dykatëshe. Tek dera, priste lokja 86-vjeçare, Barie Kurtaj, që u bë kripa e gjellës gjatë asaj nate të pagjumë. Ndërsa përjetonim emocionet e dasmës së madhe të shqiptarëve, lokja e Zhurit na tregonte për jetën e saj. Nata përrallore që kaluam në fshatin Zhur mbeti pjesë e festës. E kujtojmë me nostalgji edhe pas pesë vjetësh. Sot ato që ishin atje  tregojnë:

MARGARITA XHEPA:

Pjesëmarrja në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është ngjarja më e shënuar e jetës tonë. Kurrë nuk e kemi parë atë festë, ata lot gëzimi. Jemi të privilegjuara, që mund të shijojmë tortën e madhe të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pas pesë vjetësh, shohim se sa shumë ka përparuar Kosova, shteti më i ri, por që ka bërë hapa të mëdha..

ROZA ANAGNOSTI:

Unë kam mbajtur një ditar për ato 72 orë që qëndruam në Kosovë, që e ruaj si gjë të shtrenjtë. Çdo minutë e atyre tre ditëve, ishte e shenjtë, e bukur, e mbarsur me emocione. Për ne 20 gratë, anëtare të Fondacionit “Nermin Vlora”, ishte një shans, që na dha të drejtën për t’u mburrur. Kemi qenë në Prishtinë në ditën e dasmës së madhe të shqiptarëve. Ky, mbetet një eveniment i rëndësishëm në jetën tonë, ndaj sot, në ditën e 5-vjetorit, por edhe të shumë viteve që do të jetojmë, ne na kanë mbërthyer një gurrë emocionesh.

BESA IMAMI:

Unë jam gjakovare dhe me të drejtë më kishin vënë në krye të listës së grave që do të shkonin në Prishtinë, për t’u bërë pjesë e gëzimit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kisha të drejtë, ta përjetoja atë ditë me më emocion dhe nuk u ndjeva ligsht, që kam qarë. Ishin lot gëzimi, që kanë pritur gjatë që të shpërthenin.

*Shkrimi u botua në gazetën SHQIPTARJA.com
Redaksia Online
(bm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës