Kujtimet e ish-gazetarit të RTSH-së: Turistët e huaj dukeshin sikur vinin nga një planet tjetër dhe Hotel ‘Dajti’, ishte kthyer në ‘Shtatmadhorinë’ e Sigurimit të Shtetit

Kujtimet e ish-gazetarit të RTSH-së: Turistët e huaj dukeshin sikur vinin nga një planet tjetër dhe Hotel ‘Dajti’, ishte kthyer në ‘Shtatmadhorinë’ e Sigurimit të Shtetit

Aso kohe, shumë e shumë vjet të shkuara, ne ishim një grup shokësh studentë të fakultetit Filologjik, që pothuajse çdo mbrëmje, të ulur aty përballë Hotel-“Dajti”-t, pikërisht në bordurat e Parkut “Rinia”, sodisnim fillimin e së famshmes xhiro tradicionale të Tiranës ku, mijëra të rinj e të reja, gjimnazistë, studentë, punëtorë, intelektualë e familjarë, kalonin kohën e tyre të lirë duke ecur vajtje-ardhje, mes shëtitores së madhe e cila niste nga godina qëndrore e Universitetit e, vazhdonte gjer tek redaksia e gazetës “Zëri i Popullit”. Ajo traditë kolektive qe bërë aq e domosdoshme, sa që shumë mendonin se Tirana, do të ishte një Sahara e vërtetë, pa xhiron e saj të mbrëmjes.

(Xhiroja – ajo skenë e stërmadhe me mijëra e mijëra personazhe komiko-tragjike e cila s’ndeshej në asnjë kryeqytet tjetër të botës, ishte edhe spektakli më impresionant për çdo të huaj që vizitonte Shqipërinë. Për shumë prej tyre, ajo lëvizje e pakuptimtë e atij lumi të murrmë njerëzish, më tepër se zbavitje apo argëtim, ngjante me xhiron që të dënuarit bënin rregullisht e në orë të caktuara nëpër burgjet politike. Ky konstatim qe plotësisht i goditur e me vend, po të kemi parasysh se vetë Shqipëria në ato vite, nuk qe veçse një burg i madh, ku njerëzit për çdo mbrëmje e si me komandë, dilnin jashtë për të marrë pak ajër, për t’u çlodhur e për t’u përshëndetur me njëri-tjetrin …)

Jo vetëm Sheshi “Skënderbej” e Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, por edhe gjithë qendra e Tiranës, s’kanë pasur gjithmonë pamjen që kanë sot: plot makina, kioska, bare, qebaptore, kumbistë, lustraxhinjtë, biznesmenë, shitës bananesh, rrëmuje, baltë, pluhur e njerëz që shtyhen për të kaluar nga një trotuar në tjetrin. Jo…! Shumë vite më parë, ajo, ashtu si çdo anë tjetër e kryeqytetit, ka qenë tejet e qetë, më pak njerëz, dyqane e lëvizje e më shumë pllakata, parulla, pemë të gjelbra e parcela të mbjella me lule. Një ëndërr e vërtetë për ekologjistët europianë!

Për ata pak të huaj që vizitonin aso kohe Shqipërinë, ajo ngjallte përshtypje origjinale. “Qendra e kryeqytetit shqiptar – shkruante Christophe L. – në një të përditshme franceze, aty nga fundi i viteve ’70-të – edhe pse me mungesën e lëvizjeve të makinave e qarkullimit të zhurmshëm, të krijon një ndjenjë të çuditshme mbytëse. Mes asaj mase asfalti pothuajse të shkretë, rrethuar nga fasada ndërtesash memece e uniforme, vetja të duket i vockël e tmerrësisht delikat. Përveç njerëzve që ngasin anës së bulevardit biçikletat e tyre të forta e tepër të larta, syri të sheh fare pak automjete që mund të prishin sado pak qetësinë e atij vendi pa zhurmë.

Ato janë, kryesisht, ca autobuzë të kuq urbanë të mbushur plot e përplot e tek-tuk ndonjë automjet zyrtar. Ndër këta të fundit, bëjnë pjesë disa “Jeep”-sa ruse apo kinezë e, ndonjë veturë luksoze e drejtuesve të lartë të Partisë, zakonisht “Benz-Mercedese” fringo të rinj e, ndonjë “Fiat” apo “Warshawa” – me të cilët, ne më të shumtën e rasteve, udhëtojnë zyrtarë, miq të Shqipërisë, delegacione të huaja apo marksiste-leniniste të ftuar për pushime. Rrjedhimisht, të krijohet përshtypja se mungesa e auto-veturave dhe e automjeteve në përgjithësi, është një shenjë e thellë varfërie, përderisa edhe në rrugët e Tombuktuse, Dakarit apo Uagaduguse, ka më shumë qarkullim se në Tiranë…!

Por, nga ana tjetër, sapo mbi kryeqytet binte mbrëmja e mbi shtyllat e larta metalike ndizeshin varg llambat neon, Sheshi “Skënderbej”, Bulevardi “Stalin” e ai i “Dëshmorëve të Kombit”, gumëzhinin nga zhurma e mbusheshin plot e përplot me njerëz. Ata, dilnin grupe-grupe nga çdo lagje, rrugë e kthinë dhe derdheshin drejt qendrës së tij si të drejtuar me komandë”.

…Mes atij mjedisi asfiksues e tepër monoton, për ne, të rinjtë universitare, vetëm Hotel “Dajti”, (me shkëlqimin e neoneve që reflektonin butësisht ngjyrën e tyre violete mbi kreshtat e bredhave të përhimtë, tingujt e melodive të huaja të orkestrës së Night Club-it e, reflekset e xhamave kristal të makinave luksoze të trupit diplomatik), paraqiste atraksionin dhe magjinë e një botë tjetër, krejtësisht të ndryshme nga ajo që na rrethonte. Natyrisht, kjo s’ndodhte thjesht për shkak të aparencës së tij të jashtme.

Hotel “Dajti”, mbi të gjitha, e kjo qe dhe më kryesorja, që rezidenca e vetme e të huajve që ndodheshin a vizitonin Shqipërinë e asaj kohe. Kësisoj, ai na dukej jo vetëm pjesëz e një planeti misterioz, por njëkohësisht edhe shumë i largët e i pa arritshëm. Ish pikërisht aty që bujtnin pjesa me e madhe e pesë a gjashtë mijë turistëve suedezë, norvegjeze, daneze, holandeze, gjermane e angleze, të cilët vizitonin mesatarisht për çdo vit, vendin e shqiponjave.

Përveç asaj lidhje me botën e jashtme, (pra, atë të cilin ne e quanim planet tjetër, e që ish përjetësisht, rreptësisht dhe absolutisht e ndaluar për secilin prej nesh), Hotel “Dajti” kish edhe diçka tjetër krejt të veçantë: historinë e tij origjinale. I ndërtuar gjatë periudhës së pushtimit fashist ai, qe shembull tipik i arkitekturës musoliniane.

Fill pas pushtimit, italianët kishin dashur t’i a ndryshonin pamjen kryeqytetit primitiv shqiptar, duke nisur zbatimin e një vargu projektesh neoklasike romane. Kështu, shumë shpejt, euforia e fushatës së suksesshme ushtarake në Shqipëri, e pat kthyer qendrën e Tiranës, në një kantier të madh ndërtimi.

Sipas projekteve të hartuara, italianët do realizonin në kryeqytet një kompleks urbanistik impozant, i cili do të bëhej jo vetëm simbol i kulturës së re fashiste, por edhe i prezencës e influencës së dikurshme imperiale romake në mbarë Ballkanin.

Por, për ters e për fatin e keq të shqiptarëve, italianët nuk arritën t’a përfundonin projektin e tyre ambicioz për transformimin alla-roman të Tiranës. (Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, pas më tepër se 80 vjetëve, ndërtimet e kryera prej tyre, bëjnë pjesë në krenarinë e godinave më të vyera të kryeqytetit shqiptar).

Gjithë këto, pra, i jepnin Hotel “Dajti”-t një fuqi tepër magnetike e sugjestionuese. Për atë arsye, shpesh gjatë mbrëmjeve, veçanërisht të rinjtë, i bënin shëtitjet enkas, përbri tij. Thjesht për kërshëri.

Për të parë nga afër autobuzët e huaj luksoze si edhe targat e tyre fluoreshente me inicialet e qyteteve të ndryshme perëndimore. E pastaj, e kjo që natyrisht edhe më e rëndësishmja, turistët që zbrisnin prej tyre. Në më të shumtën e rasteve të moshuar, por shpesh edhe të rinj e të reja.

O Zot! – thosh shoku im i kursit,(D.M.): – “Ata, edhe pse janë qënie njerëzore, ndryshojnë krejtësisht nga ne”!

E, pastaj, hiqte në zemër e psherëtinte i brengosur… D.M., kish të drejtë. Ata njerëz që vinin këmbë mbi tokën shqiptare, duke zbritur hijshëm prej autobuzëve të tyre me ajër të kondicionuar, të jepnin përshtypjen se vinin nga larg. Nga tmerrësisht larg.

Dukesh se zbrisnin nga bordi i një anije kozmike. Pra, njëlloj sikur zbarkonin nga një planet tjetër. Vërtet, ata ishin krejt ndryshe nga ne!

Të veçantë e hyjnore në gjithçka. Në lëvizje, sjellje, buzëqeshje. Në mënyrën e shpenguar të ecjes. Në lirshmërinë e komunikimit.

Në stolitë, veshjet e lehta, flladitëse e plot ngjyra. Në sharmin e fytyrave ngjyrë roze, të pastra e delikate. (Atë ngjyrë, të cilën ne, e kishim parë vetëm gjatë parakalimeve të 1 Majit, natyrisht, në fytyrat e ushqyera mirë të anëtarëve të Byrosë Politike e, drejtuesve të tjerë të lartë të Partisë dhe Shtetit).

Ata, turistët, kalonin pranë e linin pas, magjishëm, një parfum të lehtë që ne nuk e kishim ndjerë kurrë. Një aromë që të bënte t’a ndjeje veten mes livadhesh imagjinare plot lule ekzotike.

Por, medet! Ajo trullosje s’zgjaste veç pak çaste. Aq, sa ish edhe koha për të kaluar atë copëz trotuari para hotelit, i cili niste nga busti i Stalinit e vazhdonte gjer tek kthesa e rrugës “Marsel Kashen”. Sepse, para hotelit, qe rreptësisht e ndaluar të qëndrojë, më tepër se pak minuta.

Në fakt, sa herë që kalonim në trotuarin para “Dajti”-t, përveç ngazëllimit që na sillte prania e të huajve në kryeqytetin tonë të izoluar, ndesheshim edhe me diçka tjetër, e cila na frikësonte jo pak. Para tij, me vështrime të ashpra e vigjilente, ca civile nuk reshtnin së ecuri poshtë e lart, ashtu si fare rastësisht.

Njerëzit e Sigurimit ishin gjithmonë aty. Ata vëzhgonin rreth e rrotull, pa u shpëtuar jo vetëm çdo lëvizje e të huajve, por edhe gjithë të tjerëve që hynin e dilnin në hotel. Civilë të tjerë, bile edhe më të shumtë në numër se ata jashtë, ndodheshin në brendësi të tij. Dukej se Sigurimi e kish vendosur shtatmadhorinë e tij, pikërisht në “Dajti”…!

Civilët e tij ishin kudo. Në hollë, korridore, bar, restorant, ulur në kolltukë, duke lexuar gazetën, duke pirë duhan e duke përgjuar përreth plot dyshim. Për më tepër, atë detyrë e kryente edhe personeli i fryrë i vetë hotelit që përveç shërbimeve rutinë, hetonte, përgjonte e raportonte për çdo lëvizje, bisedë e takim të dyshimtë të turistëve. Në fakt, që hoteli në fjalë ishte seli e Sigurimit të Shtetit, ajo nuk ish diçka e pa njohur. Natyrisht, atë e dinin të gjithë…!

Ish kjo arsyeja pse, njerëzit, përgjithësisht, kur kalonin para tij e ndjenin veten të bezdisur e në siklet nga diçka e pakuptueshme. Që kjo arsyeja pse, ata nxitonin hapat e kalonin shpejt, duke shikuar vetëm drejt. As majtas as djathtas. Herë-herë, me kokën ulur nën kurorat e dendura të bredhave, të cilat binin aq poshtë mbi trotuare, sa që dukej sikur donin t’u thoshin: – “Ej, ndalni, ku shkoni…?! Këtu ndalohet kalimi…”!/Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • mondi: 17/01/2023 13:59

    e kujt i hyjne ne pune keto gomarlleqe, cfare kerkon te na tregosh ,ca gjera pa sens. shkruaj ndo nje liber me kujtime a ditar dhe jepja nipit e mbeses( po ta pranuan)

    Përgjigju
  • emiljano: 17/01/2023 10:56

    Ky qe shkruar kete eshte nje fshatar i ardhur nga malet dhe sigurisht qe Tirana do ti habiste por e keqia eshte se keta tipa nuk jane gdhendur prandaj ka dale thenia tiranase KATUNAR SURRAT PARUR QYTETAR NUK BOHESH KUR......

    Përgjigju
  • Haka Tekizoti: 17/01/2023 09:14

    Autori duket që tërë jetën ka vuajtur e vuan akoma nga kompleksi i inferioritetit, por ka meritën që atë kompleksitet e ngre në art.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri