Kujtimet e Kol Mirakajt për luftën e
ardhjen e komunistëve në pushtet

Kujtimet e Kol Mirakajt për luftën e<br />ardhjen e komunistëve në pushtet
TIRANE- Librat e autorëve të veçantë, qofshin kujtime apo monografi,  janë burimet më të  vlefshme  pranë dokumentave  për të shkruar historinë e 70 viteve të fundit. Sidomos memuaret  kanë pulsin e jetës, dhe sa për subjektivizmin që  shumë shpesh  lehtëson përgjegjësitë  e veta dhe rrit ato të kundërshtarëve, i bie lexuesit të gjykojë për  seriozitetin /sinqeritetin e shkruesit, veçanërisht kur ka dijeni  të hollësishme të lëndës së trajtuar në to (regjimin komunist dhe personazheve  që luajtën rol pro dhe kundër tij).

Deri dje kjo ishte e pamundur nga mangësia  dhe njëanshmëria e  dëshmive;   (konkretisht tek  librat e veteranëve  ish partizanë:  sado  pak  të vërteta  jo-partiake  të  përmbanin  dorëshkrimet e tyre,  e drejta e  botimit do tu  hiqej  në çast;  shëmbull kujtimet që nisi  Myslim Peza dhe u prenë  me një shenjë të kokës që bëri  Enveri..  Për këto arsye e kam pritur me shumë dëshirë e kureshtje librin e Kol Bib Mirakajt, të shkruar në 1951 dhe të botuar më 2014.

Libri  evidenton  në mënyrë të paekuivokueshme  pikësëpari vetitë e  autorit : burrninë, atdhedashurinë  dhe   aftësinë e rrallë për të thënë fjalën e duhur aty për aty, cilitdo qoftë dhe, mbi të gjitha, largpamjen.

Është e habitshme por jo e pakuptueshme që ndër politikanët nacionalistë, ata  më të demonizuarit gjatë komunizmit, i pari Ernest Koliqi dhe pas tij Mustafa Kruja, prej kohësh  po dalin  në media  si njerëz të shquar dhe patriotë (këtë  famë të merituar të tyre  e lejoka gradualisht  fryma  e  dekomunistizimit me pikatore, që mbizotëron  tek  akademikët.)  Janë ata  autoriteti shkencor që i rekomandon  autoritetit shtetnor “këtë po, atë jo”, dhe në këtë shkallëzim rehabilitues është lejuar të hyjë edhe Mit`hat Frashëri, sigurisht falë pacifizmit të tij që ua  lehtësoi  punën komunistëve, po  edhe kuislingët Lef Nosi e Patër Anton Harapi,  për  personalitetin  dhe  kontributet e tyre të shquara patriotiko-kulturore, kurse për Mirakajn dhe figurat e tjera,   vendosmërisht  antikomuniste, si Xhaferr Deva e Mark Gjonmarkaj asnjë lëshim.

Kjo është plotësisht e kuptueshme për kushtet tona  të amullta. Kol Bib Mirakaj, meqë  për Xhaferr Devën folëm më parë,  paraqitet vetëm si  politikan  dhe më vonë si ushtarak, rastisi që në një farë momenti  t`i  ngarkohej  barra  formale e partisë fashiste , e cila nuk pati jetë të gjatë, u shkri me rastin më të parë, nga vetë  krerët  e saj  shqiptarë.  Por  “faji” kulmor i tij që i kushton mënjanimin  sot për sot,  është vendosmëria   për të luftuar me armë  ndërhyrjen e fqinjit tonë verior, me të cilin partizanët tanë  ishin në  marrëdhënie vartësie  të plotë.

Kur lexon librin e tij me titullin nga më të  gjeturit  “Vetvrasja e një  Kombi”, kupton  largpamësinë dhe  energjinë e autorit, krahasuar me qullësinë skandaloze të shumicës së nacionalistëve, që  deri vonë  shpresonin  në  korrigjimin  e N.Çl. të drejtuar nga PKJ (...)  Vendosmëria  antijugosllave e veriorëve,  ka  shkaqe  të njohura  historike të  kësaj pjese,  të lakmuar dhe të masakruar  herë pas here  prej  ushtrive  serbe,  por nuk është kuptuar  njësoj   nga  të gjithë  nacionalistët  jugorë dhe,  ç`është më e keqja, u përballua  me  një  inkoshjencë politike  që i detyrohej  rivalitetit  meskin të  shumë  krerëve, meskinitet  që na karakterizon akoma sot. 

Edhe sot  shfrytëzohet  një  hollësi  e parëndësishme  siç është ajo e fashizmit  dhe harrohet  që   mbështetja  tek  i huaji  ka qënë një tipar i vazhdueshëm, i pandërprerë politik  shqiptar siç ish katandisur  ai nga pushtimi  shekullor (Lidhja e Pirzrenit,  orvatja për  autonomi nën Turqi më vonë, Esati në shërbim serb, grek, francez, italian, marrëveshja Pashiç-Zog,  traktatet Zog-Itali, ai  Mugosha-Popoviç-Hoxha, i këtij të fundit me BS, Kinën, Pakti  Neubacher-Mehdi Frashëri, R. Alia që i dorëzohet  tinëzi  paktit BS - SHBA  për të shpëtuar  klikën e tij, Misioni Pelikan si “kurorëzim” i mllefit  për humbjen e pushtetit.)

Ky   nënështrim vullnetit të huaj,  kur nuk arrijmë të  mposhtim  me fund  rivalin e brëndshëm,  vazhdon  sot e gjithë ditën por pa vënë mend; e tregojnë  konfliktet  pa dinjitet, kur   gjyqin  e kërkojmë  në  Evropë,  dhe  vendimin e saj nuk ia  respektojmë, duke detyruar kështu   diplomatët e saj të braktisin të neveritur  llozhat  e parlamentit 

Çdo  veprim  dypalësh,  nga këto që numuruam  më lart me  faktorët  e huaj,  mund të gjykohet vetëm nga rezultatet praktike. E pra,  asnjë  prej periudhave respektive, duam s`duam, s`mund të barazohet me atë që quhet “koha  e  Italisë”  (bashkim me tokat shqiptare  përtej kufirit të 1913-ës, arsim kombëtar në ato zona, Institut i studimeve shqiptare, lulzim i  tregut, i qytetërimit, i  horizontit, i botimeve, rikonfigurim europian i qyteteve tona), dhe sa për  të shumëpërfolurën “vënie të figurave politike në shërbim të okupatorit”, kjo ësht një  gënjeshtër e  madhe e historiografisë komuniste; fakti është e kundërta, që  pushtimi  fashist u bë  pabesisht  e në  padijeninë e tyre, kështu që  politika filo-italiane  e mëparshme  e  disave prej atyre  personaliteteve  doli shpëtimtare, sepse  shmangu marrjen e  karieristëve në shërbim nga fashizmi (të cilët E. Hoxha i vuri në krye të shtetit në 1946), dhe kështu  patriotët  që sot pranohen me zemër të thyer nga  elita 45-vjeçare si personalitete, M.Kruja, E.Koliqi, e shumë të tjerë shfrytëzuan  lidhjet dhe prestigjin e tyre  për t`i prurë atdheut  shërbimet e jashtzakonshme që përmendëm,  ndër to  rivendosjen  shumë shpejt edhe të  dinjitetit  të  flamurit. Këto u bënë duke e shtrënguar Italinë, sepse  ata ditën të  përfitonin edhe  nga  konjukturat e luftës.  Kush tjetër e ka  mundur  të bëjë një gjë të tillë  në kushte analoge?

Mosnjohja  deri sot e  shërbimeve   të K.B. Mirakajt  si  atdhetar  dhe  parashikuesi  më i qartë  për strategjinë  antikomuniste,   por  edhe si  mbrojtës  i  palodhur  uniteti  në vend dhe në   emigracionin,  e brejtur nga  agjenturat   dhe  nga   mediokriteti  i krerëve  me  gjithë  pasonjës,  ka të bëjë  sigurisht  me  dizinformimin  themelor  të deritashëm që  do të mbajë edhe ca  kohë.  Historiografia  zyrtare duhet më parë të ndërrojë shenjën  algjebrike me të cilën  vlerëson atdhedashurinë.

Opinioni  publik që  e ka   vetëdijën çfarë fshihet  realisht  në  këtë   tranzicion, megjithse ende i pakët,  i di mirë arsyet, dhe  nuk mund të  presi  që mbetja  komuniste  në ndërgjegjen e historianëve  të deklarojë  se  lufta  gjer në ekstrem  veçanërisht e  Veriut  (Mark Gjonmarkaj, Kol Bib Mirakaj,  Jup Kazazi, Maliq Bushati, Abaz Kupi, Halil Alia, Muharrem Bajraktari, Vëllezërit  Kryeziu, Xhaferr Deva  me shokë në Kosovë, dhe  më tej  desantët  në gjithë  territorin,  qindra djem që shkuan  drejt vdekjes  me vetmohim) kanë qënë  patriotizmi i vërtetë  shqiptar,  ai që na nderon  në kontekst  Europiano-lindor  në  dhjetvjeçarin  e  parë  të  Luftës  së Ftohtë.

Ata  e kanë të sigurtë rrugën drejt  Panteonit tonë,  por si duket  ne   duhet  të presim  akoma, që vendin  e  pesë djemve  të Vigut  dhe të  shumë  pjedestaleve  të tjera, ta  zënë përmendoret e Postribës e Malsis së Madhe, të Mark Gjonmarkajt,  Preng Calit,   Alush Lleshanakut e me rradhë,  dhe`nuk duhet  të jetë  e vështirë për ata që  kanë në  dorë dokumentat  ta  identifikojnë   edhe rolin  përherë  aktiv të K. B. Mirakajt, në të vetmen  luftë që duhej  bërë, atë kundër rrezikut  komunist  brënda Vendit, dhe pak  kohë  më  parë atij  çetnik në kufi  (libri na sqaron për këtë).

Roli i tij  kryesor u vështirësua, sepse ai kishte  përballë si  kundërshtarë  kokëngjeshur ose tinzarë  mjaft  prej  nacionalistëve, siç doli edhe hapur më vonë.  Ai ka qënë  ndër më të  qartët,  si  për aspektin   politik  ashtu dhe për atë  ushtarak, përsa i përket përpjekjes së përbashkët që duhej n’atë moment, dmth.   për  një  front kompakt  nacionalist,  sepse kauza  shqiptare, për shkaqe historike dhe aktuale,  nuk ishte ajo e koalicionit, por shpëtimi i  kombit prej krahut lindor të tij.

Akoma sot ekziston një lloj servilizmi  psikologjik ndaj  prioritetit të pjesëmarrjes pa tjetër me koalicionin. Jo! Nuk fitohej  përkrahja e  anglosaksonëve me shërbimet  e përcipta që fshihnin  synimet  e bllokut  lindor  (shih  dokumentat  britanike që e thone troç, dhe këto ditë edhe  disa më të turpshme  që  zbulojnë edhe pazarin me gjermanët). Përparësi për fuqitë perëndimore në  vendosjen e kufijve, mbas luftës, do të kishte patur aftësia  e  një kombi të vogël  të  luftonte  për  vete, dhe sa më kompakt aq  më i meritueshëm është për  pavarësi.  Këtë  preferencë moralo-politike  të tyre (që  e kanë mbrojtur  shumë  filoshqiptarë të shquar  anglezë dhe francezë pranë qeverive të tyre), ne e humbëm  plotësisht, megjithëse u quajtëm aleatë.

Ne as nuk u ftuam  prej krejt Koalicionit, si  shegertë të padenjë.  Të shikohet në libër  dialogu i Mirakajt me Kolonelin  Mc Neal, i rrallë në  kronikat tona për tonin  e hapur e burrnor si dy  të barabartë, reagimin e këtij të fundit, për të kuptuar shumë gjëra. Ndër to  edhe  mbrojtja  tek  autoritetet italiane  prej anglo-amerikanëve nga çdo përndjekje  që iu bë  Mirakajt në Itali, kurse gjermanët në një farë momenti  e ndiqnin për ta vrarë, megjithëse ai  ishte me ta! (nënkupto  nuk donte  tu lehtësonte  punën  të dërguarve  të PKJ dhe të digjte Vendin). Kjo është shenja dalluese e personalitetit dhe, fatkeqësisht, janë të rrallë ata që e kanë.

Kol Bib Mirakaj ka qënë jo vetëm   këmbëngulës dhe dinjitoz në  atdhedashurinë e tij, por  edhe i gatshëm për konçesione – duke ua lënë udhëheqjen  të tjerëve, mjaft që rreziku të kuptohej dhe të  përballohej menjëherë  dhe sëbashku.  Thelbësore,  nëse duam pasqyrim të plotë të  historisë, është të  dalin njëkohësisht  edhe  provat  se si  ky  aksion  u sabotua  nga vetë krerët nacionalistë të Jugut dhe jo vetëm, dua të them edhe nga paqartësia e shumë krerëve të Veriut,  të impresionuar  nga prania  e oficerëve  aleatë. . .

Por  edhe  konflikti  i shurdhët mes   politikanëve  që i kishin dalë zot Vendit në momentin më të rrezikshëm të historisë moderne të tij,  flet shumë, dhe lexuesi mund të marrë vesh  nga ky libër  gjëra tepër interesante  për shkaqet e dështimit, pikërisht për faj të këtij  pasinqeriteti. Mbi  këtë temë delikate,  autori jep hollësi  të panumurta  rreth ndodhive  dramatike  të viteve të LDB dhe për  amullinë dëshpëronjëse të pjesës më të madhe të  antikomunistëve në vend dhe  në emigracion.

Mbi të gjitha ai jep,  sipas meje,  çelsin si mund të lexohet  kjo  dizarmoni mes  atyre  që e  quanin veten  nacionalistë, e cila  ka brënda  shkaqe ende shumë të gjalla historike të një Vendi  që  mbetej  i  përçarë..

Është  kudo i pranishëm  rivaliteti meskin që karakterizon edhe disa  krerë që i dinim ndryshe  nga emri i madh  që mbanin. Nëse  lexuesit i  çfaqet  dyshimi se është  subjektivizmi  dhe  protagonizmi që inspirojnë penën e autorit, ai mund t`a  vërtetojë versionin e tij  me anë  dëshmish të tjera.  Njera prej tyre është libri “Hasan Dosti, një jetë  për Çështjen Shqiptare” , ku kreu ballist nën presion aleat kërkonte unitet të emigracionit, dhe ndeshte në kundërshtime kokëngjeshura fshatarake, derisa Amerika e neveritur  ua  preu fondet.

Tepër interesante janë edhe episodet e eksodit nën bombardimet aleate  nëpër Bosnjë-Kroaci-Austri, ku  guximi  i K.B. Mirakajt  shpëton  grupin e vet (Gjon Markagjonin, Irfan Ohrin, Tahir Kolgjinin, Pandeli Papalilon, Ndue Gjonmarkajn, Xhemal Bushatin etj) nga një  kurth  që një prej krerëve  tanë emërmadh (Mirakaj  ia kursen emrin), u kishte ngritur pranë  Kroatëve për t`a eliminuar  tërë grupin e tyre.

Si  kurdoherë trimin  e  shpëton  vendosmëria. Ai  refuzon   prerazi që grupi i të ikurve të lërë hotelin  në Zagreb (ishte pregatitur plotoni i ekzekutimit) dhe fton kreun kroat  Ljuburiç aty, dhe sqarohet me  të për  akuzat fallso të ngritura  së largu prej tanëve  sikur  Kapidani i Mirditës dhe Mirakaj kishin  komplotuar  me çetnikët për sulm kundra Koracisë). Po të njëjtën vendosmëri  ai tregon  edhe në Vjenë, por me efekt të  shumëzuar : duke shpëtuar me qindra të arratisur nga avancimi i  shpejtë i  sovjetikëve.

Austriakët u ofrojnë leje-kalimi vetëm  krerëve  të lartpërmendur  për në Insbruck, dhe ata nisen. Përveç Kol Bibës! Ai nuk i braktis  emigrantët pa dokumenta  në dorë të fatit. Ata i vijnë në hotel  tërë  ankth  dhe  ai i qetëson : mos u bëni  merak, nuk iki pa ju.  I  sëmurë nga plaga  e mahisur në gju, me këmbë të enjtura,  shtrohet në makinë  shkrimi, harton dhjetra leje-kalimi kolektive prej 10 vetësh me një kryetar secila dhe, me ndëmjetësimin e Neubacherit, i cili  ia  pranon këtë formë  “pasaporte”, i firmos tek autorititetet. Po kjo gjë përsëritet edhe në Insbruck, kur erdhi puna për të kaluar në  Itali  sëbashku  dyqind e ca  të ikur,  pa  mjete e pa gjuhë.

Çështja  e Fashizmit,  ku përqëndrohen akuzat, e ka  një shpjegim tek politika e kohës së  Zogut, kur  ky sistem shihej si ide relativisht efikase në një epokë krize, falë realizimeve sociale  të  saj  të një  kapitalizmi  populist. Qe  katastrofa e luftës që e diskreditoi.

Për Mirakajn dhe tërë të ashtuquajturit fashistë ose filo-italianë, motivimi i tyre  ishte  ekskluzivisht  mbështetja  tek Italia  me anën e një politike  miqësie për ndihmë ekonomike dhe sigurisht anti-fqinjëve, kur Perëndimi s`garantonte  as  tërësinë territoriale ; ata e kuptonin atë  lidhje nëpërmjet  vendosjes  së një  princi  të Savojës si mbret, kurse Italia (me sugjerimin e Cianos që deshi të bëntë posi Gjermania  me Sudetët dhe Austrinë,  por pa potencialin  e saj njerëzor e ushtarak)  e okupoi krejt në befasi   dhe nxori variantin e bashkimit personal. Ka disa nuanca mes krerëve që u aktivizuan. 

Disa  më të rëndësishmit  kanë  shkruar   mbi rrethanat  dhe  veprimeve/ pikpamjeve të tyre.  Mirakaj  qëndron më vete dhe për një arsye të fortë, e cila të bind plotësisht kur lexon librin. Kur përmenda largpamësinë e  tij  kisha parasysh  pikërisht këtë fakt; që,  befasia e pushtimit të armatosur italian e bëri  të linte mënjanë divergjencat me Zogun  dhe të  ofrohej  ta  luftonte zbarkimin  në Shën Gjin (ai pat qëndruar në emigracion  nga 1926 deri në 1932,  pra  në këtë moment  ai ndodhej brënda kufive), por me  krijimin e  gjëndjes së re  mbas pushtimit, ai mori përsipër detyra  sikur edhe të tjerët, për të kërkuar  kthimin te  fjala  që   ishte  dhënë   për  një  princ  mbi një shtet të pavarur. Të gjithë kërkuan energjikisht që  pavarësia brënda unionit personal  të vihej  në vend, pra e luftuan forcën madhore menjëherë.

Por Mirakaj veçanërisht, mendon të përfitojë  nga momenti  për të përballuar   rreziqet e reja në horizont, që shumë  të tjerë nuk i shihnin, ose flirtonin me një koalicion antifashist që as i përfillte. Ai e pa të udhës të mos e linte pa shfrytëzuar  këtë prani në Vend të makinës ushtarake Italiane që po humbte luftën duke i shkëputur armatime e fonde,  së pari  përkundra rrezikut çetnik serb. Ishte momenti kur D. Mihajloviç  luftonte dhe ai Gjermaninë, por kishte në program  çfarosjen e popullsive shqiptare (një pukjan i K.B.Mirakës kishte zbuluar dokumentin e këtij programi tek  trupi i një Malezezi të vrarë ). Më vonë, ky rrezik  çetnik i la vendin  një tjetri madje, në një farë mënyre, u bë aleat i përkohëshëm, sepse  doli  fitues  kërcënimi  më i mbuluar por shumë më ugjent, ai i PKJ që kishte depërtuar edhe në Shqipëri. 

Gjëra të habitshme dalin nga libri i Mirakajt dhe   nga  shkrimet e asaj pjese politikanësh që ka heshtur me detyrim deri sot ( për tu lexuar edhe “Ad Memorandum” i Institutit të Studimeve të krimeve të Komunizmit,  me 10 dëshmi të rëndësishme). Kryesorja  është  kjo :  Apelit  të  Veriut Shqiptar ( më i rrezikuari siç ishte tradicionalisht dhe më i dëmtuari siç doli menjëherë mbas)  iu përgjigj me indiferencë   pikërisht  Balli Kombëtar, i cili në takime  ia pranonte propozimet Mirakës  për veprim urgjent, dhe  i  linte  mënjanë posa ai kthente shpinën. Dhe kjo megjithse ai nuk pretendonte, por ofrohej si  vetëm kontribues, mjaft që të pranohej  plani  i rezistencës. 

Por për habi edhe vetë Xhaferr Deva, që duhej të ishte i interesuar në maksimum,  u tregua i ftohtë me Mirakajn.  Konkretisht, kur ai  mori në dorëzim Ministrinë e P. Brëndshme nga  Mirakaj, ky i fundit, i ofroi Devës listën e 12 mijë luftëtarëve të rekrutuar  falë ndihmës italiane  në javët e fundt të teposhtës së saj. Ai e refuzoi  (!) duke thënë :”Nuk më duhen këshilla, do të ndërtoj shtet modern” (në gjashtë muaj do ta ndërtonte?...). 

Shkurt  ai  refuzoi në esencë   strategjinë e sulmit dhe adoptoi posi të tjerët atë  të  planifikimit (...)  Kështu mbetën  armiq efektivë të komunizmit  tonë të frymëzuar e komanduar nga dyshja  Dushan-Miladin, krahinat e veriut  si Mirdita e GjonMarkajve, Kol Bib Mirakaj në Pukë  dhe Muharrem Bajraktari e Kryezestë në Verilindje, Kaloshët dhe  krerët dibranë,  dhe natyrisht  Lidhja e Dytë e Prizrenit e Devës në Kosovë,  kur Regjenca e Qeveria e Tiranës  nuk ranë më dakord  me  Devën.

Por këto  qendra  nuk e kishin një komandë unike,  dhe as  ndërlidhje  të rregullt mes tyre, gjë që shpjegon pse nuk u realizua një  forcë  unike dhe kompakte kaq e  natyrshme për atë moment  rreziku iminent,  si  mjet i vetëm shpëtimi, po edhe  si  një  kryeurë perëndimore  për luftën e ftohtë mbas pak muajsh. Krerët e Ballit kaluan në Veri  veç për vetmbrojtje.

Pra  u duk  sheshit  pavendosmëria  në planin e tyre të vonuar  për rezistencë, të cilën  për çudi  e kërkuan me këmbëmgulje të bëhej në Lurë(!), dhe jo në Shkodër ku kishte përqëndrime të mëdha  forcash. (Rivaliteti i vogël me Veriun del i qartë gjatë tërë kohës si në ato momente kritike, ashtu dhe në emigracion). Plani pra nuk u realizua, ngaqë  ndërhynë shpejt partizanët që kishin kapur Dibrën.

Kur përmenda  aftësinë e Kol Bibës për përgjigje të duhur në çastin e duhur,do të  përmend  vetëm  edhe një  rast tjetër nga të shumtit. Kur pushteti në Shtator  të 1943 kaloi nga  qeveria  nën Italinë  tek ajo nën Gjermanët, Kol Biba si ministër i brëndshëm  mori vesh se po bëhej  fshehtaz një  mbledhje  në Bashki  për të ngritur një  asamble të re kushtetuese, por pa respektuar autoritetin ekzistues (shenjë  mosrespekti  qytetar përveçse   shkelje  kostitucionale). 

Qeveria  u dizorientua, çoi zv.kryeministrin Iliaz Agushi (të vrarë më vonë në Tiranë) tek Komanda gjermane për të pyetur  nëse  kjo ish nisma e saj. Ajo e mohoi  diplomatikisht. Atëhere Mirakaj, me solidarizimin e vetëm të ministrit të Drejtësisë, Anton Kosmaçi, shkoi  në Bashki  dhe u kumtoi : “Qeveria nuk don ta mbajë as një  orë pushtetin, por don që kalimi i tij  të  bëhet kostitucionalisht, prandaj mbledhja duhet të  shpërndahet tani menjëherë  në praninë  time”.

Pjesëmarrsit u bindën dhe madje  ata që  kuptonin,   u shprehën  dakord  me qëndrimin  ligjor të ministrit në fuqi. Përjashtimet e  pakta që autori i quan “luga në sahan” s`patën kurajën të hapnin gojën, kurse një ushtarak me origjinë të huaj që kundërshtoi, Mirakaj e vuri në vend në  mënyrë  të  prerë. ( Janë momente në libër  që nuk mund të mos  admirosh  qëndrimin  dinjitoz dhe energjik të  tij.)

Ky ishte Kol Bib Mirakaj, dhe ky guximi e urtësia e një njeriu  që i kishte  barazi frymën  e ligjshmërisë  evropiane, Kanunin e traditës,  dhe karakterin   burrnor  për tu dalë zot. Libri rekomandohet së fundi thjesht si  shprehës të njërës  prej  pikpamjeve  që  duhet  të ballafaqohen  pa tjetër  me dokumentat  e thatë dhe  me logjikën historike  dhe  rrethanore   shumë më  të  vlefshme, para se të  vihet pena mbi kartë për  të  shkruar historinë.    
Kol Bib Mirakaj


































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar