Kujtimet e Liri Lubonjës: Neta, një 35 vjeçare nga Korça që ishte e internuar me ne në Fishtë, me pretekstin se kishte të atin e sëmurë, merrej nga ata të Sigurimit

Kujtimet e Liri Lubonjës: Neta, një 35 vjeçare nga Korça që ishte e internuar me ne në Fishtë, me pretekstin se kishte të atin e sëmurë, merrej nga ata të Sigurimit

Liri Lubonja

Liri Lubonja, është bashkëshortja e ish-të burgosurit politik, Todi Lubonja, ish-Drejtor i RTSH, i goditur “për liberalizëm” nga Enver Hoxha në vitet 1973-’74 (pas Festivalit të 11-të Kombëtar të Këngës në RTSH-ës), duke përfunduar në burgun e Burrelit nga viti 1974 deri në 1987-ën dhe gjithashtu ajo është e ëma e shkrimtarit, publicistit dhe gazetarit të njohur Fatos Lubonja, po ashtu i burgosur politik, nga viti 1974 deri në 1991-in. Liri Lubonja ka rrëfyer me mjeshtëri në librin “Larg dhe mes njerëzve”, peripecitë, vuajtjet dhe persekutimin e saj dhe gjithë familjes Lubonja, gjatë viteve të internimit. Një grua që dëshmon për vuajtjet e grave në sistemin socialist, për të cilin ajo vetë kishte luftuar.

Të internumt

Megjithëse shumica e banorëve të ish-kampit të të burgosurve nuk ishin më të internuar, fshatarët na përmblidhnin të gjithëve me një emërtim: “Të internumt”. Disave nga të liruarit ky emërtim nuk u pëlqente më. Siç e kam thënë tashmë, shumica jetonin në zyrat e komandës dhe anekset. Kampi ndodhej pas tyre. Vetëm porta e tij e madhe e hekurt rreshtohej me dhomat ku jetonin familjet. Mbas mbylljes së kampit, të gjitha ambientet e tij, bashkë me zyrat, ishin kthyer në magazina, por në 1975-ën, kur një fshesë e madhe “pastroi” kryeqytetin, zyrat u mbushën me njerëz.

Vargun e dhomave, ish-zyrave, ku ishin rreshtuar familjet, e hapte Meli. Ajo së bashku me motrën e saj të madhe, Hajrien, kishin qenë martuar me inxhinierë italianë mbas çlirimit. Kishin pasur edhe nga një fëmijë. Megjithëse nuk mbanin lidhje me burrat, të cilët ishin riatdhesuar në Itali, i kishin internuar. Njëri nga burrat, përpara se të ikte, kishte bërë edhe burg, i dënuar me grupin e “sabotatorëve” të Maliqit. Për të mos i lënë vetëm motrat, i kishte ndjekur pas edhe vëllai, Zeneli, të cilin të gjithë e thërrisnin Daja, siç e thërrisnin dy nipërit, Boxhi dhe Fredi! Kur kishin qenë të rinj ai dhe e motra e vogël Meli, të cilën e kisha takuar në Lezhë, kishin qenë partizanë.

 

Rridhnin nga një familje e kamur (i ati kishte qenë ushtarak i lartë në kohën e Zogut, pronar tokash). Një jetë e tërë me persekutime ajo e tyrja. Tregonin që në internimin e parë, në vitet ’50-të, diku nga Fieri, kishin fjetur ca kohë nën një urë. Në Fishtë, në mbarim të pesëvjeçarit të parë, ua kishin hequr internimin pa të drejtë kthimi në Tiranë, apo në ndonjë qytet tjetër.

Fredi, djali i motrës së madhe, Hajries, qe dashuruar dhe martuar me një vajzë zadrimore, e bija e një komunisti, ofiqarit të gjendjes civile të kooperativës së bashkuar. Kjo lidhje me të internumt, nuk qe pranuar nga familjarët e vajzës. Flitej se kishte pasur kërcënime me thika ndaj, për të shuar sherret, qe aprovuar largimi i tyre për në Rrilë, sektor i Fermës Bujqësore. Hajria vinte shpesh në Fishtë te i vëllai dhe motra e fliste shumë për të mirat e avantazhet e Rrilës. Njeriu i gjorë! Kur mësohet me pak, kënaqet lehtë.

Meli me Boxhin e kishin çezmën nën shkallët e tyre. Herë e njihnin si privilegj, herë fatkeqësi. Veç dy dhomave, shfrytëzonin edhe ndonjë ambient të ish-kampit sidomos kopshtin në të cilin rrisnin perime shumë të mira dhe pula.

Në një dhomë të madhe ngjitur me ta jetonte Xhevrija. E kishin prurë nga Procesti i largët, fshat kufitar i Peshkopisë, me djalin e vogël 12-13 vjeçar dhe me nusen e djalit të madh, Rushen, që kishte 2 vajza të vogla. Dy djemtë e mëdhenj, Hasanin dhe Selamiun, i kishin burgosur sepse një mik, që u kishte shkuar nga Tirana, ishte arratisur në Jugosllavi. Nga sa tregonin Xhevrija dhe nusja, kishte qenë një ngjarje tepër tronditëse.

Djemve në hetuesi u kishin kërkuar të pranonin se kishin ndihmuar atë mikun tiranas, që të kalonte kufirin. Njëri prej tyre, më i vogli, e kishte “munduar” shumë hetuesin, sepse nuk kishte dashur të pranonte në asnjë mënyrë. Këtë e kishte thënë hetuesi vetë më pas. Në gjyq i kishin dënuar rëndë që të dy: me 16 dhe 14 vjet burg. Familja aty në Fishtë jetonte me një pension kooperative prej 110 lekësh të Xhevrijes dhe të ardhurat e nuses, punëtore bujqësie e sektorit të Grumbullimit.

Në dhomat pas Xhevrijes kish jetuar në një ambient më të gjerë Enver Paçrami. E kishin hequr nga Tirana ku kishte qenë magazinier, pse ishte i vëllai i Fadil Paçramit. Në Fishtë ai dhe djemtë, kishin punuar në bujqësi. Përpara se të shkonim ne në Fishtë, e kishin dënuar me dhjetë vjet burg, për agjitacion e propagandë. Nga sa thuhej, akuzat kishin qenë se shante marmelatën, ujin e pijshëm, shikonte në televizor Jugosllavinë.

Dy nga dëshmitarët, ish-të internuar, kishin parë shpesh televizor në shtëpinë e tij stacionin e Malit të Zi. Edhe ndonjë i internuar tjetër, nën presionin e frikës dhe shpresës për falje, kishte pranuar të depononte për marrëzirat e tjera. E shoqja, grua tepër e shkathët, mbas shumë përpjekjesh kishte arritur të shkonte me të dy djemtë, në Durrës te njerëzit e saj.

Në atë hyrje vendosën familjen e Fadilit dhe, pas saj, në një dhomë të vetme, Zanën me vajzat. Mbas kuzhinës e mensës, vinte dhoma e Netës. Kjo ishte një grua 30- 35 vjeçare e cila sapo fliste, e kuptoje se ishte korçare.

Më habiti mënyra se si e tregoi arsyen pse e kishin internuar. Ndryshe nga disa të tjerë, që flisnin mbyturazi, sikur përtypeshin, ajo ma tha me zë të plotë në dialektin e Zadrimës një fjalë, që nuk më thoshte asgjë se nuk e kuptoja. Pasi e dëgjova 3 herë, një tjetër, që ishte aty, ma përktheu: “Prostitucion”. Neta jo vetëm nuk i’u zemërua, por përkundrazi, e ndjeu veten të lehtësuar, që më në fund unë u sqarova. Mos kisha të bëja përsëri me një grua tjetër që gëzohej, se “shyqyr nuk ishte për politikë”?!

Neta kishte qenë e martuar. Kishte një djalë 13-14 vjeçar, të cilin e kishte lënë te i vëllai në Korçë. Puna e të shoqit qëndronte në mjegull. Ajo vetë thoshte se kishte vdekur, ndonjë tjetër, që qe grindur me Netën, thoshte se ai e kishte ndarë. Aty në Fishtë, ishte lidhur me një shofer zadrimor, baba i 4-5 fëmijëve, i cili kishte një grua që e lavdëronin të gjithë. Nika hynte te Neta pa teklif, si në shtëpinë e tij.

Disa nga ish-të internuarit (edhe Netës pas pesëvjeçarit të parë, ia kishin hequr masën e internimit) tregonin historira për të…!

Disa kohë më parë i vinte ndonjë telegram, me të cilin e njoftonin se e kishte babanë të sëmurë. Neta merrte leje dhe shkonte për ta parë. Kishte ardhur edhe një telegram, që e njoftonte se i ati kishte vdekur. Por, pas ca kohësh, i kishte ardhur një telegram i dytë, që përsëri i njoftonte vdekjen e të atit. Ata që tregonin këto histori, thoshin me bindje se Netën në këto raste e merrnin dhe e çonin nëpër biruca, për të zhbiruar gratë e arrestuara.

Kur shkuam ne, Neta nuk e fshihte miqësinë me disa punonjës të Degës së Brendshme, përkundrazi, përpiqej ta bënte të njohur. Kujdesej t’u siguronte biba të mira dhe ndonjërin prej tyre e thërriste me shkurtimin përkëdhelës Golka (ishte hetues ky). Në fund, i kishte thënë Zanës, si në kofidencë, se Hekurani, (shef i Sigurimit në atë kohë) e kishte porositur në mënyrë të veçantë të “kujdesej për Lirinë dhe Zanën”.

Neta punonte si bareshë në tufën e lopëve të Grumbullimit së bashku me një vajzë tjetër. Ishte një punë e privilegjuar jo vetëm pse kishte një pagë të mirë e të qëndrueshme, por edhe pse gëzonte disa përfitime. Tufa e lopëve krijohej nga bagëtitë që i dorëzonin kooperativat shtetit, si detyrim të planit të mishit. Destinacioni i saj qe vënia në majmëri për konkurrim për tregun e Lezhës.

Kur lindnin lopët, qumështin e merrnin bareshat. Në fillim, dikush kishte dashur t’i futej në pjesë, por ishin zënë keqas me Netën, duke larë njëri-tjetrin me kovat e qumështit. Që atë ditë nuk kishin folur më. Atyre me të cilët kishte miqësi, apo që donte të lidhte, Neta u dërgonte një tas qumësht ose kos. Ajo tregonte duke qeshur se si vepronte kur i shkonte mendja për mish: i vinte syrin lopës më të mirë, e lëshonte në jonxhë e, kur ajo fryhej, rrëzohej e fillonte të përpëlitej, i fuste thikën.

Lopa e dëmtuar shkonte në thertore në Lezhë si plan mishi e Neta, sipas së drejtës së dhënë, merrte falas një copë mish e të gjitha të brendshmet. Copa të plëndësit shpërndaheshin nëpër sektor. Edhe ky zanat i kasapit, që kishte fituar aty, ma shtonte ndjenjën e mospranimit që më ngjallte ajo femër.

Në verë i erdhi për pushime i biri, i cili ndiqte vitin e parë të shkollës Bujqësore të Korçës. Një ditë u afrua te gardhi ynë e më thirri. Donte një fjalor italisht-shqip që të mësonte italishten, Të gjitha pikëpyetjet dhe rezervat që kisha ndaj së ëmës sikur më kaluan automatikisht edhe te i biri, i cili në fakt duhej të quhej fatkeq me babanë e vdekur dhe nënën të internuar aq larg.

Kështu që pa ia hapur fare “portën” prej purtekash, i thashë se gjuha nuk mësohej me fjalorë, e se nuk kisha një të tillë. Më pas e kujtova me keqardhje gjestin tim të zhveshur nga dashamirësia, mirësjellja e dëshira për ta ndihmuar. Qe viktimë mosbesimi edhe ai. Ky mosbesim ndaj njerëzve, instinkti i vetëmbrojtjes, mos po na shkatërronte e tjetërsonte?

Më tutje, pas portës së madhe të hekurt, që të fuste në kamp, ishte një ndërtesë e veçantë. Aty banonte familja e Gjonit. Edhe ajo e internuar më 1975. Të dy, burrë e grua, kishin qenë punëtorë të dalluar në Kombinatin e Tekstileve. Roza, grua e gjallë, e palodhur në punë, atë ditë që qe nisur për internim kishte lënë një fotografi të sajën midis punëtorëve më të mirë të qytetit të Tiranës, në tabelën e emulacionit të Bashkimeve Profesionale.

Nga sa flitej, kishte qenë kandidate për “Heroinë e Punës Socialiste”, por letrat e njëpasnjëshme, që kishin shkuar nga Mirdita në “shtet” nuk e kishin lënë. Përmbajtja e këtyre letrave duket se ishte: “Si mund të jetonin ata në Tiranë, në kryeqytet, kur dihej se i ati i Gjonit kishte ndihmuar diversantët”!? Disa thonin se kishte qenë tamam diversant e jo vetëm ndihmës i tyre. Familja e kishte versionin e saj për vrasjen e tij në një përpjekje të bandave me forcat e ndjekjes në ato vite të para të pasçlirimit.

Ndaj u erdhi mandata e internimit. Nënën e Gjonit, bashkëshorten e “diversantit”, e kishin kursyer, por ajo nuk mund të jetonte në Tiranë në moshë të thyer, e vetme, pa të ardhura, ndaj kishte ndjekur të birin. Ishte grua e urtë, pa fjalë, por shumë e fortë. Bënte punët e shtëpisë, gatuante për familjen dhe të gjithë kohën e lirë, edhe në piskun e vapës, megjithëse vuante nga tensioni i lartë, e kalonte në kopshtin që kishin pranë çezmës e ku ajo prodhonte zarzavate të mira e me bollëk. I flisja për të këqijat e diellit, por nuk e la punën në kopsht veçse kur u sëmur për disa ditë. Kështu përpiqej t’i vinte në ndihmë të birit, që kishte pesë fëmijë.

Dy të vegjlit kishin lindur në internim. Vajzat e mëdha kishin mbaruar me rezultate të shkëlqyera të mesmen Bujqësore të Blinishtit, por asnjë lloj pune, veç shatit, nuk ishte gjendur për ndonjërën prej tyre. E madhja, Kristina, filloi në gjysmë ilegalitet të qepte në makinë jo vetëm për familjen dhe të internuarit, por edhe për fshatarë përreth. Kërkohej si rrobaqepëse, sidomos nga vajzat që bënin pajën për martesë. Këshilli e kërcënonte herë pas here me sekuestrimin e makinës, por nuk i’a hoqën.

Bile, kryetari i fundit, një djalë i ri, erdhi rrotull për të qepur një palë pantallona për vete. E dyta, Angjia, punonte në fushë në krah të sëmës, kurse e treta, Leta, vajzë e zgjuar, që mësonte shkëlqyeshëm, u bë shoqja më e ngushtë e Anës. Mësonin në një klasë, ishin moshatare. Në atë shtëpi kishte jetuar edhe Ylvia, e internuar nga Tirana më 1975 me të birin, Shpëtimin, meqë e bija, teknike ndërtimi, ishte dënuar për agjitacion e propagandë.

Edhe kur ajo qe liruar nga burgu e qe kthyer në Tiranë, së ëmës, e aq më pak të vëllait, nuk u kishin dhënë të drejtën të ktheheshin. Vetëm kur doli në pension, Ylvia, shkoi te e bija në Tiranë, kurse Shpëtimi, megjithëse bëri aq shumë përpjekje, mbeti aty “qytetar i lirë” rreth 14 vjet.

Çifti i ri, Luti me Lidën, jetonin bri nesh. Luti kishte qenë mundës, i mirë bile. Tregonte se do të nisej në një takim ndërkombëtar, kur e kishin internuar. E shoqja ishte nga një familje e lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare. E keqja duket se u kishte ardhur nga një vëlla i Lutit që, qe dënuar rëndë me burgim.

Të gjithë, mbas pesëvjeçarit të parë të internimit, qenë deklaruar “qytetarë të lirë” nga Dega, por pa të drejtën e kthimit në Tiranë, apo vajtjen në ndonjë qytet tjetër. Nga sa tregonin, “Taras Bulba”, kur kalonte andej, e kishte merak t’i porosiste që nuk duhej t’i gënjente mendja e të largoheshin, sepse do t’u zihej edhe kjo shtëpi që kishin në Fishtë (!) e do të mbeteshin rrugëve…! Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë