Kujtimet e Smajlit: Anglezët fajtorë për
ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës

Kujtimet e Smajlit: Anglezët fajtorë për<br />ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës
Rusët nuk i ndihmuan partizanët me asgjë. Pa ndihmën e anglezëve komunistët kurrë nuk do të mund ta shuanin lëvizjen balliste dhe zogiste në luftën civile

ATA ISHIN FAJTORE PER ARDHJEN NE PUSHTET TE KOMUNISTEVE SHQIPTARE


Misionet angleze në Shqipëri në vitet '43-'44, kanë patur një rëndësi të veçantë. Në nëj farë mënyre ata vendosën se në ç'rrugë do të ecte Shqipëria, pas Luftës. David Smajl, një kolonel anglez, pjesë e misioneve britanike të kësaj kohe, pa dhe dëgjoi shumë gjatë viteve të tij në Shqipëri. Në kujtimet e tij botuar para pak javësh nga botimet UET me titull "Vitet shqiptare '43-45?, kujtimet dhe fotot e kolonelit anglez gjatë Luftës së Dytë Botërore", ai e thotë shprehimisht dhe krejt qartë se si u vendos e ardhmja e Shqipërisë dhe si erdhën në pushtet komunistët. Për Smajl, s'ka asnjë dyshim mbi atë që ende sot diskutohet mes replikash të ashpra - lufta civile në Shqipëri '43-'44.

Smajl shkruan në kujtimet e tij se baza e tyre në Bari merrte informacione nga dy kampe, nga britanikët që ndodheshin pranë partizanëve e ata që ndodheshin pranë forcave nacionaliste. Të parët ju shkruanin erorëve se Abaz Kupi me të tjerët bashkëpunojnë me gjermanët e s'duhen ndihmuar. Të tjerët mes tyre David Smajl kërkonin që të mos ndihmoheshin komunistët, pasi s'kish dyshime se forcat e djathta drejtuar Abaz Kupi po luftonin kundër gjermanëve. Ndërkohë që komunistët e nacionalistët ishin zhytur në një luftë të ashpër mes vedi, britanikët vendosin të ndihmojnë komunistët, me armë, veshmbathje ushqime e teknologji. Kjo është pika që shënoi kthesën. Smajl shkruan se edhe pse kishin ardhur në shqipëri për të luftuar Gjermanët e për të penguar komunistët që të vinin ën pushtet misioni britanik dështoi. Duke i konsideruar me një vlerë të veçantë kujtimet e David Smajlit, për shkrimin e historisë, sidomos, asaj të Luftës e pas Luftës së Dytë Botërore, gazeta po sjell këtu disa pjesë nga kujtimet e ushtarakut britanik.

****

Në bazën tonë tek ullishta, ndenjëm dy javë. Në atë periudhë, unë u mërzita shumë, se doli qartë që puna jonë në Shqipëri kishte marrë fund dhe misioni kishte dështuar. Sa më shpejt të ktheheshim në Itali, aq më mirë do të ishte. Komunikime të gjata vazhdonin midis Maklinit dhe Barit, se ai dhe Emeri prapëseprapë kishin shpresë se do të mund të gjendej një zgjidhje sipas propozimit të Smithit, sidomos kur Bari na lajmëroi se partizanët nuk do të furnizoheshin më, po të vazhdonin të luftonin kundër Abaz Kupit.

Por oficerët britanikë pranë partizanëve, lajmëronin Barin se Abaz Kupi po bashkëpunonte me gjermanët. Palmeri dhe oficerë të tjerë i kishin besuar gënjeshtrat e LNÇ-së. Njoftuam barin për këtë. Ne e dinim fort mirë se Abaz Kupi kurrë nuk qiti një pushkë në bashkëpunim me gjermanët, por zyra jonë në Bari nuk i pranoi sigurimet tona dhe rifilloi furnizimin e partizanëve pa na lajmëruar dhe, e bëri këtë pikërisht kur partizanët po luftonin Abaz Kupin. Kjo ishte një shkelje e premtimit që na kishin dhënë se nuk do t'i furnizonin partizanët derisa të mos pushonin së luftuar Abaz Kupin. Me këtë veprim të padenjë ata na poshtëruan përpara Kupit, dhe kur Kupi na qortoi dhe akuzoi anglezët për furnizimin e partizanëve, ne me ndershmëri të plotë e kishim mohuar, duke mos ditur se Bari po punonte prapa krahëve. Ne nuk besuam që një gjë e tillë të ishte e mundur....

Mërzia ime u shtua më tepër pasi malaria nuk po më linte të qetë. Një natë, kur e ndjeja veten keq, dëgjova të shtëna jo tepër larg. Dyshuam se gjermanët ose partizanët po sulmonin shtëpinë e Xhemal Herrit. Kur të shtënat u afruan edhe më, ngarkuam të 17 mushkat që kishim pranë, se të tjerat po kullosnin. Kështu morëm një sasi të mirë benzine, ngarkuesin e baterive dhe materialet e tjera i lamë pas.
Shkuam një orë larg nga baza duke lënë një njeri prapa për të parë se ç'do të ndodhte. Pas ca kohe ky u bashkua me ne. Na tha se partizanët e kishin djegur shtëpinë e Xhemal Herrit dha tani po plaçkitnin bazën tonë. Kishte parë që kishin shkatërruar aparatin për ngarkimin e baterive. Kishte parë edhe që një patrullë e tyre ishte nisur në drejtimin tonë. U nisëm prapë dhe i zbritëm malit deri te pylli, te fillimi i fushës. Ky ishte sulmi i dytë partizanëve kundër forcave të Abaz Kupit dhe, kësaj radhe, patën sukses në saje të ndihmave që kishin marrë nga ne anglezët. Këto ndihma ishin në armë, municione, mina dhe lëndë plasëse, veshmbathje, ar, aparatura komunikimi, ndihma dhe këshilla nga ana e oficerëve dhe nënoficerëve britanikë që i shoqëronin. Pa këto ndihma, duke qenë se nga rusët nuk morën asgjë, ata kurrë nuk do të mund ta shuanin lëvizjen balliste dhe zogiste në luftën civile. Nëse ndihma britanike do të kishte marrë drejtim të kundërt nga ai që mori, Shqipëria sot do të ishte një demokraci properëndimore.
Prapë po ndiqeshim, por kësaj here vetëm nga partizanët. Ndenjëm në pyll për tri ditë, të mërzitur dhe të shqetësuar, megjithëse të 4 rusët e çetës së Xhemal Herrit që ishin bashkuar me ne (sigurisht rusë të bardhë), u treguan shokë të mirë e u munduan të na heqin mërzinë. Ditën e tretë erdhi Kupi. Ishte i mërzitur nga humbja që kishte pësuar. Ne nuk kishim asnjë lajm të mirë për të. U largua për t'u takuar me Xhemal Herrin.

Të nesërmen na erdhi fjalë se Herri dhe Kupi ishin zënë keq dhe kishin shkëmbyer fyerje. Herri ishte matur të merrte pushkën, por Kupi kishte qenë më i shpejtë. Me të dëgjuar të shtënën, Ramizi kishte hyrë në dhomë, ku kishte gjetur Herrin të gjakosur në dysheme, me një vrimë plumbi mu në kokë, por ende të gjallë. Ramizi kishte qëlluar që t'i jepte fund se nuk kishte mundësi shpëtimi. Tri net më pas u kthyem në Mukje dhe aty na erdhi një lajm shqetësuar nga bari me përmbajtjen që vijon:
"Në mesazhin e datës 25 gusht nga Laiën, i cili është me Hoxhën thuhet: Maklini, Smajli dhe Sejmori, punojnë kundër partizanëve me bashkëpunëtorët e gjermanëve. Jepet ultimatumi se duhet të largohen nga Shqipëria ose të dorëzohen te partizanët për dëbim në Itali brenda 5 ditëve. Përndryshe patrullat partizane do t'i ndjekin, do t'i zënë rob dhe do t'i gjykojnë në një gjyq partizan".


Në një mesazh tjetër nga Bari thuhej: "Hoxha nuk i konsideron oficerët me Kupin dhe tradhtarët e tjerë si aleatë, për shkak të sjelljes së tyre, por i konsideron si reaksionar të huaj që organizojnë një luftë kundër partizanëve".
Kjo shkaktoi një farë reagimi në Bari, ku me sa dukej, na kishte mbetur akoma ndonjë mik, se Hoxhës iu dërgua një ultimatum ku thuhej se nëse nuk i tërhiqte menjëherë kërcënimet, të gjitha furnizimet do të ndërpriteshin dhe të gjithë oficerët britanikë do të largoheshin. Ky ultimatum pati efektin e duhur dhe kërcënimi u tërhoq, por ne na u desh një javë që ta merrnim vesh dhe ndërkohë mësuam se ishim gjykuar nga një gjyq partizan dhe ishim dënuar me vdekje si armiq të popullit. Gjyqi qe zhvilluar në mungesën tonë.


Të nesërmen, së bashku me të katër rusët dhe dy taxhikistanas, vajtëm për të takuar taxhikistanas të tjerë, që ishin në një fshat të zonës sonë. Nuk i gjetëm, por aty zbuluam një njësi artilerie gjermane që përbëhej nga 30 gjermanë dhe 30 robër italianë. M'u duke se do të vlente të sulmohej, prandaj vonë natën u ktheva te Maklini të raportoja për sa kisha bërë.
Një ditë më pas, patëm një shfaqje të disiplinës së aleatëve tanë të rinj. Na erdhi një përfaqësi për të na thënë se nuk e pëlqenin kapterin e tyre, i cili dëshironte të kthehej te gjermanët dhe na kërkuan leje që ta pushkatonin. Maklini u tha se duhej t'i zgjidhnin vetë kryetarët tyre dhe se ai nuk do të ngatërrohej me këto çështje. Më vonë dëgjuam një të shtënë të pasuar me këngë dhe duartrokitje. Vajtëm të shihnim ç'kishte ngjarë dhe gjetëm një grup turkestanësh që rrethonin kapterin e tyre. Ky kishte një plagë në kurriz dhe po përdridhej përtokë duke dhënë shpirt. Kur e përshkruan këtë ngjarje në librin e tij "Bijtë e Shqipes", Emeri thotë: "Pashë kapterin Xhons që po shihte kapterin Xhenkins me një vështrim kuptimplotë, dihet se nënoficerët përbëjnë një vëllazërim ndërkombëtar".

Tani që kishim një çetë me më se 100 zogistë nën komandën e kapiten Ndue Palit dhe të birin e Abaz Kupit me të, plus 30 turkestanë, do të ishte e mundur ta sulmonim njësinë gjermane. Sulmi do të shërbente për të zgjidhur dy çështje: 1) Të hidhej poshtë definitivisht thënia se Kupi bashkëpunonte me gjermanët dhe 20 Të vërtetonim se sa luftarakë do ishin turkestanët.
Pas një vëzhgimi paraprak, bëmë planin e sulmit. Kampi gjerman përbëhej nga disa baraka në pyll. Ishte i fshehur mirë, por nuk ishte në një pozicion të përshtatshëm për mbrojtje. Aty mund të zbritej nga dy drejtime nga kodrat që e mbizotëronin dhe zbritja mund të bëhej pa u diktuar. Sipas planit, Maklini me Petrit Kupin dhe 100 zogistë do të sulmonin nga një krah, kurse Emeri me 30 turkestanët nga drejtimi tjetër. Unë do të qëndroja në kodër me tre mitraloza për me tre mitraloza p të mbrojtur forcat tona sulmuese. Ndue Pali me 40 zogistë do të qëndronte me mua si forcë rezervë si dhe për të mbuluar tërheqjen.
Vënia në veprim e këtij plani, fillimisht la për të dëshiruar dhe rezultoi në një konfuzion të madh. Maklini sulmoi me Petrit Kpuin dhe zogistët. Petriti qëndroi me Maklinin,por të tjerët ikën.Emeri sulmoi me turkestanët. U godit nga një plumb në mjekër dhe ra. Mitralierët e mi qëlluan barakat dhe për një copë herë gjermanë, italianë, shqiptarë e turkestanë, u përzjenë në një mishmash, duke qëlluar nga të gjitha drejtimet, pa parë se kundër kujt dhe ku qëllonin. Fitorja qe e jona, se gjermanët ia mbathën këmbëve duke lënë pas 10 të vdekur. Kampi u plaçkit dhe u dogj, ndërsa 13 italianë të trembur u kthyen me ne për të pasur padronë të rinj.

Edhe ne patëm humbje. Një zogist dhe një turkestan u vranë. U kthyem në bazë dhe menjëherë lajmëruam Barin se trupat zogiste kishin sulmuar gjermanët. Por qe tepër vonë, se dy ditë më pas nga Bari na erdhi urdhri që Maklini dhe unë duhej të ktheheshim, kurse Emeri duhej të qëndronte me Abaz Kupin. Ne të dy thirreshim në raport, kurse Emeri do të qëndronte pranë Abaz Kupit vetëm si vëzhgues. Kupi nuk duhej të luftonte. Atij nuk do t'i dërgoheshin armë.

Mesazhi shtonte se Hoxha kishte marrë përsipër të na shoqëronte deri në bregdetin ku do të imbarkoheshim. Kjo ofertë e tij nuk ishte aspak e sinqertë. Ne nuk do të pranonim të largoheshin nga Shqipëria me ndërmjetësinë e Enver Hoxhës. Ai mund edhe të na vriste. Asgjë nuk do t'i jepte Hoxhës më tepër kënaqësi se sa të na poshtëronte duke na zënë rob. Një gjë e tillë, në fakt, i kishte ndodhur Simkoksit dhe Kolinsit, të cilëve ua morën të gjitha pajimet dhe armët, i trajtuan si robër dhe si të tillë, i çuan në Jug në kushte të krijuar apostafat për t'i çnderuar. Me Simkoksin dhe Kolinsin kishte qenë edhe Fundo, që u rrah derisa vdiq. Kjo vrasje çnjerëzore dhe brutale u shpjegua zyrtarisht nga Enver Hoxha si ekzekutim i një tradhtari kur, në të vërtetë, nuk ishte e tillë.
Vetëm një gjë mund të bënim në lidhje me këtë mesazh. Të vononim zbatimin e urdhrit që kishim marrë, se tani që gjermanët po fillonin të tërhiqeshin nga Shqipëria, mundësia për t'i sulmuar me efikasitet ishte rritur. Njerëzit e Abaz Kupit jo vetëm që po luftonin gjermanët, por edhe Abaz Ermenji, në krye të 1.000 ballistëve u takua me ne dhe na ofroi të përqafonte kauzën e përbashkët. Turkestanët tanë ishin shtuar në numër. Tani ishin 70 veta të armatosur mirë.

Natën e 12-13 shtatorit, një forcë e bashkuar zogistësh dhe ballistësh, nën komandën e Kupit dhe Ermenjit, të shoqëruar nga Maklini dhe Emeri, në rrugën Tiranë-Shkodër, sulmoi një autokolonë gjermane të përbërë nga nëntë automjete. Të gjithë mjetet u dogjën dhe gjermanët i mbathën këmbëve ose u vranë. Ndër të vdekurit kishte dy oficerë. U morën shumë materiale, duke përfshirë edhe një çantë me korrespondencën midis komandës së divizionit 181 dhe divizionit 21. Nga kjo korrespondencë u nxorën informata shumë të vlefshme që do të shërbenin më vonë. Gjynah që autokolona ishte kaq e vogël, se sulmi u bë nga 200 zogistë dhe 100 ballistë. Kishim shpresuar për një gjah më të madh.
Të nesërmen, Xhenkinsi me një çetë zogistësh hodhi në erë një urë. Po atë natë, unë, i shoqëruar nga 25 zogistë, në rrugën Tiranë-Shkodër, 3 km nga Tirana, vendosa 4 granata Hokins në dy pika të ndryshme....

Ndërkohë Maklini, Emeri dhe Xhenkinsi bashkë me zogistë dhe turkestanët sulmuan një autoblindë gjermane dhe e detyruan të tërhiqej. U dhamë gjermanëve dy ditë pushim para se Xhenkins dhe Shumeikeri me zogistët dhe ballistët të hidhnin në erë një urë të tretë në rrugën Tiranë- Shkodër, ku bashkë me urën u ngrit edhe një kamion plot me ushtarë.
Një natë më pas ata sulmuan një autokolonë në të njëjtën rrugë duke e detyruar të kthehej mbrapsht. Në këtë aksion nuk arritëm të dinim sa ishin të vrarët.
Aksionin tim të fundit e kreva bashkë me një çetë zogiste dhe disa turkestanë. Hodhëm në erë urën te Hani i teqesë dhe sulmuam një autokolonë gjermane duke e detyruar të kthehej prapa.

Më 13 tetor, dy javë pas ardhjes në Velje, Bari na njoftoi se do dërgonin të na merrnin nga deti dhe se duhej të shkonim në breg sa më parë. I thamë lamtumirë gjeneralit Preng Previzi dhe e falënderuam së bashku me gjithë oficerët e tij. Ai e dinte se nuk mund të vinte me ne, por e ndjente veten mjaft të sigurt, se ishte në territorin e vet.
Zbritëm në fushë, kapërcyem rrugën kryesore natën, tamam në kohën kur po afrohej një autoblindë gjermane. Mund të ndodhte një gjakderdhje e madhe. Ne ishim mbi 100 vetë mbi rrugë dhe u shpërndamë në të gjitha drejtimet. Unë isha kaluar mbi një mushkë e cila ia futi një muri me tulla duke më vrarë gjurin, por edhe gjermanët u zunë në befasi dhe e panë të arsyeshme të tërhiqeshin. Asnjëra palë nuk shtiu një pushkë. Ecëm për 14 orë pa pushim dh arritëm në një pyll në fushë, ku ndalëm për t'u çlodhur. Pastaj vajtëm te një shtëpi e madhe që qëndronte e veçuar në mes të një fushe të gjorë me nga një pemë tek-tuk. Kjo do të bëhej baza jonë e fundit para largimit tonë nga Shqipëria. Shtëpia ishte e dy vëllezërve të pasur, miq të vjetër të Kupit. Ishte nja dy orë larg nga bregu. Ishim më se 200 veta dhe nuk sigurohej strehim për të gjithë. Partizanët, kur ta kuptonin se ku ishim, do ta bënin të shtirë ikjen tonë. Tani nuk kishim më frikë nga gjermanët. Partizanët ishin bërë armiqtë tanë më të rrezikshëm.
Që në ditën e parë që ishim aty, morëm lajmin se Nili dhe grupi i tij ishin larguar për në Itali nga një pikë në bregdet, të cilën ne e kishim kontrolluar më parë. Ky fakt na dha kurajë, por fatkeqësisht u pasua nga një lajm i hidhur. Kapteri Beton, që kishte qenë me Nilin për më se një vit, u mbyt kur barka prej gome u përmbys.


Na u kërkua të shkonim të gjenim trupin e tij, sepse me vete kishte kodet, që po të binin në duart e gjermanëve do të na vinin të gjithëve në rrezik. Shkova në bregdet jo vetëm për të gjetur trupin e një shoku, por edhe për të përcaktuar vendin nga do të largoheshim. Mithat Frashëri dhe Ali Këlcyra erdhën të na takojnë. Frashëri na tha se trupi ishte gjetur nga gjermanët. Bari na lajmëroi se Hiberdini ishte në Shkodër me paratifo, nën kujdesin e një mjeku italian. Ai arriti të bashkohej me ne. Ndërsa prisnim ardhjen e anijes, Maklini shkëmbente mesazhe me Barin, pasi ky kishte urdhëruar që vetëm britanikët do të evakuoheshin me anijen që do të dërgohej. Kjo na shkaktoi shqetësim dhe keqardhje të madhe. Miku ynë dhe aleati Abaz Kupi, përkthyesit tanë besnikë, Shaqiri, Haliti dhe Veliu, dhe dy italianët, Franko dhe Mario, që kishin ndarin ndarë vuajtjet me ne për një kohë kaq të gjatë dhe të cilëve u detyronim jetën, nuk do të lejoheshin të largoheshin me ne. Maklini me këmbëngulje kërkonte që ky urdhër të anulohej. Poshtërimi ynë me këtë tradhti, që i linte këta njerëz në mëshirë të partizanëve, për ne ishte krejt i papranueshëm. Gjithë përpjekjet e Maklinit qenë të kota. Më 25 tetor Maklini i dërgoi një mesazh personal Ministrit të Jashtëm britanik, Iden. Ky mesazh nuk i ra kurrë në dorë zotit Iden. Bari qëllimisht nuk ia kishte dërguar.
Disa nga oficerët në sektorin shqiptar të SOE-së nuk kishin qëllime të këqija, por u ndikuan nga propaganda dinake komuniste. Të tjerë ishin agjentë komunistë. Njëri, oficer në sektorin për Shqipërinë, hodhi kandidaturën për deputet me komunistët në zgjedhjet e vitit 1945. Ra nuk ishte çudi të na quante fashistë. Njëri nga sekretarët më tha se qe ai që kishte penguar mesazhin e Maklinit për ministrin Iden. Këtë e kishte bërë me qëllim të keq.

Edhe sot më vjen turp për tradhtinë që iu bë shokëve dhe miqve tanë shqiptarë. Mësuam se urdhri për mosevakuimin e shqiptarëve tanë, ishte dhënë për t'i bërë qejfin Enver Hoxhës dhe katilëve të tij. Kjo na dëshpëroi edhe më shumë.

Largimi ynë është një kujtim shumë i hidhur. Evakuimi do të bëhej me dy mjete detare për dy net me radhë. Natën e parë arritën të dy mjetet që mund të na kishin marrë që të gjithëve. Por Bari nuk kishte urdhëruar kështu. Grupi i parë do të përbëhej prej meje, Merit, Xhonsit, Xhenkinsit, Korsentinos, Shumeikerit dhe një piloti jugafrikan, i cili ishte rrëzuar dy ditë më parë dhe që kishte shpëtuar nga gjermanët me ndihmën e zogistëve të Abaz Kupit. Mjetet ishin motobarka siluruese të shpejta italiane MAS, me marinarë italianë. Në njërën hipi i gjithë grupi ynë, kurse nga tjetra zbarkoi një grup që do të kryente operacione kundër gjermanëve në tërheqje. Pas 8 orësh arritëm në Brindizi dhe së andejmi u nisa për në Bari.

Natën tjetër u imbarkuan Maklini, Emeri, Hiberdini dhe Dejvisi, si dhe të 4 rusët dhe ty turkestanasit, me pretendimin se ikja e këtyre të fundit nuk do të ofendonte Enver Hoxhën.
Kaq i madh ishte mosbesimi për ne nga ata të Barit saqë një oficer i veçantë sigurimi u dërgua me MAS-et për të ndaluar thyerjen e urdhrit që kishte dhënë Bari për të mos e marrë Abaz Kupin me shokë.
Në Bari u trajtuam mirë nga zyra e SOE-së, megjithëse ndihej armiqësia ndaj nesh. Sigurimi largimit të Kupit ishte e vetmja gjë që kishim në mendje, kurse politika e zyrës së SOE-së dukej të ishte diktuar nga interesi i partizanëve. Ata kishin pak simpati për Kupin dhe pra, duhej të kërkonim ndihmë gjetkë.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print), 13 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura