Kujtimet e Syrja Bej Vlorës, fakte
të reja, mbi flamurin e Pavarësisë

Kujtimet e Syrja Bej Vlorës, fakte<br />të reja, mbi flamurin e Pavarësisë
Nuk ka shumë ditë që u botua libri  me kujtimet e Syrja bej Vlorës  i titulluar “KUJTIME, NGA FUNDI I SUNDIMIT OSMAN NË LUFTËN E VLORËS”. Historianë të nderuar që janë specialistë të studimeve të ngjarjeve të zjarrta të atyre viteve për të cilat shkruan Syrja bej Vlora, e vlerësuan me krahasimet më të gotitura të letërsisë artistike. Ata janë specialistë dhe e dinë se ҫfarë thonë. Dhe jo vetëm kaq, ai ka një stil që rrëshqet, një përqëndrim të ideve dhe ngjarjeve pa teprim fjalësh në një shtjellim të vrullshëm. Vërtet që shumë  faqe i përpiva nga kurioziteti i etur për enigma të ngrira, nga ato që të ripërtërijnë pandërprerje mendimet në kërkim të një zgjidhjeje ҫliruese.

Unë nuk jam historian dhe nuk mund të gjykoj faktet e dhëna në konceptimin individual të një personi, aq më tepër kur ato janë kujtime edhe të lidhura me impresionin  dhe jo studime të mirëfillta të kontrolluara me kujdes nëpër katedra apo sektorë të instituteve të kërkimit shkencor. Dhe njëkohësisht  nuk e ul as vlerën e tyre, sepse do të akuzoja atë pjesë të së vërtetës që  nuk e gjejmë as në analet e kohës pavarësisht kujdesit të shqyrtimit dhe as në dosjet e arkivave.

Jam kimist. Në punën time për shpëtimin e flamujve historikë më ngriti keq mëndjen  informacioni që më dha një nga punonjësit më të parë të institutit që studionte albanologjinë, se flamuri i Pavarësisë ndodhej në fondin etnografik. Vite të tëra kam qenë në kërkim emocional të dokumentacionit aq shumë të pritur. Në Arkivin e Shtetit rashë në korespondencën e Bibliotekës dhe te Muzeut kombëtar. Ҫfletova aq sa gjeta, por jo aq sa dëshiroja. Dhe kur lexova atë që shkruan Syrja bej Vlora për flamurin e pavarësisë vendosa të shkruaj diҫka, i nisur nga dëshira për t’i u afruar të vërtetës.

Nuk ka asnjë dyshim se ai përsërit pa mëdyshje variantin e paraqitur të paktën dy herë nga i biri, Eqerem bej Vlora. E për të vazhduar diskutimin e nisur është e domosdoshme që të citojmë vetë autorin. Në faqen 70, në kapitullin Pavarësia Kombëtare, ai shkruan:
“…Me 28 nëntor, me dëshirën dhe pëlqimin e të gjithëve, u vendos të ngrihej flamuri i Shqipërisë dhe të shpallet Pavarësia Kombëtare.
Pasi atë ditë nuk kishte mundësi të përgatitej flamuri, u mor nga shtëpia jonë një flamur, që djali im Eqeremi që nga viti 1908 e ruante me plot nderime. Ai u ngrit në mes të manifestimeve e brohoritjeve gazmore të popullit…”
E tani le të paraqesim ato që shkruan Eqerem bej Vlora:
Në përgjigjen e dt. 14 shkurt 1930 dërguar ministrit të jashtëm të asaj kohe Rauf Ficos, ndaj kërkesës së këtij për t’i dhuruar Muzeut Kombëtar flamurin e ngritur nga Ismail Qemali dhe që Prefektura e Vlorës mendonte se e kishte ai, shkruan:
“Me të marrë shkresën tuaj n.784/I datë 18 vazhdues, vrapoj t’ju jap shpjegimet mbi çështjen e Flamurit Kombëtar që u ngrit në Vlorë më 28/XI/1912.

Falenderoj Zotnin Tuaj piksëpari që, duke pasur besim të plotë në ndjenjat e mija patriotike, m’u drejtuat për të  marrë shpjegimet mbi shenjën e shenjt të lirimit kombëtar, edhe eventualisht për t’ia siguruar brezave të ardhshëm, duke e ruajtur në Muzeun e Shtetit.

Mjerisht, ishte kjo dëshira, me të cilën mora mem gjithë shpirt pjesë, nuk do të jet e mundur të përmbushet.
Marr lejen tuaj t’ju bezdis pak, duke treguar të gjitha ngjarjet që jan në dijeninë time, mbi të parin Flamur Kombëtar, që edhe në mos u gjendt ky, të mbetet e pakta në arkivat e shtetit tonë, historia e flamurit të parë që u ngrit zyrtarisht në Shqipëri.

Në vjeshtën e vitit 1909, gjendesha në Paris. Këtu pata rastin të takohem me të ndjerin Don Aleandro , i cili me ndjenjat e lavdërueshme filoshqiptare që kish, ndiqte edhe fantazinë e Mbretërimit tia në Shqipëri. Bashkë me mua ishte edhe Eqerem Bej Libohova. Në rast të një gostie që na dha Don Alandro na fali të dyve një Flamur kombëtar, edhe na tha që sigurisht këto flamurë do të ngrihen ndonjë ditë në Shqipërinë e lirë. Flamurin që më përkiste mua e ruajta dhe e mbajta për vehte . Në  gusht 1912 kur erdha në Shqipëri, e solla dhe e mbajta në kokën e shtratit tim. Kurse në vjeshtë 1912 dolën andarët  e Greqisë në Himarë, shkova me vetdashësit e Labërisë , në ato Malësitë për t’iu bërë ball. Kështu nuk u gjenda dot në Vlorë më 28/XI/1912. Atë ditë u kërkua  për t’u ngritur një flamur. Po meqë nuk kish njeri në Vlorë flamur kombëtar, Z. Hydai Myftiu (sot mësues në shkollën italiane në Vlorë) shkoi me vrap në shtëpinë time.

Ky flamur, pasi u përdor për disa ditë, iu dorëzua  znjs. Mehmet Ali Pasha Delvinës, e cila banonte në atë kohë në shtëpinë time. Kur u ktheva nga lufta, flamurin e gjeta prap mbi shtratin tim dhe e lash aty. Por  më 1914,  kur hynë rebelat e Shqipërisë së Mesme në Vlorë, zonja në fjalë iku nga Vlora për Delvinë, dhe flamurin e mori me vehte me qëllim që  të mos poshtërohesh, në atë kohë unë vetë isha në Durrës dhe më pas në Itali.
Më 1914/15 sundimi i qeverisë Vorio-epirote , u shtrëngua rreptësisht në Delvinë. Zonja me gjithë familjen e saj u detyrua të shkojë në Korfuz.

Marr vesh, se pas hetimeve private që bëra, që flamuri mbeti në një kasë brenda së bashku me akte personale të fëmisë, në shtëpinë e Mehmet  Ali Pashës në Delvinë. Qeveria Vorioepirote e Delvinës, me anë të një kërkimi që ka bërë në shtëpinë e lartpërmendur e paska konfiskuar këtë flamur dhe e paska djegur. Mjerisht, nëse kërkimet e mia janë të njëjta me të vërtetën ky flamur nuk ekziston më. Pa dyshim që ky hidhërim është i përgjithshëm, por është veçanërisht një fatkeqësi për mua që sot nuk mundem të kem lumturinë, të dhuroj kujtim të përhershëm, shenjën e lirimit të atdheut.
Besoj, se do të jetë sa për vërtetimin e thënieve të mia të pyetet
z. Hydai Myftiu në Vlorë
Zonja Mehmet Ali Pashajt në Delvinë
Zoti Haki Alizoti në Tiranë
Zoti Avni Delvina në SarandëKëta e dinin rrjedhën e çështjes”.

Dokumentin e mësipërm e ka botuar disa vjet më parë historiania Valentina Duka në “Histori e Shqipërisë, 1912-2000”.
Një shpjegim të mëvonshëm kemi po nga Eqerem bej Vlora  në “KUJTIME”, Vëllimi i dytë 1912-1925. Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit. Po e citomë:  
“Një javë pas kthimit në Vlorë çova Murat bej Toptanin dhe Hydai efendin (nipin e babait të teqesë sonë në Janinë) tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posio (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri.

E pra në 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol  i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore, ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte se si ishte ai. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri tjetrin të hutuar. Atëhere ngrihet miku im, Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti në se mund të merrej pa qenë aty i zoti. Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri, që dikur don Aladro Kastrioti ma kishte dhuruar solemnisht në  Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vet qëndronte pranë në dritare .

E zgjata ca historinë e ngritjes së flamurit sepse në vitet e fundit kanë qarkulluar variante krejt të pavërteta dhe unë dëshiroj që ngjarja e saktë të përshkruhet e të mbetet njëherë e përgjithmonë”.
Duke lexuar me kujdes këto dy shkrime vërejmë se thëniet e Eqerem bej Vlorës ndryshojnë.  Në njërin variant thotë se kur u kthye në Vlorë e gjeti flamurin mbi krevatin ku e ruante, ndërsa në tjetrin se i u drejtua Ismail Qemalit me anën e Murat bej Toptanit dhe Hydai efendiut me lutjen për t’i a kthyer flamurin. Cilin variant duhet të besojmë?
Por kjo  është gjëja më e parëndësishme. Ka të tjera që meritojnë të analizohen.

A është e vërtetë që nuk kishte flamuj të tjerë në Vlorë dhe se askush nuk e dinte se si ishte flamuri kombëtar? Jo! Flamuri ishte ngritur ditë më parë në disa qytete të Shqipërisë. Pra dihej se si ishte! Gjithashtu nuk është e vërtetë se nuk kishte flamuj të tjerë. Ferit Vokopola  në “Atë unë e njoha”, botuar në revistën “Njeriu”, Nr 8, Tiranë, fruer 1944 shkruan: “Populli, të vegjël e të mëdhëj, burra e gra, me Flamurin Kuq e Zi në duar, ishin mbledhur rreth godinës duke kënduar hymne kombëtare”.

Shumë vite më parë pata rastin dhe fatin që xhaxhai im, Arkile Stamati, të më tregojë se si ai me të atin, Nikollën, pjestar në delegacionin e Durrsit, por pa ja ditur funksionin, udhëtuan me kuaj për në Vlorë  në një kohë të keqe dhe në  rrugë me baltë. Me 28 nëntor 1912 ai ka qenë në shesh dhe ka parë ngjarjet. Kur Ismail Qemali ngriti flamurin sheshi oshtinte nga brohoritjet entuziaste të njerëzve të shumtë, që tundnin flamujt e kuq, që mbanin në duar. Pra, nuk është e vërtetë thënia e Eqerem bej Vlorës se nuk kishte flamuj të tjerë veҫ flamurit të tij. Dhe mos të harrojmë edhe variantet e tjera të flamurit të ngritur në Vlorë, si ai i Marigosë, i Spiridon Ilos, i Kol Rodhes, i Petro Pogës.
Përse e fyen kështu një komb?

Në kujtimet e tij Ismail Qemali thotë se: “Kurrë nuk do harroj atë ҫast, dhe duart m’u drodhën me shpresë e krenari tek e ngula në ballkonin e banesës së vjetër shtizën me flamurin e prijësit të fundit të Shqipërisë” dhe më poshtë “Populli posa sheh flamurin që ngrihet në shtizë shpërthen në brohoritje e gëzim…”. Kjo është cituar nga monografia e Skënder Luarasit “Ismail Qemali”, botuar në “Tri jetë” nga shtëpia botuese “Migjeni” në 2007. Në këtë moment na intereson puna e shtizës ku qëndronte flamuri. Nuk është vetëm ky botim i Skënder Luarasit që përmend shtizën. Ka edhe botime të tjera që thonë se flamuri ka qenë në shtizë. Mirëpo flamuri i Eqerem bej Vlorës ishte vendosur në kornizën që ndodhej mbi krevatin e tij, e rrjedhimisht pa shkop.

Në se do të pranojmë variantin e paraqitur nga Eqerem bej Vlora, atëhere ngjarjet zhvillohen pak a shumë kështu: Hydai efendiu largohet nga mbledhja, shkon në dhomën e gjumit të Eqerem bej Vlorës, heq flamurin nga korniza, gjen një shkop, apo një hekur, gjen gozhdë dhe një ҫekiҫ, e mbërthen flamurin në shtizë, ose e lidh dhe e ҫon në sallën e mbledhjes, ku me sa kuptohet  e merr  Murat Toptani. Sikur gjithshka të ishte e parapërgatitur, sa kohë do të merrte ky proces? Ndërkohë nuk ka asnjë të dhënë që të jetë vonuar ngritja e flamurit.

Se ҫfarë ndodhi në ato ҫaste me flamurin mund ta kuptojmë nga ato që shkruan Dhimitër Berati, firmëtar i aktit të shpalljes së pavarësisë, në “Kujtime të Kuvendit kombëtar të Vlorës”, botuar në revistën “Njeriu”, nr. 5, viti 1942: “Kush ka patur fatin të ndodhet atje e ta shikojë këtë sqenë të përmallshme, s’mund ta harrojë kurrë… Murad Toptani nga Tirana, që ngriti flamurin në mes të Mbledhjes dhe këndonte  Këngën e Flamurit, së bashku me përfaqësonjësit korҫarë të Kolonisë së Bukureshtit q’e kishin prurë atë këngë nga Vllahia!”. Dhe në shkrimin “28 nëntor 1912” : “…Të gjithë janë në këmbë. Një “Rroftë Shqipëria”, që del prej të gjithë kraharorëvet mbulon fjalët e fundit t’Ismail Qemalit. Urimet përsëriten e më s’marrin fund. Një flamur u ҫfaq n’at ҫast në mes t’odës. Një tjatër flamur i rrëfehet, në dritare, popullit q’ishte mbledhur n’oborr të shtëpisë”. ( Cituar nga Bardhosh Gaҫe, “Ata që shpallën pavarësinë kombëtare”, Toena, Tiranë , 2002.)

Edhe vetë Eqerem bej Vlora thotë se Ismail Qemali ia dha flamurin Murat Toptanit për ta varur në dritare. Ndërsa  Ismail Qemali shkruan se flamurin e ngriti vetë dhe e nguli në parmakët e ballkonit. Pra flamuri që u valavit nga Ismail Qemali nuk ka qenë flamuri i Eqerem bej Vlorës, por një tjetër. Por cili ishte ky flamur? Le të analizojmë disa shkresa zyrtare të kohës, e që ruhen në Arkivin e Shtetit.
             
                                                              E PARA:
                                               “MBRETNIJA SHQIPTARE
                                                 PREFEKTURA VLORЁS
                                                          N   3170/III ex
                                               
                                                 Vlorë, më 20 Janar 1930
                                                               P.  T.
                                           Ministris se P. te  Mbrendshme
                                              (Sekretaria e Pergjithshme)
                                                             Tirane
                                  Landa: Mbi të parin Flamur q’u ngrit ne Vlore
                                    Pergjigj’ e shkrese Nr. 8431 D. 19/12/930

Kemi nderin t’Ju njoftojme se Komisaria e Policis dhe Bashkia, na kane lajmeruar qe flamuri i ngritun ne Vlore me 28/XI/912, ndodhet ne duar te Z. Eqerem Vlora, Minister i jone n’Athine.
Tue qene se njoftimet e Policis e te Bashkis, nuk tregojshin ndo nje argument sa te mund te formonim nje mejtim pozitiv mbi kete ҫashtje, Titullar’ i Kesaj Prefekture e pa t’arsyeshme me e’hetu personalisht.
Ne hetimet t’ona personale, na rezultuan keto te dy ipoteza mbi kete flamur istorik:
1.Thuhet se i pari Flamur Kombetar q’u ngrit ne Vlore, asht marre asi kohe prej Zonjes Marigo Jovan Bozo e cila ka pas ndjenja patriotike te kulluera dhe ne shume raste i ka sjelle sherbime  te pa numurta ҫashtjes Kombetare; ma vone, si u pregatitne Flamure te mjaftueshem po prej asaj Zonje, Flamuri istorik i asht kthyer perseri zonjes Marigo Bozo.

Kete informate na e afirmojne dy persona  te besueshem, qe kane ndodhe ketu, kur u shpall Indipendenca: njani prej ketyne, Z. Qazim Kokoshi, na  deklaroj se mbi kete ҫashtje, tash se fundi, paska bisedue me Z. Kol Rodhe, qe ndodhej asi kohe ne Vlore, i cili ka thene se Flamurin ne fjale e ka marre ai (Z. K. Rodhe) nga zonja Marigo Bozo dhe ja ka ҫue nji shoqnie shqiptare ne Amerike.
2.M’ane tjater Z, Sefa Bej Vlora (vllaj i Z. Eqrem Vloras), na deklaroj ne menyre sekrete se Flamuri ne fjale asht mare asi kohe prej shtepis tyne dhe se ky mbas ca kohe asht mare prej Z. Avni Bej Delvines, i cili mund t’a kete edhe sot.

Tue qene se nga sa siper nuk mund te formohet nje mejtim pozitiv, jemi te mejtimit qe per te kthjelluar ҫashtjen, te pyetet zonja Marigo Bozo e Z. Kol Rodhe, te cilet ndodhen aty dhe ne rast qe pergjegjet e ktyne do te jene negative, athere te pyeten dhe Z. Z. Eqrem Vlora dhe Avni Delvina.
                                                                   Prefekti”
Lidhur me këtë shkresë duhet të bëjmë një koregjim date, të cilën na e lejon arsyeja. Data e shkruarjes së dokumentit është 20 janar 1930, kur më poshtë, në fillim, thuhet se po i ipet përgjigje një shkrese të datës 19.XII.1930.  Gabimi është, siҫ thomi ne sot, një lapsus, sepse duhej të ishte përgjigje e një kërkese të datës 19.XII.1929, ose 19.I.1930.

Pak komente mbi këtë shkresë. Është në vazhdim të ecurisë së procedurës së saj që Rauf Fico i u drejtua Eqerem bej Vlorës, përgjigjia e të cilit u paraqit më lart. Përsa i përket flamurit të marrë nga Marigoja është fjala për flamurin e ҫetës së shoqërisë “Besa-Besën” që udhëhiqej nga Kol Rodhe, e që erdhi nga Amerika  në Korfuz në 1911 për tu hedhur në Shqipëri dhe jo varianti i flamurit të përgatitur nga Marigoja, siҫ edhe e përshkruan Kristo Floqi. Nuk besoj që të jetë e mundur që prefektura e Vlorës të ketë takuar Kol Rodhen, e të ketë biseduar me të dhe mbasi të ketë marrë një përgjigje negative prej tij, të ketë njoftuar organet qendrore të shtetit dhe pastaj këta t’i jenë drejtuar Eqerem bej Vlorës. Kol Rodhe nuk ka lëshuar kurrë pe në këtë ҫështje dhe ka debatuar shumë ashpër vite të tëra me Kristo Floqin, i cili me sa duket i paraqitej i rrezikshëm në “autorësinë” e flamurit kombëtar, ndërsa Eqerm bej Vlorën nuk e përmend fare.

Mirëpo edhe kjo shkresë e ka një pararendëse të saj që ruhet në Arkiviv e Shtetit. Po e paraqesim:
                                                        “MBRETNIJA SHQIPTARE
                                                           Kryesija e Parlamentit
                                                                       Nr 499

                                                               Tiran, 4. XII. 929
                                                                        P.  T.
                                                              KRYEMINISTRIS
Kamë nderin me e bamë të njoftun atë P. T. Kryeministri, se Parlamenti ne mbledhjen e vet më 2. XII. 929, mbi nji propozim te bamë , vendojë me i propozue Qeverisë te marrë e të shtirë në dorë te parin Flamurë qi asht ngritun në Vlonë me 28. XII. 1912, i cili u gjindka në duer te nji private, e te ruhet në muzeun Kombetare.

Prandaj i lutena asaj P. T. Kryeministrije, me pasë miresinë me bamë ҫ’duhet per shtimjen në dore te shtetit t’atij Flamuri historik.
                                                    KRYETARI I PARLAMENTIT
                                                       Pandeli Evangjeli.   d.  v.”
 Vëreni! “…i cili u gjindka në duer të nji private…”! Mos është fjala për Marigonë? Mirëpo në ato kohëra Marigoja përmendej gjithmonë me emrin e saj dhe jo si “private”. Në se nuk ka ndonjë gabim, cila është kjo “private” enigmatike, që ruante flamurin? A mos vallë ka ekzistuar edhe ndonjë variant tjetër? Pastaj, si ra flamuri në duar të një “private”?  Derisa ka patur të dhëna të tilla, atëhere duhet të kenë ekzistuar fjalë dhe nuk e besoj që të mos jenë bërë kërkime gjatë viteve. Personalisht nuk kam bërë gjurmime në këtë drejtim, megjithëse këtë ҫështje e dija prej kohësh.

Nuk ka asnjë dyshim që flamuri i Eqerem bej Vlorës të jetë valavitur atë ditë të shënuar së bashku me flamuj të tjerë pjesëmarrësish në ngjarje, por pa qenë I PARI.
Dhe seicili pretendon për flamurin e vet! Këtë bën me këmbëngulje edhe Eqerem bej Vlora në shkrimet e tij.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zbulohet trajtimi i parë i astmës pas 50 vitesh kërkime

Zbulohet trajtimi i parë i astmës pas 50 vitesh kërkime